Mesazh i Udhëheqjes Zonale

Marrja e Udhërrëfimit Shpirtëror nga Zoti Jezu Krisht

ALM-Teaser-June-Elder-Johnson

Jezu Krishti ju njeh dhe e bën udhërrëfimin shpirtëror të disponueshëm për ju kur të jetë më i dobishëm.  Ne mund t’i rritim mundësitë për ta ndier dhe kuptuar udhërrëfimin e Tij.


Elder Paul V Johnson
Plaku Pol V. Xhonson I Shtatëdhjetë Zonal – President i Zonës së Europës

A keni qenë ndonjëherë në një situatë sfiduese dhe e keni ndier se ju nevojitej udhërrëfim nga Zoti?  Ai ju njeh dhe e bën të disponueshëm udhërrëfimin kur të jetë më i dobishëm.  Ne mund t’i rritim mundësitë për ta ndier dhe kuptuar udhërrëfimin e Tij.

Ne e kemi udhërrëfimin të disponueshëm nëpërmjet shumë mjeteve.  Ne kemi qasje në shkrimet e shenjta dhe te fjalët e profetëve dhe apostujve të gjallë.  Ne marrim udhërrëfim nga udhëheqës të tjerë dhe ata pranë nesh.  Udhërrëfimi mund të vijë gjithashtu nga ëndrrat, vegimet apo vizitat, por shumica e frymëzimeve të drejtpërdrejta që marrim, vjen nëpërmjet zërit të qetë e të ulët nga Shpirti.  Zoti tha: “… Unë do të të them në mendjen tënde dhe në zemrën tënde, me anë të Frymës së Shenjtë. … Tani, vër re, ky është shpirti i zbulesës. …”1 Mendime na vijnë në mendjen tonë dhe ndjenja në zemrën tonë.  Shpirti mund të komunikojë me ne nëpërmjet mendimeve dhe ndjenjave.  Nëse nuk jemi të kujdesshëm ne mund të mos ta vëmë re këtë lloj komunikimi.

Presidenti Bojd K. Paker dha mësim: “Shpirti nuk na e tërheq vëmendjen duke ulëritur apo duke na shkundur me një dorë të rëndë.  Përkundrazi, ai pëshpërit.  Ai na përkëdhel aq butë, sa po të jemi të zënë ndofta nuk e ndiejmë fare atë. …

Ndonjëherë ai do të na shtyjë fort [mjaftueshëm] që t’i kushtojmë vëmendje.  Por shumicën e rasteve, nëse nuk i kushtojmë vëmendje ndjenjës së brishtë, Shpirti do të tërhiqet dhe do të presë derisa ne të kërkojmë dhe dëgjojmë …”2

Nëse frymëzimi nga Shpirti në përgjithësi vjen nëpërmjet mendimeve të qeta dhe ndjenjave të buta, si mund ta rritim aftësinë tonë për ta njohur këtë frymëzim?  Nëse dikush do të na pëshpëriste dhe do të kishim vështirësi që ta dëgjonim, ne natyrshëm do të përpiqeshim ta zvogëlonim zhurmën tjetër që do të ndërhynte te pëshpëritja, dhe gjithashtu do të përpiqeshim të shkonim më afër personit që na pëshpërit.

Ka gjëra në jetën tonë që krijojnë një “zhurmë” shpirtërore dhe mund të ndërhyjnë në aftësinë tonë për ta kuptuar ose madje ndier frymëzimin nga Shpirti.  Shumë nga mediat e disponueshme sot nuk lartësojnë shpirtërisht dhe mund të krijojnë zhurmë shpirtërore në jetën tonë.  Ne gjithashtu mund të jemi aq të konsumuar nga media shoqërore dhe të jemi aq të përqendruar te pajisjet dixhitale, saqë mund ta humbim kohën e qetë larg zhurmës së botës që na ndihmon ta ndiejmë frymëzimin nga Zoti.  Mëkati krijon zhurmë shpirtërore në jetën tonë.  Pendimi, adhurimi i duhur në ditën e shabatit dhe gjetja e kohës së qetë për ta studiuar ungjillin, për të përsiatur dhe për t’u lutur na sjellin më afër Zotit dhe e fashitin zhurmën e botës.  Kjo e ngre aftësinë tonë për të ndier dhe kuptuar mendimet dhe ndjenjat nga Fryma e Shenjtë.

Ne duhet të kemi kujdes të mos përpiqemi të detyrojmë apo këmbëngulim te udhërrëfimi nga Zoti në çdo gjë.  Plaku Dallin H. Ouks dha mësim se “një dëshirë për t’u [drejtuar] nga Zoti është forcë, por ajo [nevojitet] të shoqërohet me një [kuptueshmëri] se Ati ynë Qiellor i lë shumë vendime [që t’i marrim] [sipas zgjedhjeve tona vetjake].  Marrja e vendimeve personale është një nga burimet e rritjes që ne duhet të përjetojmë në vdekshmëri. …

Ne duhet t’i studiojmë gjërat në mendjen tonë, duke përdorur fuqinë e arsyetimit që Krijuesi ynë ka vendosur brenda nesh. Më pas ne duhet të lutemi për [udhërrëfim] dhe të veprojmë sipas tij nëse e marrim atë.  Nëse nuk marrim [udhërrëfim], ne duhet të veprojmë sipas gjykimit tonë më të mirë.  Personat që këmbëngulin të [kërkojnë udhërrëfim zbulese] mbi [çështje] për të cilat Zoti nuk ka zgjedhur të na drejtojë, mund të krijojnë një përgjigje nga fantazia ose paragjykimi i tyre, apo madje mund të marrin një përgjigje përmes mjetit të zbulesës së rreme.”3

Kur e jetojmë jetën sipas besëlidhjeve tona dhe gjejmë mënyra për ta heshtur zhurmën e botës përreth nesh, ne mund të marrim më lehtë udhërrëfim nga Zoti kur Ai e ofron atë.


1 DeB 8:2-3

2 Boyd K. Packer, The Candle of the Lord, Ensign, jan. 1983, f. 53 [ose te Mësoni të Dalloni Nxitjet e Shpirtit, në kapitullin 4 Dalloni Praninë e Shpirtit, f. 98, manuali “Predikoni Ungjillin Tim”].         

3 Dallin H. Oaks, Our Strengths Can Become Our Downfall, Ensign, tetor 1994, f. 13-14 [ose te Ide për Studim dhe Zbatim, në kapitullin 4 Dalloni Praninë e Shpirtit, f. 104, manuali “Predikoni Ungjillin Tim”].