Mesazh i Udhëheqjes Zonale

Falja Nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit

Elder Franco
Plaku Saulo G. Franko, Spanjë I Shtatëdhjetë Zonal

Si anëtarë të Kishës, ne kërkojmë të jemi mirë jo vetëm fizikisht por edhe shpirtërisht.

Një nga gjërat më të rëndësishme që kërkojmë, është të kemi paqe dhe mënyra më e mirë për ta arritur këtë është që të gjejmë paqe të brendshme. Siç tha Shpëtimtari: “Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time: unë po jua jap, po jo si e jep bota; zemra juaj mos u trondittë dhe mos u frikësoftë.”[1]

Mjerisht, është e lehtë ta humbasim këtë paqe të brendshme, veçanërisht për shkak të mënyrës së jetesës së botës bashkëkohore në të cilën jetojmë, e cila po bëhet gjithnjë e më agresive. Ai agresivitet madje futet në shtëpitë tona nëpërmjet mjeteve të ndryshme dhe ne arrijmë të supozojmë se është diçka normale të jetosh në këtë mënyrë. Një nga frazat që i dëgjoj njerëzit ta thonë gjithnjë e më shpesh është: “Të fal por nuk ta harroj” dhe madje: “Do të paguash për atë që ke bërë”.

Falja është një virtyt që ne të gjithë kemi nevojë ta arrijmë dhe ta mbajmë. Presidenti Gordon B. Hinkli, në një rast, tha: “Mendoj se falja mund të jetë virtyti më i madh në tokë dhe sigurisht më i domosdoshmi. Ekziston shumë egërsi, abuzim, mungesë tolerance dhe urrejtje. Ka nevojë të madhe për pendim dhe falje.[2] Falja është një parim i madh që nënvizohet në të gjitha shkrimet e shenjta, të lashta e moderne.”

Falja dhe pendimi gjithmonë shkojnë krah për krah; nuk mund të pendohemi pa falje dhe nuk mund të falim pa pendim.

Le ta krahasojmë faljen me pickimin e një gjarpri. Kur dikush ju fyen ose ju lëndon, është pikërisht si të pickohesh nga një gjarpër, i cili shpesh mund të na shkaktojë dëmtime të rënda, duke e bërë procesin e shërimit të zgjatë për një kohë të gjatë dhe duke na shkaktuar shumë dhembje; por, si çdo plagë, ajo mbyllet dhe shërohet me kalimin e kohës. Ndonjëherë gjarpërinjtë helmues mund të na pickojnë dhe ta lënë helmin brenda trupit. E njëjta gjë gjen zbatim për pakënaqësinë, urrejtjen, dëshirën për hakmarrje dhe kërkimin e drejtësisë: Ato na i pushtojnë zemrën dhe, si me rastin e helmit, ne nuk mund ta shërojmë plagën. Falja është kundërhelmi që i shëron ato plagë të shkaktuara nga helmi; pa falje është e pamundur të merret kura. Le të mos bëjmë si shumë izraelitë që u pickuan nga gjarpërinj flakërues.[3] Ata mund ta kenë gjetur shërimin duke parë drejt gjarprit prej bronzi që Zoti e urdhëroi Moisiun ta bënte, i cili përfaqësonte Shpëtimtarin dhe Shlyerjen e Tij. Por nuk ndodhi ashtu dhe ata mbaruan.[4]

Shpëtimtari dhe Shlyerja e Tij janë e vetmja mënyrë për ta zbuluar se si të falim; nuk ka mënyrë tjetër për të falur në situata të vështira. Shlyerja është kundërhelmi që mund ta shërojë dhe mbyllë çdo plagë, madje edhe plagët më të vështira për të cilat duket se nuk ka ilaç. Fuqia e Shlyerjes nuk është e vetvetishme; ndonjëherë është e vështirë për t’u vënë në zbatim dhe kërkon shumë përpjekje; por është në dispozicion të kujtdo që e dëshiron atë. Zoti, në një zbulesë bashkëkohore, na mësoi këtë:

 “Prandaj, unë ju them se ju duhet ta falni njëri-tjetrin; sepse ai që nuk ia fal shkeljet vëllait të tij, mbetet i dënuar përpara Zotit; sepse atij i ngelet mëkati më i madh. Unë, Zoti, do të fal kë do të fal, por nga ju kërkohet t’i falni të gjithë njerëzit.”[5]


Falja në martesë është çelësi për të siguruar një martesë të përjetshme. Shoh shumë çifte që nuk e falin njëri-tjetrin për gjëra të vogla dhe mbledhin helmin e mërisë e të urrejtjes; pastaj, kur kanë një zënkë, ata thonë çdo gjë që kanë mbledhur përgjatë kohës dhe marrëdhënia dëmtohet rëndë. Shoh shumë martesa, toleranca reciproke në të cilat është aq e vogël sa s’ka; ata nuk mund të përballojnë as gabimet më të vogla dhe me plot kuptimin e fjalës bëjnë shumë zhurmë për asgjë. Është pikërisht në gjirin e familjes ku ne duhet ta ushtrojmë më shumë faljen dhe të kujtojmë se nuk ka ekzaltim pa falje.

Përfundimisht, falja lidhet drejtpërdrejt me dashurinë hyjnore, siç tha profet Moroni:

“Por, dashuria hyjnore është dashuria e pastër e Krishtit dhe nuk ka mbarim; dhe kushdo që gjendet i zotëruar prej saj në ditën e fundit, do të jetë mirë me të. Prandaj, vëllezër të mi të dashur, lutiuni Atit me gjithë fuqinë e zemrës suaj, që të mbusheni me këtë dashuri që ai ua jep të gjithë atyre që janë pasues të vërtetë të Birit të tij Jezu Krisht; që ju të mund të bëheni bijtë e Perëndisë; që kur ai të shfaqet, ne të jemi si ai, pasi ne do ta shohim atë ashtu sikurse është … .”[6]

Lutem që të mund të jemi përherë të aftë ta arrijmë faljen në jetën tonë; nëse e arrijmë, ne do të jemi më të ngjashëm me Shpëtimtarin dhe do të bëhemi dishepujt e Tij të vërtetë.

 


[1] Gjoni 14:27

[2] Falja, Konferenca e Përgjithshme, Tetor 2005

[3] Numrat 21:5–9

[4] Alma 33: 20

[5] DeB 64:9–10

[6] Moroni 7:47–48