Mesazhi i Udhëheqjes Zonale

“Këndvështrimi i Përjetshëm”

Eternal Perspective
Elder Sabin
Plaku Geri B. Sebin President i Zonës së Europës

Shumë vite më parë, ndërkohë që shërbeja si president kunji, një motër e dashur erdhi në zyrën time e përlotur. Ajo kishte shërbyer në mision, ishte martuar në tempull dhe kishte shërbyer besnikërisht në thirrjet e saj. Zjarre masive të tmerrshme sapo kishin filluar të ndizeshin rreth zonës sonë dhe shumë shtëpi në kunjin tonë u shkatërruan përfshirë edhe shtëpinë e saj. Ajo që e bëri edhe më keq situatën ishte se shtëpia e saj qe një godinë e licencuar kujdesi për të moshuar dhe ishte burimi i tyre parësor i të ardhurave. Gjithsecili u largua i sigurt, por zotërimet materiale të familjes dhe të fëmijërisë së saj u shkatërruan. Ajo tha me dënesë: “Përse na ndodhi kjo? Ne i kemi mbajtur besëlidhjet tona!”

Unë bëra një lutje në heshtje dhe pastaj i vura përpara një fletë të bardhë letre në tryezë. Më pas vendosa në mes të fletës një pikë sa maja e një gjilpëre dhe i thashë: “Kjo pikë përfaqëson jetën në vdekshmëri. Le të themi se fleta përfaqëson përjetësinë dhe zgjatet përgjithmonë në çdo drejtim. Më vjen shumë keq që të ndodhi kjo, por të lutem mos u verbo nga pika.” Për meritën e kësaj motre, pamja në fytyrën e saj ndryshoi menjëherë, dhe ajo tha me një pëshpëritje lehtësimi: “Ah, e kuptova. Do të shkojë mirë. Faleminderit!”

Zjarret masive që shkatërruan zonën tonë ishin përhapur nga erëra me 129 km në orë. Flakët fshikulluan të gjitha lagjet, duke kapërcyer një shtëpi vetëm për të djegur të tjera në mënyrë rastësore. Plaku Dejll G Renland vuri në dukje: “Të besosh se jeta do të të trajtojë drejt për shkak se je i drejtë, është si të besosh se demi nuk do të të sulet ngaqë je vegjetarian”. Shkrimet e shenjta na kujtojnë se kushtet e pabarabarta janë pjesë e jetës në vdekshmëri: “[Perëndia] bën të bjerë shi mbi të drejtët dhe të padrejtët.”[i]

Realiteti është se peripecitë në jetën në vdekshmëri nganjëherë janë të ashpra, por për shkak të Shpëtimtarit, premtimet e përjetësisë i eklipsojnë madje edhe sprovat tokësore më të errëta. Një këndvështrim i përjetshëm ndryshon gjithçka sapo kuptojmë se “gjithë këto gjëra do të [na] japin përvojë dhe do të jenë për të mirën t[onë]”.[ii]

Plaku Nil A. Maksuell dha këtë përshtypje: “Si mundet që ju dhe unë vërtet të prepresim të rrëshqasim me naivitet në jetë, sikur të thoshim: ‘Zot më jep përvojë, por jo mjerim, jo pikëllim, jo dhembje, jo kundërshtim, jo tradhti dhe sigurisht të mos braktisem. Largoji nga unë, Zot, të gjitha ato përvoja që të bënë Ty Ai që je! Pastaj më lejo të vij dhe të jetoj me Ty dhe të marr plotësisht nga gëzimi Yt!’”

Na nevojitet ta kemi mendjen vendosmërisht të përqendruar tek identiteti ynë i vërtetë dhe te plani i Perëndisë për ne, me qëllim që të mos verbohemi dhe të dalim nga shinat prej vështirësive të pandashme të “pikës” së vdekshmërisë. Ashtu siç tha Plaku Xhon H. Groberg: “Ka një lidhje ndërmjet qiellit dhe tokës. Gjetja e asaj lidhjeje i jep kuptim gjithçkaje, përfshirë vdekjen. Mosgjetja e saj e bën gjithçka të pakuptimtë, përfshirë jetën.”

Pasja e një këndvështrimi të përjetshëm na ndihmon të kuptojmë se çfarë ka vërtet rëndësi. Do të tregohemi me mend po të mbajmë parasysh se mund të marrim vetëm tri gjëra me vete kur të vdesim: marrëdhëniet tona, njohurinë tonë dhe karakterin tonë. Do të ishte shumë dritëshkurtësi të përqendroheshim te gjërat e parëndësishme me çmimin e humbjes të gjërave të rëndësishme, prapseprapë kjo është pikërisht ajo që bën shumica e botës. Jobi shpalli: “I kalojnë në mirëqënie ditët e tyre, pastaj një çast zbresin në Sheol”. [iii]

Apostulli Pal i pohoi premtimet e përjetësisë. “Ato gjëra që syri nuk i ka parë dhe veshi nuk i ka dëgjuar dhe nuk kanë hyrë në zemër të njeriut, janë ato që Perëndia ka përgatitur për ata që e duan atë.”[iv] Do të ishte marrëzi të këmbeje të tilla bekime mahnitëse me proverbialin “tas të supës”.[v] Gjërat që kanë më shumë rëndësi nuk do të mbeten kurrë në mëshirë të gjërave që kanë më pak rëndësi! Teksa sfidat e jetës na vinë përgjatë udhës, lutja ime është që ne të mund të shohim përtej pikës në jetën në vdekshmëri duke parë me një vështrim më të gjerë: duke kuptuar identitetin tonë të përjetshëm, qëllimin e rrugëtimit tonë në vdekshmëri dhe shpresën e fatit të lavdishëm e të përjetshëm që e pret njeriun besnik.

 


[i] Mateu 5:45

[ii] Doktrina e Besëlidhje 122:7

[iii] Jobit 21:13

[iv] 1 Korintasve 2:9

[v] Shih Zanafilla 25:31-34