Gjatë kohës kur isha misionar mësova fillimisht se si ishte ta ndieje Shpirtin e Shenjtë me vetëbesim. Jo se nuk e kisha ndier Shpirtin më parë, por thjesht nuk e dija në të vërtetë se po e ndieja atë. Edhe para se të bashkohesha me Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, i mbaj mend ndjenjat që erdhën në jetën time nga Fryma e Shenjtë. Shpirti u përpoq që të kishte ndikim tek unë nëpërmjet ndjenjave që dukej se lidheshin me udhërrëfyes të tjerë të njohur, të tillë si ndërgjegjja ime. Ndonëse dukeshin të ngjashme, mund të kuptoja se ndjenjat nga Shpirti nuk ishin ndërgjegjja ime por, njësoj si ndërgjegjja ime, ndjenjat nga Shpirti mund të jenë shumë delikate dhe mund të mbyten lehtësisht nga ndjenjat negative.
Me atë pak njohuri sa kisha atëherë për ndjenjat e Shpirtit, mësova që të filloja t’u mirëbesoja atyre kur më vinin. Mbaj mend se ato ndjenja më ndihmuan që të vendosja për t’u bashkuar me Kishën dhe më përkrahën me energji për t’u shërbyer të tjerëve, me kurajë për t’u penduar dhe me emocion teksa mësoja të vërtetën dhe e dalloja mirësinë në jetë. Këto ndjenja më dhanë siguri se ungjilli i Jezu Krishtit më bënte të lumtur në një mënyrë tejet të rëndësishme dhe dëshiroja që ai të ishte pjesë e jetës sime dhe e njerëzve që i doja.
Për shkak se sinqerisht nuk mund t’i përshkruaja ndjenjat e mia kur ‘kraharori [im] … digje[j] përbrenda’ dhe më dukej sikur ndjenjat e brishta në zemrën time nuk kishin të krahasuar me deklaratat plot zjarr e gjithë siguri që i dëgjoja nga shumë shenjtorë në mbledhjet e agjërimit dhe të dëshmive, dola në përfundimin se nuk e kisha bindjen e premtuar se do të vinte nga qielli. Sa më shumë e krahasoja veten me të tjerët, aq më e vogël më dukej se ishte përvoja ime. Edhe pse isha mirënjohës që i kisha këto ndjenja të besueshme udhërrëfyese, nuk kisha zhvilluar vetëbesimin që ato ndjenja të brishta ishin ndjenjat e premtuara të Frymës së Shenjtë.
Kur isha misionar, kam marrë mësime thuajse të përditshme nga të tjerët, jeta e të cilëve ishte e thurur së brendshmi me udhërrëfimin e Shpirtit. Ishte në atë kohë që shkrimet e Palit më sollën qartësi. Kuptova se kur Pali foli për ‘fryti[n e] Frymës’, ai po fliste për pjesën e Shpirtit që përjetojmë ne – fundja, ne e shijojmë frytin. Ai po përpiqej të shprehte se çfarë shije kishin ndjenjat e Shpirtit për të. Ai dha mësim se “ … fryti i Frymës është: dashuria, gëzimi, paqja, durimi, mirëdashja, mirësia, besimi, zemërbutësia, vetëkontrolli …”2. Unë nuk mund ta përshkruaj shijen e një frute duke përdorur një apo dy fjalë. Kështu ndodhi me përshkrimin e Palit për frytin e Frymës; ai përshkroi larminë e “shijeve” që ndijoi kur e ndjeu Shpirtin e Zotit. Ato ishin shije të pranishme edhe në ndjenjat e mia. Kjo më solli siguri të përtërirë, kuptueshmëri dhe vetëbesim. Nëse Pali kishte marrë udhërrëfim nga Shpirti, po ashtu kisha marrë dhe unë!
Përvoja ime me frytin e Frymës mund të ketë ngjyrime të ndryshme shijesh që janë të theksuara për mua, ndryshe nga përvoja që kanë pasur të tjerët, por që të dyja ishin të vlefshme. Unë nuk po ndijoja shije që t’u pëlqenin të tjerëve dhe shijet që përjetonin ata nuk ishin për mua. Secili nga ne shijon gjëra për dobinë dhe drejtimin e vet.
Që nga ajo kohë, jam përpjekur t’i nxit dhe t’i ndjek me kujdes këto ndjenja të gëzueshme udhërrëfyese nga Shpirti. Ato më mbajnë gjithnjë në shtigjet më të lumtura të jetës3. Përvoja ime vërteton se kur duket sikur mezi kemi pasur ndjenja që të na mjaftojnë për të na përgatitur që t’i ndjekim, edhe ato që mezi mjaftojnë janë prapëseprapë mjaftueshëm dhe ne prapëseprapë mund të zgjedhim që t’i ndjekim!
Duke u përpjekur që të sjellim më shumë udhërrëfim hyjnor në jetën tonë, ne mund të rendim pas mbresës zemërdhënëse të Presidentit Nelson se, “asgjë nuk i hap qiejt ashtu si ndërthurja e pastërtisë më të madhe, bindjes së përpiktë, kërkimit të zellshëm, ushqimit me bollëk me fjalët e Krishtit në Librin e Mormonit dhe kohës së vazhdueshme, të zotuar për punën në tempull dhe punën e historisë familjare”.4
Poshtëshënimet:
[1] Doktrina e Besëlidhje 9:8
2 Galatasve 5:22-23
3 Efesianëve 5:9 – Pali kur u mësoi efesianëve pohoi gjithashtu se “… fryti i Frymës konsiston në gjithçka që është mirësi, drejtësi dhe të vërtetë”.
4 ‘Zbulesë për Kishën, Zbulesë për Jetën Tonë’ – Presidenti Rasëll M. Nelson, Konferenca e Përgjithshme Prill 2018.