Mesazh i Udhëheqjes Zonale

Atëherë Unë do të Bëj që Gjërat e Dobëta, të Bëhen të Forta në Ta

ALM-youth
Elder Pilz
Plaku Volfgang Pilz, i Shtatëdhjetë Zonal

Në rrethinat e qytetit ku u rrita, kishte pyje të bukur të cilët ende sot i ngjajnë pamjes së pyllit romantik gjerman. Këto pyje ishin zanafilla e historive dhe tregimeve të mistershme që nga kohët e lashta. Pranë një grope uji të vetmuar, të njohur si Burimi i Sigfridit, mendohet të ketë ndodhur një ngjarje e cila ende lidhet me botën mitologjike të Europës qendrore dhe veriore.

Heroi ynë quhet Sigfrid, i njohur në vendet e veriut si Sigurd.

Ky i ri përshkruhet si guximtar, i fortë dhe aventurier. Fama e tij u rrit edhe më shumë kur e mundi një dragua me shpatën e tij. Pas kësaj ai u la me gjakun e përbindëshit të vrarë me qëllim që të bëhej i pacenueshëm. Fatkeqësisht, në atë çast, një gjethe bliri i ra në kurriz, prandaj një pjesë trupi mbeti e pambuluar.

Kjo pjesë trupi e pambuluar më vonë do të vërtetohej si shkatërrimi i tij. Sigfridi u ngatërrua në një intrigë midis dy mbretëreshave dhe si rrjedhojë u vra në një pritë. Gjatë gjuetisë, ai u vra me një shtizë që e kishte marrë në shenjë, të hedhur nga një tradhtar i cili ia dinte pikën e dobët, ndërkohë që ai po përkulej përtokë që të pinte nga burimi.

Guximi i Sigfridit bazohej te ndjenja e tij e pacenueshmërisë, por ai kishte një pikë të dobët të cilën armiku i tij e dinte dhe e shfrytëzoi.

Ne shumë shpesh ndihemi të sigurt dhe të pacenueshëm në vetëbesimin tonë të tepruar. Por nëse nuk i dallojmë dobësitë tona dhe nuk i kthejmë ato në anë të forta, edhe neve mund të na vënë përfund.

Ju ftoj ta ndiqni këshillën e Moronit kur ai na nxit t’ia çojmë dobësitë tona Zotit:

“Dhe në qoftë se njerëzit vijnë tek unë, unë do t’u tregoj atyre dobësinë e tyre. … [P]asi në qoftë se ata përulen para meje dhe kanë besim tek unë, atëherë unë do të bëj që gjërat e dobëta, të bëhen të forta në ta.1

Individualizmi vetjak, një tipar jotërheqës, prirja jonë për të marrë flakë, për t’u nxitur lehtësisht nga zemërimi, të menduarit dhe të folurit keq për të tjerët, gëzimi nga fatkeqësia e të tjerëve, gjykimi i padrejtë ose i dëmshëm – të gjitha këto na bëjnë të cenueshëm dhe të pambrojtur nga sulmet. Ne shpesh mbartim me vete tipare karakteristike të cilat na u ngulitën në rininë tonë dhe me të cilat nuk kemi punuar kurrë. Nganjëherë ato janë pasojë e përvojave nga fëmijëria ose rinia jonë, për të cilat ne vetë nuk ishim përgjegjës. Cilado qoftë arsyeja, ne do të bënim mirë t’ia çonim këto dobësi Zotit. Ai mund të na shërojë. Ai pret që ne të vendosim një sakrificë mbi altar – jo një flijim si në kohët e lashta, por një zemër të thyer dhe një shpirt të penduar.

Fjalët e mbretit David tregojnë se njerëzit në kohët e lashta gjithashtu e dinin se vetëm djegia e blatimeve nuk ishte e mjaftueshme: “Flijimet e Perëndisë janë frymë e thyer; … [një] zem[ër] e thyer dhe [e] penduar”2.

Zoti i ringjallur e përsëriti këtë urdhër në Botën e Re menjëherë pasi kishte shpallur heqjen e ofertave me djegie: “Dhe ju do të më ofroni për fli një zemër të thyer dhe një shpirt të penduar. Dhe kushdo që vjen tek unë me një zemër të thyer dhe një shpirt të penduar, atë do ta pagëzoj me zjarr dhe me Frymën e Shenjtë ….”3

Në këtë kohë që do të shfaqet ky artikull, ka konferenca në të gjithë Europën të quajtura ‘Për Forcën e Rinisë’ (shkurt FSY). Këto konferenca nuk janë thjesht ngjarje argëtuese, por kanë për qëllim t’i mësojnë rinisë sonë se si të përgatitet për udhërrëfim hyjnor. Me qëllim që të rinjtë të mund t’i marrin konferencës në shtëpi gjërat që u mësohen, ata u japin mësim të rinjve se si të ndjekin një kod sjelljeje gjatë konferencës, i cili do të pasqyrohet në sjelljen e tyre dhe madje në pamjen e tyre të jashtme. Ata zbulojnë se ku janë pikat e tyre të dobëta vetjake, me qëllim që të jenë në gjendje ta mbrojnë vetveten me efektshmëri nga shigjetat e kundërshtarit. Më pas, ata kthehen në shtëpi me një dëshirë për ta veshur armatimin e plotë të Perëndisë që asnjë vend në trupin e tyre shpirtëror të mos mbetet i pambrojtur në të ardhmen.

U gëzofshim nga forca e “rinisë së Sionit”, e cila qëndron e patundur në mes të rrymave të trazuara të kohës sonë!


1 Ethëri 12:27

2 Psalmeve 51:17

3 3 Nefi 9:20