Mesazh i Udhëheqjes Zonale

Dhënia e Shërbesës me Dashuri

Elder Turvey
Elder Turvey
Plaku Martin J. Tërvi Mbretëria e Bashkuar, I Shtatëdhjetë Zonal

Para disa vjetësh, biri ynë i cili ishte katër vjeç në atë kohë u përfshi në një aksident të rëndë rrugor larg shtëpisë. Pas gati një jave në spital ai qe në gjendje të transferohej 320 kilometra në spitalin tonë vendor. Kur mbërritëm në shtëpi, kishte një pusullë poshtë derës nga një motër shërbestare e dashur dhe përkujdesëse, me hollësitë se kush do t’i merrte katër fëmijët tanë të tjerë nga shkolla, kush do t’i siguronte vaktet e ushqimit dhe kush do t’i lante rrobat tona. Gjatë pesë javëve në vazhdim që biri ynë qëndroi në spital, bashkëshortja ime solli në jetë birin tonë më të vogël. Me njërin bir në njërin skaj të spitalit, një bashkëshorte dhe një foshnjë të porsalindur në skajin tjetër, katër fëmijë për t’u kujdesur dhe duke bërë një punë me kohë të plotë, ne nuk do t’ia kishim dalë mbanë pa ndihmën domethënëse që na u dha nga bashkanëtarët tanë të lagjes. Sa mirënjohës ishim për shërbesën e tyre vetëmohuese. Ne e dimë se pyetja e zakonshme ‘A mund t’ju ndihmojmë me ndonjë gjë?’ bëhet gjithmonë me çiltërsi, por kjo motër e mrekullueshme dhe e kujdesshme dha më tepër nga vetja, i parashikoi nevojat tona dhe dha shërbesë sipas nevojës.

Te Lluka 4:18, Shpëtimtari lexon profecinë e Isaias rreth vetë ardhjes së Tij dhe misionit të Tij këtu në tokë. Aty thuhet: “Fryma e Zotit është mbi mua, sepse ai më vajosi për të ungjillizuar të varfërit; ai më dërgoi për të shëruar ata që e kanë zemrën të thyer, për të shpallur çlirimin e të burgosurve dhe kthimin e të parit të verbërve, për të çliruar përsëri të shtypurit” (Shih Isaia 61:1).

Në shoqërinë tonë sot, ka shumë njerëz që e kanë zemrën të thyer, të cilët janë drejt prishjes së marrëdhënieve familjare ose me sfida të tjera. Ka shumë që janë të burgosur ndaj varësive, depresionit ose shkurajimit. Ka shumë që janë të verbër, veçanërisht ndaj të vërtetave paqësore të ungjillit të Jezu Krishtit. Dhe shumë janë të vrarë nga zhgënjimet e jetës.

Tek 3 Nefi 18:32 lexojmë: “Megjithatë, ju nuk duhet ta dëboni nga sinagogat tuaja ose nga vendet tuaja të adhurimit, pasi të tillëve ju duhet të vazhdoni t’u shërbeni; pasi ju nuk e dini në qoftë se ata do të kthehen dhe pendohen dhe vijnë tek unë me qëllim të plotë të zemrës, dhe unë do t’i shëroj ; dhe ju do të jeni mjetet që do t’u sjellin shpëtim atyre”.

A mund të përfytyroni një bekim më emocionues se sa të punoni në bashkëpunim me Shpëtimtarin për të shëruar vuajtjet e njerëzve përreth nesh dhe për të qenë një mjet për shpëtimin e tyre?

Disa kohë më parë, shkova të vizitoja tim bir që po studionte në Reksburg të Ajdahos. Ai, bashkëshortja e tij dhe unë dolëm për darkë në një restorant ku njerëzit qëndrojnë në radhë për të marrë shërbimin. Ishte plot me studentë, të emocionuar për diplomimin dhe fundin e semestrit. Vura re një zonjushë që hyri e vetme, e cila dukej disi e vetmuar dhe e bezdisur nga zhurma dhe veprimtaritë rreth saj. Pata nxitjen që ta ftoja të ulej me ne. Pasi e mori ushqimin, ajo eci duke kaluar pranë nesh dhe shkoi të ulej te një tryezë e vetme. Në atë çast, mendova: ‘Oh, ajo do të mendojë se jam i çuditshëm po ta ftoj që të ulet me ne’, dhe e lashë nxitjen të kalonte. Mbaj mend që të nesërmen u zgjova rreth orës 2:30 të mëngjesit duke menduar: ‘Po sikur të kishte pasur vërtet nevojë për ndihmën dhe miqësinë tonë?’ U ngrita nga shtrati, u ula në gjunjë dhe u luta që dikush tjetër të mund ta ndihmonte atë, aty ku kisha dështuar unë. Në atë kohë vendosa gjithashtu se do të përpiqesha që kurrë të mos e lija atë lloj nxitjeje apo mundësie për të lartësuar një tjetër, që të më kalonte sërish.

E ftoj secilin prej nesh t’i shtrijë dorën e ndihmës të tjerëve sa herë që i vjen mundësia, të lartësojë, të forcojë dhe të japë shërbesë me dashuri. Kur e bëjmë këtë, ne e përmbushim besëlidhjen e shenjtë që bëmë në pagëzim, që të qëndrojmë si dëshmitarët e Tij dhe të jemi duart e Tij për shërimin e njerëzve në nevojë.