Posolstvo pre európskych lídrov, občanov a ľudí dobrej vôle

Globe
Predsedníctvo územia Európa Cirkvi Ježiša Krista Svätých neskorších dní

Po përjetojmë kohë sfiduese. Pandemia nga virusi COVID-19 e ka ndryshuar rutinën tonë vetjake, familjare dhe të punës. Mijëra njerëz kanë humbur jetën dhe ne kemi keqardhje e lutemi për familjet që janë prekur.

E drejta e përdorimit për gjëra të cilat i kemi marrë si të mirëqena, të tilla si shërbimet bazë, shëndetësia, arsimi, zbavitjet dhe madje liria e lëvizjes, tani po kufizohen nga rregullore dhe masa sigurie të hartuara për të na mbrojtur të gjithëve dhe për ta zvogëluar rrezikun e ngjitjes së sëmundjes. Po sfidohen ekonomitë e vendeve në mbarë Bashkimin Europian dhe më tej. Teksa sipërmarrjet, të mëdha e të vogla, po vuajnë nga pasojat zinxhir, shumë njerëz po e humbasin punën ose po përjetojnë shkurtime në rrogë. Nuk mund t’i nënvlerësojmë pasojat në jetën e individëve dhe familjeve europiane, sidomos të atyre me fëmijë të vegjël.

Megjithatë, në mes të krizës, po dëshmojmë edhe shumë gjëra të mrekullueshme: njerëz që po i shkojnë në ndihmë njëri‑tjetrit, duke gjetur lidhje të reja brenda komuniteteve ku jetojnë, apo duke shfrytëzuar fuqinë e teknologjisë moderne për të dhënë ngushëllim dhe për t’u shprehur dashuri njerëzve të tjerë shumë larg ose ndoshta në shtëpinë ngjitur. Shumë njerëz po e shfrytëzojnë këtë periudhë izolimi dhe analize të vetvetes për të forcuar marrëdhëniet familjare, për të reflektuar mbi qëllimet e vërteta të jetës dhe për t’u zotuar sërish ndaj synimeve vetjake, profesionale apo shpirtërore.

Teksa kalojmë përmes këtyre kohëve të pasigurta, u shprehim mirënjohjen tonë dhe lutemi për profesionistët e kujdesit shëndetësor dhe për personelin në vijë të parë që punon pa u lodhur për sigurinë tonë kolektive; për ata që garantojnë të drejtën e përdorimit për shërbimet dhe furnizimet bazë; për familjet në mbarë Europën që po i mbrojnë dhe po i përkrahin fëmijët e tyre; për vullnetarët, OJQ‑të, apo qytetarët e thjeshtë që ndihmojnë njerëzit në nevojë, të tillë si të moshuarit, të pastrehët, refugjatët, apo cilindo që mund të ketë nevojë për ndihmë; për udhëheqësit e BE‑së dhe të qeverive, që të mund të marrin vendime të guximshme dhe të frymëzuara për të vënë në zbatim masat e përshtatshme për ta luftuar pandeminë dhe për të përkrahur ekonomitë për shtetet anëtare; në fund, për të gjithë qytetarët e përgjegjshëm që me durim i ndjekin orientimet e nxjerra nga qeveritë lidhur me shëndetin dhe sigurinë për ta frenuar përhapjen e virusit dhe për t’i mbrojtur më të cenueshmit.

Si njerëz me besim, ne gjejmë ngushëllim të jashtëzakonshëm te dija se Ati ynë në Qiell është përfundimisht në timon. Profetin Jozef Smith, themeluesin e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, e mbyllën padrejtësisht në burgun e Libertisë. Atë e keqtrajtuan tmerrësisht, megjithatë ai shkroi: “Si rrjedhim, vëllezër shumë të dashur, le të bëjmë me gëzim të gjitha gjërat që janë në fuqinë tonë; dhe atëherë qëndrofshim të patundur, me sigurinë më të madhe, për të parë shpëtimin e Perëndisë dhe që krahu i tij të zbulohet” (DeB 123:17).

Ne nuk mund të kontrollojmë gjithçka, siç tregohet me fakte nga ky virus, por mund t’i bëjmë me gëzim gjërat që janë brenda fuqisë sonë. Atëherë ne mund të pretendojmë premtimet e qiellit teksa qëndrojmë të patundur dhe e shohim krahun e Zotit që të zbulohet.

Jemi së bashku në këtë udhëtim! Ju lutemi, jini në dijeni të vlerësimit tonë të thellë për ju.

 

Geri B. Sebin, President

Masimo De Feo, Këshilltar i Parë

Erik W. Kopishke, Këshilltar i Dytë

Presidenca e Zonës së Europës e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme