Mësoni mbi Një Mënyrë se si Shenjtorët e Ditëve të Mëvonshme Kalojnë Kohë me Familjet e Tyre

Mbrëmja Familjare: Një Traditë e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme

Latter-day-Saint-family-home-evening
Familjet shenjtore të ditëve të mëvonshme kalojnë kohë së bashku gjatë një mbrëmjeje familjare të përjavshme.
family-home-evening

Anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, besojnë se Perëndia na dha familje për të na ndihmuar të bëhemi njerëzit që Ai dëshiron që të jemi. Ata besojnë se familja shugurohet nga Perëndia dhe se, edhe pasi të vdesim, Perëndia dëshiron që ne të jemi së bashku me familjet tona në qiell. Pra nuk është çudi që shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë se koha me familjen duhet të jetë një përparësi këtu në tokë!

Çfarë është mbrëmja familjare?

Shenjtorëve të ditëve të mëvonshme u jepet këshillë që të lënë mënjanë kohë një mbrëmje çdo javë që të mësojnë e të luajnë së bashku si familje. Kjo kohë quhet mbrëmje familjare. Mbrëmja familjare është një traditë e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme që ekziston prej më shumë se një shekulli (shih “100 Vite Mbrëmje Familjare”, Liahona, prill 2015, f. 80). Mbrëmja familjare zakonisht zhvillohet mbrëmjeve të të hënave, por mund të mbahet në cilëndo mbrëmje të javës.

family-home-evening

Çfarë bëjnë familjet shenjtore të ditëve të mëvonshme gjatë mbrëmjes familjare?

Mbrëmja familjare është një kohë për të forcuar lidhjet mes pjesëtarëve të familjes. Është koha që familjet të afrohen më shumë së bashku. Veprimtaritë e mbrëmjes familjare mund të jenë aq të thjeshta ose aq të strukturuara sa të dëshirojë familja. Ajo çfarë është më e rëndësishmja është kalimi i kohës së bashku duke bërë diçka zbavitëse. Gjatë mbrëmjes familjare, shumë familje shenjtore të ditëve të mëvonshme kënaqen duke luajtur me lojëra, duke marrë pjesë së bashku në veprimtari sportive, duke kënduar, duke u shërbyer të tjerëve, duke ngrënë gostitje dhe duke treguar talentet. Shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë se mbajtja e mbrëmjes familjare mund të sjellë në shtëpi ndjenja paqeje, uniteti dhe dashurie.

Anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme janë të krishterë dhe besojnë gjithashtu se koha e mbrëmjes familjare është një kohë që prindërit t’u mësojnë fëmijëve të tyre mbi ungjillin e Jezu Krishtit. Shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë në mësimin e Biblës që prindërit duhet t’i rritin fëmijët e tyre “në disiplinë dhe në këshillë të Zotit” (shih Efesianëve 6:4). Shkrimi tjetër i shenjtë i shenjtorëve të ditëve të mëvonshme jep mësim se prindërit duhet “t’i mësojnë fëmijët e tyre të luten dhe të ecin drejt përpara Zotit” (shih DeB 68:28). Në përputhje me këtë, shumë familje shenjtore të ditëve të mëvonshme i fillojnë dhe i përfundojnë me lutje mbrëmjet familjare. Gjatë mbrëmjes familjare, familjet gjithashtu e studiojnë së bashku fjalën e Perëndisë dhe diskutojnë pyetje apo shqetësime që pjesëtarët e familjes mund të kenë rreth temave të ungjillit.

Si mund të mësoj rreth planit të Perëndisë për familjen time?

A jeni kureshtar që të mësoni më shumë mbi bindjet e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme për familjet dhe atë që Perëndia dëshiron për familjen tënde? Për të mësuar më shumë mbi planin e Perëndisë për familjet, vizitoni ejanitekrishti.org.