Profeti Publikon një Mesazh për Fuqinë Shëruese të Mirënjohjes

Rasëll M. Nelsoni, udhëheqësi i një besimi fetar mbarëbotëror dhe presidenti i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, ka një mesazh të ri shprese, shërimi dhe uniteti për të na ndihmuar që të dalim jashtë nga thellësitë e virusit COVID‑19 dhe të zhdukim plagë të tjera të tilla si urrejtja dhe mungesa e qytetarisë.

Profeti ka bërë një lutje mirënjohjeje për botën dhe për çdo njeri në të. Gjithashtu ai e ka ftuar çdo njeri, në çdo vend, të bëjë dy gjëra të rëndësishme për të ndihmuar që të shërohen marrëdhëniet dhe komunitetet tona të përçara:

  1. Shndërrojini mediat shoqërore në ditarin tuaj vetjak të mirënjohjes për shtatë ditë

  2. Bëni një lutje falënderimesh

Shkarkoni këtë material filmik

Duke shprehur mirënjohjen e tij vetjake për shkencëtarët dhe studiuesit shkencorë, të cilët po zhvillojnë një vaksinë për virusin COVID‑19, profeti (një ish‑kirurg kardiovaskular dhe torakal nismëtar në ato fusha) na kujton se “nuk ka mjekim apo operacion që mund t’i rregullojë mjerimet dhe sëmundjet e shumta shpirtërore që hasim” si një shoqëri e përbashkët mbarëbotërore. Këto përfshijnë veset e urrejtjes, trazirës, dhunës raciale, pandershmërisë dhe mungesës së qytetarisë. “Gjithsesi, ka një shërim – një që mund të duket befasues – ngaqë është në kundërshtim me intuitën tonë natyrore”, tha Presidenti Nelson. “Megjithatë, efektet e tij janë vërtetuar nga shkencëtarët, si edhe nga burra dhe gra të besimit. Po i referohem fuqisë shëruese të mirënjohjes.”

Shkoni te GiveThanks.ChurchofJesusChrist.org për të lexuar dhe parë mesazhin filmik të profetit në 31 gjuhë. Teksa ndodheni atje, ju mund të lexoni edhe rrëfimin vetjak të Presidentit Nelson lidhur me kohën dhe mënyrën si e mori frymëzimin për të bërë këtë lutje mbarëbotërore të mirënjohjes.