Është në Dispozicion Tani Vëllimi i Ri i Historisë së Kishës 

Te Libri Shenjtorët, Vëllimi i 2-të, Përfshihen Histori të Të Kthyerve në Besim Guximtarë Europianë

Vëllimi i dytë i serisë Shenjtorët: Historia e Kishës së Jezu Krishtit në Ditët e Mëvonshme tani është në dispozicion për t’u shkarkuar falas te pjesa Church History [Historia e Kishës] në programin Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]. Seria Shenjtorët është ndryshe nga historitë zyrtare të Kishës në të shkuarën. Çdo vëllim fillon me kërkime të përpikta dhe burime origjinale, të cilat më pas thuren bashkë nga historianë e shkrimtarë duke përdorur teknika të tregimit popullor të historive.

Vëllimi 1 shiti gjysmë milioni kopje të shtypura dhe ka një milion shikime elektronike që kur doli në vitin 2018. Historia me stil tregimtar tregon ngjarjen e rivendosjes së Kishës së Jezu Krishtit, duke filluar nga viti 1815 me fëmijërinë e Jozef Smithit. Vëllimi 1 mbyllet në vitin 1846 kur anëtarët e hershëm të Kishës detyrohen të largohen nga komuniteti dhe tempulli i tyre në Navu, Ilinois.

Vëllimi 2, No Unhallowed Hand [Asnjë Dorë e Pashenjtëruar] 1846–1893, i vazhdon ngjarjet atje ku i la Vëllimi 1. Mijëra anëtarë e ndoqën Brigam Jangun në perëndim drejt Jutës, midis tyre, edhe të kthyer në besim nga vende europiane.

Vëllimi përfshin historinë e Ana Uidsout, një e kthyer në besim norvegjeze, e patrembur, e cila u pagëzua në një fjord të akullt në vitin 1881. Ajo dhe dy bijtë e saj sakrifikuan një jetë të rehatshme për t’u mbledhur me shenjtorët.

“Nëse nuk mund ta lëmë gjithçka, madje jetën tonë nëse kërkohet, nuk jemi dishepuj”, shkroi ajo. Ana kapërceu Oqeanin Atlantik dhe u bë një anëtare e spikatur e komunitetit të saj. I biri, Xhon A. Uidsou, më vonë u bë anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve.

Një i kthyer tjetër në besim që theksohet te Vëllimi 2, është Karl Mezëri. Ai u pagëzua në vitin 1856 dhe bëri një lutje shumë shprehëse pasi doli nga uji.

“Atë, nëse ajo që kam bërë pikërisht tani është e kënaqshme për Ty, më jep një dëshmi dhe çfarëdo që të kërkosh nga duart e mia, unë do ta bëj, madje të jap jetën për këtë kauzë”, tha ai. Gjatë rrugës për në shtëpi pas pagëzimit të tij, Karli (i cili fliste vetëm gjermanisht) qe në gjendje të bisedonte në mënyrë çudibërëse me Presidentin e Misionit të Europës, Frenklin D. Riçardsin – i cili fliste vetëm anglisht. Karli e citoi atë përvojë si përgjigje ndaj lutjes së tij. Vite më vonë, Karli imigroi me sukses drejt Jutës dhe ndihmoi të themelohej ai që do të bëhej Universiteti “Brigam Jang”.

Vëllimi 2 përfshin histori të shumta frymëzuese sakrificash të të kthyerve në besim nga e gjithë bota. Ai gjithashtu eksploron ngjarje të rëndësishme dhe nganjëherë të diskutueshme, përfshirë sprova e mrekulli përgjatë shtegut të pionierëve, vendosjen në Jutë, marrëdhëniet e ndërlikuar me qeverinë e Shteteve të Bashkuara dhe fiset e amerikanëve vendës, praktikën e martesës me shumë gra, zbulesën për t’i dhënë fund kësaj praktike e shumë të tjera. Lexuesit e serisë Shenjtorët mund të ndjekin poshtëshënimet për të lexuar dokumentet origjinale burimore që qëndrojnë prapa historive dhe të arrijnë në përfundime të informuara rreth këtyre ngjarjeve.

Vëllimet e fundit të serisë Shenjtorët do të botohen në disa vite të ardhshme. Vëllimi 3 do të përqendrohet te rritja globale e Kishës dhe do të mbyllet me përkushtimin e tempullit në Bernë të Zvicrës, në vitin 1955. Vëllimi 4 do t’i kthejë lexuesit në të shkuarën e afërt, duke përcjellë sfidat e vazhdueshme të rritjes së anëtarësisë dhe pasjes së tempujve të vendosur në mbarë botën. Vëllimet janë synuar që ta sjellin në jetë me saktësi historinë e Kishës dhe t’i frymëzojnë anëtarët që ta vazhdojnë trashëgiminë e besimit.

Plaku Kuentin L. Kuk, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, kryeson Sektorin e Historisë së Kishës. Ai u mallëngjye e lotoi katër herë teksa lexonte 100 faqet e para të librit.

“Do të shpresoja që rrjedhoja përfundimtare e [leximit të serisë Shenjtorët] të ishte një vlerësim i thellë për paraardhësit tanë dhe për sakrificat e mundimet që kaluan ata”, tha ai. Ai shtoi se shpreson që një mirënjohje e tillë t’i fuqizojë shenjtorët me “forcë e fuqi për t’i kapërcyer problemet me të cilat përballemi sot”.

Vëllimi 2 është në dispozicion në anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, japonisht, kinezisht, koreanisht, portugalisht, rusisht, samoanisht, sebuanisht, spanjisht, tagalogisht dhe tonganisht.  Numrat e shtypur në këto gjuhë do të jenë në dispozicion brenda pak muajve në store.churchofjesuschrist.org.