Lexojeni Pamfletin e Ri “Myslimanët dhe Shenjtorët e Ditëve të Mëvonshme”

Një Pamflet i Ri Nxit Mirëkuptimin Mes Myslimanëve dhe Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme

Lexojeni Pamfletin e Ri “Myslimanët dhe Shenjtorët e Ditëve të Mëvonshme”

Një pamflet i ri me 35 faqe me titull “Myslimanët dhe Shenjtorët e Ditëve të Mëvonshme: Bindjet, Vlerat dhe Stilet e Jetesës”, është në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org në tetë gjuhë: anglisht, arabisht, frëngjisht, gjermanisht, persisht, spanjisht, turqisht dhe rusisht*. Pamfleti mund të gjendet në këto gjuhë edhe te programi Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] duke shkuar te rubrika “Books and Lessons” [“Librat dhe Mësimet”], duke hapur më pas “Interfaith Relations” [“Marrëdhëniet Ndërfetare”].

p2

Burimi u përmend së pari nga Pleqtë Dejvid A. Bednar dhe Gerit W. Gong, të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, në një konferencë mbi islamin në Universitetin “Brigam Jang” në tetor 2021. Pamfleti i njeh me njëri-tjetrin myslimanët (ndjekësit e islamit) dhe shenjtorët e ditëve të mëvonshme (anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme). Broshura është fryt i viteve punë, përfshirë bashkëpunimin me imamë myslimanë.

“Teksa e morëm përsipër këtë përpjekje me kolegët myslimanë, vumë re sa shumë të përbashkëta ka mes dy besimeve”, tha Plaku Bednar në materialin filmik 30-minutësh që e shoqëron pamfletin. “Për shembull: Si shenjtorët e ditëve të mëvonshme ashtu dhe myslimanët i kanë mbajtur sinqerisht bindjet si besimi në Perëndi, profetët, shkrimet e shenjta dhe vendet e shenjta. Ne kemi vlera të përbashkëta si rëndësia e familjes, dëlirësia dhe ndihma ndaj atyre në nevojë. Stilet e jetesës të ndjekësve të të dyja besimeve përfshijnë praktika të tilla si lutja, agjërimi dhe mbrojtja e shëndetit tonë fizik. Bindjet, vlerat dhe praktikat e përbashkëta në të dyja besimet shtrihen përtej çdo kufiri politik, etnik ose kulturor.”

Ndërkohë që pranohen diferencat midis dy feve, disa pjesë në pamflet ilustrojnë disa nga bindjet e përbashkëta. Për shembull:

  • Perëndia është i gjithëditur dhe i plotfuqishëm. Besimi duhet të shprehet në mendim, fjalë dhe veprim.
  • Profetët janë jetikë për dhënien e udhërrëfimit nga Perëndia.
  • Jezu Krishti luan një rol të rëndësishëm, ndonëse të ndryshëm për të dyja grupet.
  • Zbulesa nga Perëndia e dhënë përmes lajmëtarëve si shkrim i shenjtë është themeli për të mësuar vullnetin e Perëndisë, mbajtjen e zotimeve dhe pjesëmarrjen në adhurim me besnikëri.
  • Qeniet njerëzore duhet të komunikojnë me Perëndinë nëpërmjet lutjes së përditshme.
  • Perëndia kënaqet nga pastërtia dhe dëlirësia.
  • Gratë janë thelbësore në shoqëri dhe në shtëpi.
  • Familja është njësia themelore e shoqërisë dhe një burim thelbësor gëzimi.

Në materialin filmik, Plaku Bednar hedh poshtë disa komente përçmuese dhe deklarime të përgjithësuara që disa shenjtorë të ditëve të mëvonshme kanë bërë rreth ndjekësve të islamit.

“Ne ndihemi keq dhe të përfaqësuar keq kur një reportazh lajmesh vë në dukje që dikush që kreu një krim të rëndë, ishte shenjtor i ditëve të mëvonshme. Ose kur Kisha jonë ngatërrohet me grupe dytësore sjellja e të cilëve është në kundërshtim me tonën”, tha Plaku Bednar. “Në mënyrë të ngjashme, të sugjerosh që të gjithë myslimanët janë të lidhur me krime të rënda këtu në Shtetet e Bashkuara apo gjetkë në botë është po aq e pasaktë dhe fyese për myslimanët. Myslimanët e refuzojnë çdo veprim të tillë, ashtu siç bëjnë shenjtorët e ditëve të mëvonshme. Çdo fe e madhe ka ekstremistë që keqinterpretojnë mësimet e fesë së tyre ose që kërkojnë të bëjnë keq në emër të fesë.”

Gjithashtu në materialin filmik, Apostujt vënë theksin te përpjekjet e Kishës bashkë me myslimanët për ta mbrojtur lirinë fetare për gjithkënd.

“Kur takohemi me udhëheqës myslimanë nëpër botë, flasim rreth mbrojtjes së lirisë fetare”, tha Plaku Gong. “Njerëzit e besimit kanë nevojë të qëndrojnë së bashku për tolerancën dhe dinjitetin e njerëzve të të gjitha bindjeve fetare.”

Plaku Bednar tha se Kisha përpiqet “shumë fort për lirinë fetare jo vetëm për veten tonë, por për të gjithë. Ashtu si disa myslimanë në Shtetet e Bashkuara apo gjetkë në botë, anëtarë të Kishës sonë kanë ndier efektet e përndjekjes dhe të paragjykimit dhe ne bashkohemi me njerëz të mirë kudo për dënimin e veprimeve të tilla.”

*Pamfleti do të jetë në dispozicion në gjermanisht dhe rusisht në një kohë të mëvonshme.