I kam lexuar shumë herë dhe me shumë kënaqësi fragmentet e Librit të Mormonit që tregojnë historinë e Almës tek Ujërat e Mormonit. Alma i fton në një mënyrë të bukur ata që janë mbledhur tek Ujërat e Mormonit, që të pagëzohen.1) Një varg thotë: “Dhe tani, pasi ju dëshironi të hyni në grigjën e Perëndisë dhe të quheni populli i tij dhe jeni të gatshëm të mbani barrat e njëri‑tjetrit, që ato të mund të jenë të lehta”2)…. Për mua kjo gjithmonë kishte nënkuptuar që ne, si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit, ndihmojmë në lehtësimin e barrëve të të tjerëve. Më vonë në librin e Mosias, populli i Almës ra nën robërinë lamanite dhe vuajti shumë nga amulonitët, aq shumë sa ata iu përgjëruan Zotit për ndihmë.3) Zoti iu përgjigj lutjeve të tyre dhe i bëri të lehta barrët e tyre.4)
Për mua, kjo ka qenë gjithmonë një pjesë mbresëlënëse e historisë së popullit të Almës. Në Ungjillin sipas Mateut lexojmë: “Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje. Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj.”5)
Gjithmonë e kisha ditur në teori se Zoti mund t’i lehtësojë barrët e popullit të Tij dhe e kisha parë këtë në praktikë, kur anëtarët e Kishës e ndihmonin njëri‑tjetrin dhe i qëndronin pranë njëri‑tjetrit.
Por kur, pas pesë vitesh sëmundjeje, bashkëshortja ime ndërroi jetë nga kanceri dy vjet më parë, unë përjetova ditët më të zymta dhe orët më të pikëlluara të jetës sime deri në atë pikë. Në ato orë dhe ditë, pjesëtarë të familjes sime dhe anëtarë të Kishës më qëndruan pranë dhe më mbështetën. U jam mirënjohës atyre të gjithëve. Për të shmangur të qenit vetëm në shtëpi, përdorja pothuajse çdo orë të lirë për shërbim në Kishë. Kjo funksionoi mirë për njëfarë kohe, deri një natë të diele, kur u ktheva në shtëpi nga një detyrë për të kryesuar në një konferencë kunji.
Atë natë më pushtoi hidhërimi për humbjen e bashkëshortes sime të dashur, me të cilën kisha qenë i martuar për shumë vite. Gjithashtu shqetësohesha së tepërmi nga frika për të ardhmen, nga të qenit vetëm dhe nga trishtimi e depresioni i thellë. Për 48 orë nuk munda as të punoja, as të haja, as të largohesha nga shtëpia dhe as të bëja ndonjë gjë tjetër. Atëherë, kur u bë e padurueshme, m’u kujtua thënia e Palit: “Perëndia është besnik dhe nuk do të lejojë që t’ju tundojnë përtej fuqive tuaja”6) dhe gjithashtu m’u kthye sërish në mendje shkrimi i shenjtë te Mateu.5) Në dëshpërimin tim, ndjeva se isha pikërisht në atë pikë dhe kisha nevojë për ndihmë. Prandaj rashë në gjunjë dhe bëra një lutje, duke u përgjëruar që barrët e mia të bëheshin të lehta, dhe më pas bëra një lutje të dytë, duke u lutur që, nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, barra ime të mund të largohej prej meje, në mënyrë që të mund të vazhdoja me jetën time. Pas asaj lutjeje të dytë, ndjeva një paqe të madhe që më përfshiu. U zbehën zymtia, hidhërimi dhe dhimbja që më rrethonin. Në vend të zymtisë, mjedisi përreth meje u mbulua nga një dritë plot shkëlqim dhe barrët m’u larguan nga supet. Çaste më vonë, isha në gjendje të përmbushja detyrat dhe caktimet e mia normale dhe e bëra këtë me një lutje mirënjohjeje në zemër. Pasi gjatë gjithë jetës sime përjetova dhe pashë Shlyerjen e Jezu Krishtit duke i pastruar njerëzit nga mëkati dhe kështu duke i shëruar ata, më në fund munda të përjetoja vetë se premtimi i Tij për t’i bërë të lehta barrët tona është edhe një aspekt më shumë i fuqisë shlyese të Shpëtimtarit. Ai jo vetëm që ka vuajtur për mëkatet e botës, por ka mbajtur edhe barrët, dhimbjet dhe vuajtjet tona.7)
Prandaj dëshmoj se e di që fuqia e Shlyerjes së Zotit tonë është e vërtetë dhe se ajo mund të shërojë, të na e heqë barrën dhe t’i sjellë paqe secilit prej nesh. “Nëse jeni të vetmuar, ju lutem dijeni se mund të gjeni ngushëllim. Nëse jeni të shkurajuar, ju lutem dijeni se mund të gjeni shpresë. Nëse jeni të rënë shpirtërisht, ju lutem dijeni se mund të forcoheni. Nëse ndiheni të thyer, ju lutem dijeni se mund të ndreqeni.”7)
1 Mosia 18:8−14
2 Mosia 18:8
3 Mosia 24:12–13
4 Mosia 24:14
5 Mateu 11:28–29
6 1 Korintasve 10:13
7 Broken Things to Mend, Jeffrey R. Holland