Sesioni i Paradites të së Dielës do të Përfshijë një Kuvend Solemn Mbarëbotëror me Thirrjen Hosana

Hero-Image-Saturday-mornng-News-Article

Presidenti Rasëll M. Nelson, i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, njoftoi paraditen e së shtunës, më 4 prill 2020, se një pjesë e sesionit të paradites të së dielës të konferencës së përgjithshme do të shndërrohet në një kuvend solemn mbarëbotëror kur ai t’i udhëheqë shenjtorët në Thirrjen Hosana.

“Ne lutemi që kjo konferencë të jetë e shënuar dhe e paharrueshme për shkak të mesazheve që do të dëgjoni, njoftimeve të pashoqe që do të bëhen, dhe përvojave në të cilat do të ftoheni të merrni pjesë”, tha Presidenti Nelson nga foltorja e sallës së Ndërtesës së Zyrave të Kishës. “Për shembull, në përfundim të sesionit të paradites të së dielës, ne do të mbledhim një kuvend solemn mbarëbotëror ku unë do t’ju udhëheq në Thirrjen e shenjtë Hosana. Lutemi që ky të jetë një çast kulmor shpirtëror për ju teksa ne shprehim njëzëri anekënd botës mirënjohjen tonë të thellë ndaj Perëndisë, Atit, dhe Birit të Tij të Dashur duke i lëvduar Ata në këtë mënyrë të pashoqe.”

Çfarë është një Kuvend Solemn?

Kuvendet solemne janë mbledhje të veçanta, të shenjta, që mbahen për një larmi qëllimesh të shenjta. Për to kërkohet që shenjtorët e ditëve të mëvonshme të sjellin me vete në mbledhje një ndjesi të lartë shpirtshmërie. Këto kuvende kanë përfshirë mbështetjen e presidentëve të rinj të Kishës, përkushtimin e një tempulli apo të një ndërtese tjetër të rëndësishme (të tillë si Qendra e Konferencave), paraqitjen e një shkrimi të shenjtë të ri, udhëzimin e udhëheqësve të priftërisë dhe grumbullime të tjera të veçanta. Qëllimi i posaçëm i kuvendit solemn të paraditës të së dielës, përveç Thirrjes Hosana, do të trajtohet nga Presidenti Nelson gjatë fjalimit të tij.

Çfarë është Thirrja Hosana?

Thirrja Hosana është një mënyrë që shenjtorët e ditëve të mëvonshme t’i japin nderim dhe lavdërim Perëndisë, Atit, dhe Birit të Tij, Jezu Krishtit. Ky është një veprim veçanërisht i spikatur që ndodh teksa Kisha kremton dyqindvjetorin e Vegimit të Parë të Jozef Smithit për Hyjninë.

Thirrja është një simbol i mënyrës se si reagoi turma ndaj Jezusit gjatë hyrjes së Tij ngadhënjimtare në Jerusalem, gjatë javës së fundit të jetës së Tij. “Hosana Birit të Davidit! Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit! Hosana në vendet shumë të larta!”, thotë anali i Dhiatës së Re.

Që nga ceremonia e gurit kulmor të Tempullit të Solt‑Lejkut në vitin 1892, Thirrja Hosana është bërë duke valëvitur një shami të bardhë. “Për këtë përvojë të shenjtë, ne përdorim shami të bardha, të pastra”, shpjegoi Presidenti Nelson paraditen e së shtunës. “Por nëse nuk e keni një të tillë, ju thjesht mund të valëvitni dorën.”

Në përfundim të Thirrjes Hosana, bashkësia do të bashkohet për të kënduar himnin “Shpirti i Per’ndis’”, pikërisht siç u bë në përkushtimin e Tempullit të Kirtlandit.