Mesazh nga Udhëheqja Zonale

Kur Qielli Duket i Heshtur

Nganjëherë flasim për Shlyerjen vetëm në kuptimin e faljes dhe Shlyerja është kjo gjë − plot lavdi. Por Shlyerja është gjithashtu fuqi aftësuese: fuqi për të duruar, për t’u ngritur, për të këmbëngulur dhe për ta provuar përsëri.

image
Plaku Samuel Lopez I Shtatëdhjetë Zonal, Zona e Europës Qendrore

Ndonjëherë i lutemi Zotit për një përgjigje të veçantë … dhe ajo nuk vjen siç e prisnim, ose duket sikur nuk vjen kurrë.

Ka çaste kur qielli duket i heshtur. Dhe ajo heshtje mund të bëhet e vështirë, një barrë, veçanërisht kur forca jonë na lë në baltë.

Gjatë një detyre, unë hëngra një vakt me të rinj e të reja të mrekullueshme në moshë madhore që po përgatiteshin të drejtonin FSY‑në, dhe mora një mësim që vërtet nuk do ta harroj.

Një i ri me dhunti për muzikën më tha se ai nganjëherë i kërkon Zotit udhërrëfim dhe nuk gjen përgjigje të qartë. Prandaj, edhe me pasiguri, ai shkon përpara me besim, duke u përpjekur të bëjë më të mirën që mundet. Ato “heshtje qiellore” mund të jenë të vështira; mund të ndihemi të humbur ose të mendojmë se Perëndia nuk po dëgjon.

Ai vazhdoi duke thënë se një ditë kuptoi diçka: në muzikë, pauzat nuk janë një gabim; ato janë pjesë e muzikës. Ato i japin formë dhe kuptim pjesës muzikore. Pa pauza, nuk ka frymëmarrje dhe nuk ka formë; pa to, nuk ka melodi. Dhe ai ndjeu se në “muzikën” e Zotit disa heshtje kanë gjithashtu qëllim: ato përfshihen në një vepër më të madhe.

Vetë Zoti na mëson se mënyra e Tij e të folurit nuk është gjithmonë dramatike. Në përvojën e Elias, mësojmë se Zoti nuk ishte në erën e fortë, as në tërmet, as në zjarr, por në një zë të ulët e të qetë1). Ndonjëherë ka madje një pauzë. Dhe në atë hapësirë, Zoti mund të jetë duke i dhënë formë diçkaje brenda nesh: përulësisë, durimit, besimit.

Por heshtja nuk do të thotë se jemi të braktisur.

Tek Isaia lexojmë: “Unë nuk do të [të] harroj. … Të kam gdhendur mbi pëllëmbët e duarve të mia.”2) Dhe te Hebrenjve Zoti pohon: “[Kurrë] nuk do të të lë, nuk do të të braktis”3). Perëndia nuk i do njerëzit “në përgjithësi”. Ai i do fëmijët e Tij një nga një dhe Ai i di hollësitë e jetës sonë dhe dëshirat e shpirtrave tanë.

Kjo është arsyeja përse Libri i Mormonit flet për “mëshirat e dhembshura të Zotit”4). Ato janë kujtesa të vogla, por të vërteta, që Zoti i dërgon për të thënë: “Unë jam këtu”. Ndonjëherë ato nuk vijnë si një zgjidhje e menjëhershme, por si përkrahje: një pohim, dritë që e ndez përsëri shpresën

image

Një person shumë i veçantë për mua më tregoi një përvojë të kohëve të fundit. Pas një kohe të gjatë “heshtjesh qiellore”, mbajtja tek besimi ishte bërë e vështirë. Një të diel, ajo nuk donte të shkonte në kishë, por zgjodhi të ndiqte zërin e saj të brendshëm dhe të bënte një hap: të ishte e pranishme, edhe nëse besimi i saj qe “i vogël”.

Dhe atje, në diçka të thjeshtë dhe pothuajse të zakonshme, Zoti i dha një mëshirë të dhembshur. Ajo vështroi një të ri me sfida të mëdha që shpërndante sakramentin, i ndihmuar nga kujdesi dhe dashuria e pakushtëzuar e babait të tij. Asgjë e mahnitshme. Asgjë e madhe. Por ishte një mesazh i qartë dhe vetjak, sikur qielli i foli asaj në “gjuhën e saj shpirtërore” për t’i thënë: “Unë jam këtu. Të shoh. E di se si ndihesh. Të dua.”

Kjo është çështja qendrore: ato mëshira të dhembshura nuk janë rastësi. Ato janë shenja të dashurisë, të bëra të mundura nëpërmjet Shlyerjes së Shpëtimtarit Jezu Krisht.

Nganjëherë flasim për Shlyerjen vetëm në kuptimin e faljes dhe Shlyerja është kjo gjë − plot lavdi. Por Shlyerja është gjithashtu fuqi aftësuese: fuqi për të duruar, për t’u ngritur, për të këmbëngulur dhe për ta provuar përsëri.

Alma e dha mësim qartë këtë gjë: Shpëtimtari mori mbi Veten e Tij “dhimbje … hidhërime dhe tundime” kështu që Ai do të “di[nte], sipas mishit, se si ta ndihmo[nte] popullin e tij”5). Ndihma është tani, në çastin e duhur, në mënyrën e veçantë që Ai e di se kemi nevojë. Zoti nuk e heq gjithmonë barrën menjëherë, por Ai vërtet premton: “Unë do t’ju lehtësoj … barrat … që ju të dini … se unë … i vizitoj njerëzit e mi në pikëllimet e tyre”6).

Nëse po jetoni një heshtje qiellore dhe po prisni një përgjigje që nuk vjen me qartësi, mos u dorëzoni. Mos e ngatërroni një pauzë me një mungesë.

Nganjëherë heshtja është pjesë e muzikës së Zotit. Dhe, edhe atëherë, Ai vazhdon të shkruajë mëshira në hollësitë, disa prej tyre kaq vetjake sa vetëm zemrat tona i kuptojnë. Dhe kjo nuk i bën ato më pak reale; i bën më të shenjta.

Sepse Shpëtimtari Jezu Krisht nuk e kufizon Veten vetëm tek e folura. Ai ndihmon. Ai mbështet. Ai qëndron me ne.

Unë dëshmoj se Shlyerja e Tij është reale dhe e mjaftueshme, jo vetëm për të na pastruar, por edhe për të na forcuar kur nuk na ka mbetur më forcë. E di se Ati Qiellor nuk i harron fëmijët e Tij. E di se Ai është në hollësitë. Dhe unë e di nga përvojat vetjake se, edhe kur qielli duket i heshtur, Shpëtimtari është akoma duke vepruar, ndonjëherë në një gjuhë kaq personale sa vetëm ne e kuptojmë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.


Poshtëshënimet

  1. Shihni te 1 Mbretërve 19:11–13
  2. Isaia 49:15–16
  3. Hebrenjve 13:5
  4. 1 Nefi 1:20
  5. Alma 7:11–12
  6. Mosia 24:14–15