Kur Dashuria Bëhet e Dukshme

Qyteti i Barcelonës u gjallërua sot nga vënia në funksionim e Makinerive të para të Dhurimit në Spanjë, makineri blerjeje në ngjyrë të kuqe të ndezur që shpërndajnë dhembshuri në vend të produkteve.

Të vendosura në qendrën tregtare Westfield La Maquinista, makineritë u ofruan blerësve një mënyrë të thjeshtë për të sjellë një ndryshim, duke shtypur një buton çdo herë. Festimi i asaj dite tërhoqi familjet, median dhe udhëheqës të komunitetit, të cilët u mblodhën për të dëshmuar fillimin e një tradite të re festive në qytet.

Plaku Ruben V. Alliod, President në Presidencën e Zonës së Europës Qendrore të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, tha: “Për Krishtlindje, ne kremtojmë dashurinë e Jezu Krishtit dhe sot, ajo dashuri u bë e dukshme nëpërmjet çdo akti dhurimi”.

Makineritë e Dhurimit janë pjesë e nismës mbarëbotërore të Kishës “Ndriçoje Botën”, një përpjekje sezonale që filloi në vitin 2017 për të frymëzuar dhurimin bamirës në mënyra krijuese dhe të arritshme. Në vend që të blejnë ushqime ose pije, dhuruesit mund të blejnë artikuj që dikujt i ndryshojnë jetën, të tillë si ushqim dhe veshmbathje, mjete shkollore ose shërbime këshillimi dhe përkrahjeje për individët dhe familjet.

Çdo euro e dhuruar shkon drejtpërsëdrejti në organizatat e mirëbesuara bashkëpunëtore, ku 100% e fondeve u jepen kauzave të përzgjedhura. Që prej fillimit të tyre, nga Makineritë e Dhurimit janë mbledhur më shumë se 22 milionë dollarë në rang global, duke përkrahur përpjekjet bamirëse në më shumë se një duzinë vendesh.

Një emision i drejtpërdrejtë në radio, i drejtuar nga folës vendës, shënoi hapjen e festës, duke treguar ndodhi bujarie dhe shërbimi nga vendi i ngjarjes. Hapja zyrtare në orën 11:00, shënoi një fillim plot gjallëri me vullnetarë të veshur në të kuqe e të bardhë për festën, të cilët i mirëpritën vizitorët, duke i udhërrëfyer përgjatë përvojës së “blerjes” së akteve të vërteta të dashamirësisë.

Gjatë gjithë pasdites, atmosfera mbeti plot energji dhe gëzim. Një shfaqje për fëmijë i argëtoi familjet, ndërkohë që persona vendës me ndikim, iu bashkuan fushatës, duke shpërndarë fotografi dhe materiale filmike që u përhapën me të shpejtë në të gjitha rrjetet sociale. Dita u përmbyll me një koncert prekës në violinë, duke i sjellë një mbyllje reflektuese dhe emocionale një organizimi që ndërthuri gëzimin, artin dhe bujarinë në një harmoni të përkryer.

Vënia në funksionim e makinerive në Barcelonë shënon një kapitull të ri në atë histori, një histori që pasqyron ndjesinë e thellë të komunitetit, aftësinë krijuese dhe dhembshurinë e këtij qyteti. Teksa muzika u zbeh dhe turmat u shpërndanë, ajo që mbeti, ishte ndjesia e pagabueshme se kishte nisur diçka e bukur: një traditë dhurimi që do të ndrijë fort edhe gjatë periudhave të ardhshme.