Krakov, Poloni 

Kupona për vakte ushqimore dhe supë për refugjatët ukrainas në Poloni 

Duke përdorur një kamion për shpërndarje ushqimi, Harez Parvani themeloi organizatën Dhuro një Vakt, një nga furnizuesit e parë bamirës të ushqimit për refugjatët në kufirin mes Polonisë dhe Ukrainës. Pasi u miratua si një organizatë jofitimprurëse polake pas fillimit të konfliktit në Ukrainë, programi ushqeu 8000 refugjatë në ditë dhe tani po siguron dhurime bamirëse në Krakov të Polonisë. Në mars të vitit 2024, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme bashkëpunoi me organizatën Dhuro një Vakt për t’u siguruar supë të pasur me lëndë ushqyese refugjatëve të rinj në pikat e grumbullimit dhe kupona vaktesh për ata që aktualisht janë nëpër streha.  

Tasa supe gati për shpërndarje.
Tasa supe gati për shpërndarje.

Parvani e kuptoi se disa streha jepnin një vakt të vetëm në ditë, duke i bërë refugjatët të varur nga burime të jashtme për më shumë ushqim. Ai hapi restorantin “Zlote Serce” [“Zemra e Artë”] në mars të vitit 2022 dhe ofroi kupona vaktesh që mund të përdoreshin në restorantin e tij për ata që kishin nevojë për një vakt për vete ose për familjet e tyre. Ai tani punëson refugjate ukrainase, të cilat nxjerrin dobi duke siguruar mundësi më të mira për të mbajtur familjen dhe duke mësuar se si funksionon një restorant. Viktoria Klimovetsi, një nga gratë e punësuara në restorant, tregoi: “Kujdesi për fëmijët e mi është përparësia ime parësore, punoj fort për të siguruar të ardhura për ta”. Kolegia e Viktoriës, Natalia Boraku u shpreh: “Kjo punë më lejon të sjell një ndryshim në botë. Dua t’i ndihmoj njerëzit e mi.”  

Natalia Boriaku dhe Viktoria Klimovetsi.
Natalia Boriaku dhe Viktoria Klimovetsi.

Në përfundimin e projektit, në qershor të vitit 2024, u siguruan 600 racione supë dhe 1200 kupona vaktesh gjithsej. Kuponat ofruan një mundësi të rrallë për të shijuar një vakt dhe një pije në restorant me familjen dhe bashkërefugjatët jashtë strehës në një mjedis të këndshëm shoqëror. Kjo ndihmoi që jetës së tyre t’u kthehej paksa normaliteti dhe dinjiteti.  

Harez Parvani, pronar i restorantit “Zlote Serce”, përpara një pikture në mur në restorant.
Harez Parvani, pronar i restorantit “Zlote Serce”, përpara një pikture në mur në restorant.

I lindur në Afganistan, Parvani u rrit në Holandë dhe më pas u shpërngul në Poloni.  Kur i kërkuan mendim, ai tha: “Jam mirënjohës për mundësinë që të jap një dorë ndihmëse. Vij nga një familje imigrantësh dhe e kuptoj se nuk do të isha atje ku jam sot, pa ndihmën që morëm.”