Të rinj e të reja në moshë madhore, anëtarë të komunitetit dhe udhëheqës vendorë u mblodhën në Frankfurt të shtunën për të kremtuar hapjen dhe përkushtimin e një Qendre të re të Institutit, një hapësirë e projektuar që të sjellë së bashku të rinj e të reja për të mësuar, për të krijuar lidhje dhe për rritje vetjake.
Ngjarja filloi me një shtëpi të hapur dhe vizita me udhërrëfyes, duke u dhënë vizitorëve mundësinë të shqyrtonin godinën e re dhe të përjetonin atmosferën e saj mikpritëse. Qendra synohet të jetë një vend ku të rinjtë e të rejat në moshë madhore, si anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme ashtu edhe miqtë e tyre, mund të takohen, të ndërtojnë miqësi dhe të marrin pjesë në orë mësimore të përqendruara te vlerat, qëllimi dhe besimi.
“Ajo që më emocionon vërtet në lidhje me qendrën e re të Institutit, është mundësia për të pasur një hapësirë shumë më të madhe ku mund të mblidhen së bashku më shumë të rinj e të reja në moshë madhore. Jo vetëm nga bashkësitë tona vendore, por edhe miq nga komuniteti më i gjerë”, − tha Alea Mesterharmi, një e re në moshë madhore nga Fridrihsdorfi.
Pasoi një program zyrtar, i udhëhequr nga udhëheqësit vendorë dhe Plaku Xhek N. Xherard, një udhëheqës kryesues i Kishës në Europën Qendrore. Takimi përfshiu muzikë, lutje dhe mesazhe të shkurtra të përqendruara te komuniteti, shpresa dhe rëndësia e krijimit të hapësirave ku të rinjtë e të rejat ndiejnë se kanë përkatësi.
Disa të rinj e të reja në moshë madhore shprehën mendime personale, së bashku me udhëheqës dhe arsimtarë vendorë, duke theksuar rëndësinë e pasjes së një vendi për të krijuar lidhje në botën e sotme me ritëm të shpejtë.
Mesterharmi shtoi: “Është një ndjesi e veçantë të ftosh njerëz në një vend kaq të bukur dhe mikpritës. Mendoj se është e rëndësishme që ne të kemi një hapësirë ku mund të takohemi, të krijojmë lidhje dhe të ndërtojmë marrëdhënie kuptimplota. Me të vërtetë besoj se kjo qendër e re do të krijojë atë lloj mjedisi.”
Ngjarja përfshiu gjithashtu një lutje përkushtuese, një traditë në të cilën udhëheqësit e Kishës veçojnë zyrtarisht një ndërtesë për qëllimin e saj të synuar si një vend mësimi dhe mbledhjeje.
“Institutet e Fesë luajnë një rol jetik në ndihmën ndaj të rinjve e të rejave në moshë madhore që ta ankorojnë jetën te Jezu Krishti, duke e ndërtuar besimin dhe duke u dhënë qëllim ndërsa i shërbejnë njëri‑tjetrit. Ky institut i ri në Frankfurt do të jetë një vend ku të rinjtë e të rejat e ndiejnë se kanë përkatësi, ku vijnë jo vetëm për të studiuar mësimet e Jezu Krishtit, por për të ndërtuar miqësi, për të forcuar karakterin dhe për t’u përgatitur që të kontribuojnë në mënyrë kuptimplotë për familjet e tyre, Kishën dhe komunitetin përreth tyre. Ndërsa këtu jeta lartësohet moralisht, ndikimi i asaj mirësie do të arrijë natyrshëm shumë larg përtej këtyre mureve”, − tha Plaku Xhek N. Xherard, anëtar i Presidencës së Zonës së Kishës në Europën Qendrore, i cili kryesoi ngjarjen dhe ishte përgjegjës për lutjen përkushtuese.
Udhëheqësit shprehën shpresë se Qendra e re e Institutit do të bëhet një qendër për të rinjtë e të rejat në moshë madhore në të gjithë zonën e Frankfurtit, duke ofruar një mjedis të sigurt dhe mikpritës për të shqyrtuar çështjet e besimit, për të zhvilluar miqësi dhe për të gjetur një ndjesi qëllimi.
Qendra e Institutit të Frankfurtit është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të përkrahur të rinjtë e të rejat në moshë madhore duke ofruar hapësira ku mund të mësojnë, të rriten dhe të krijojnë lidhje në mënyra kuptimplote, pavarësisht nga formimi ose bindjet e tyre fetare.