Kremtimi i Ditëlindjes së 100-të të Presidentit Nelson 

Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme i mirëpret të gjithë për të parë një transmetim të veçantë në nderim të ditëlindjes së 100‑të, të Presidentit të Kishës Rasëll M. Nelsonit. Kjo ngjarje do të jetë në dispozicion për t’u parë në këtë faqe duke nisur nga data 13 shtator 2024. 

Më 1 qershor, Presidenti Nelson i ftoi njerëzit të kremtonin ditëlindjen e tij të 100‑të, duke ia shtrirë dorën e ndihmës “individit” në nevojë, ashtu siç bëri Shpëtimtari, duke iu referuar mësimeve të Tij në shëmbëlltyrën e deles së humbur (shihni te Mateu 18 dhe Lluka 15). Në shëmbëlltyrë, Shpëtimtari i inkurajoi ndjekësit e Tij që t’ua shtrinin dorën e ndihmës të tjerëve në nevojë, ashtu siç do të bënte një bari i kujdesshëm për delet e tij, duke parë përtej të 99‑ës, për të ndihmuar atë që humbi nga kopeja. Presidenti Nelson i inkurajoi njerëzit të tregojnë përvojat e tyre në rrjetet sociale duke përdorur thurjen #99plus1.

Një Shembull i Gjallë

Gjatë gjithë jetës së tij, Presidenti Nelson ka qenë një shembull i gjallë i kujdesit për individin, si dishepull i Jezu Krishtit dhe si kardiokirurg me famë botërore.

Presidenti Dallin H. Ouks, Këshilltar i Parë në Presidencën e Parë, shkroi në një publikim në rrjetet sociale më 3 qershor, se gjatë 40 viteve të fundit, “Presidenti Nelson më ka mësuar vazhdimisht se si t’u shërbej të tjerëve me vetëmohim dhe dashuri nëpërmjet shembullit të tij”.

Presidenti Xhefri R. Holland, Presidenti Veprues i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shkroi në një publikim më 5 qershor: “Një nga virtytet që kam parë Presidentin Rasëll M. Nelson të portretizojë vazhdimisht, është dashamirësia e tij e çiltër, e përzemërt … Mendoj se ai duhet të jetë njeriu më zemërbutë me të cilin jam shoqëruar ndonjëherë – dhe unë kam punuar me shumë njerëz të mirë! … Ndërsa përpiqemi fort të ndjekim Shpëtimtarin, le të ndjekim shembullin e karakterit si të Krishtit të Presidentit Nelson.”

Në një letër të 9 gushtit që njoftonte ngjarjen, Presidenti Holland shkroi: “Sa mirënjohës jemi për profetin e Perëndisë, mësimet e tij të frymëzuara dhe ftesat e tij për të ndjekur shembullin e Shpëtimtarit, të dashurisë dhe drejtësisë në gjithçka që bëjmë”.

Transmetimi 75‑minutash i ditëlindjes do të kremtojë jetën dhe mësimet e këtij profeti të ditëve të mëvonshme, jeta dhe shërbesa e të cilit, mishërojnë vazhdimisht dashurinë e Perëndisë për secilin nga fëmijët e Tij. Shembujt të asaj që njerëzit anembanë botës kanë bërë gjatë 100 ditëve të fundit për të kremtuar ditëlindjen e tij, do të tregohen nëpërmjet historive nga njerëz që ishin vetë “individi” në nevojë.


Klikoni këtu për të mësuar se si ta shihni në gjuhë të tjera.