Bosnjë‑Hercegovina

Kremtimi i 10 viteve të punës me shoqatën Muslim Aid [Ndihma Myslimane] për të ndihmuar qytetarët në Bosnjë‑Hercegovinë

Të premten, më 28 qershor 2024, më shumë se 100 individë të besimeve dhe origjinave të ndryshme u mblodhën në Sarajevë për të njohur meritat dhe për të kremtuar një dekadë pune të përbashkët midis Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dhe shoqatës Muslim Aid [Ndihma Muslimane] në ofrimin e ndihmës humanitare për 80 bashki dhe qytete në Bosnjë‑Hercegovinë. Mes tyre ishin përfaqësues të të dyja organizatave si dhe përfitues dhe zyrtarë të pushtetit kombëtar dhe vendor.

“Në një botë që na ndan, këto përpjekje bashkëpunuese na sjellin së bashku”, – tha Sheron Iubank, Drejtore e Shërbimeve Humanitare të Kishës, në këtë ngjarje. Ajo e falënderoi shoqatën Muslim Aid [Ndihma Myslimane] dhe bashkitë vendore që kanë shërbyer shumë vite së bashku për të përmirësuar jetën e njerëzve në Bosnjë‑Hercegovinë. Madje, ajo shprehu mirënjohje për përfituesit që ishin të pranishëm. “Ju jeni yjet, kjo është për ju”, – shpjegoi ajo. “Është një gjë të marrësh një lopë barrëse ose disa koshere bletësh dhe është tjetër gjë të kujdesesh për këto burime dhe t’i kthesh këto nisma në sukses.”

Duke filluar në vitin 2014, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dhe shoqata Muslim Aid [Ndihma Myslimane] nisën disa projekte, duke përfshirë serrat, bletarinë dhe mëshqerrat barrëse, që synonin përkrahjen e qytetarëve të Bosnjë‑Hercegovinës, të cilët jetonin më parë nën nivelin e varfërisë. Gjatë dekadës së fundit, nga këto projekte kanë përfituar mbi 13 000 individë në 80 bashki të ndryshme.

Mustafa Faruqi, Kryetar i Administratorëve të Besuar të Shoqatës Muslim Aid [Ndihma Myslimane], i quajti këto projekte një “shembull i jashtëzakonshëm se si komunitetet me bazë te besimi mund të krijojnë një fuqi transformuese”. Ai shtoi: “Kemi ende shumë për të bërë dhe mezi pres të forcojmë bashkëpunimin”.

“Individë të fortë krijojnë familje të forta dhe familjet e forta krijojnë komunitete të suksesshme”, – shtoi Edina Shehiç‑Saliji, Drejtore Ekzekutive e Shoqatës Muslim Aid [Ndihma Myslimane] në Bosnjë‑Hercegovinë.

Kenan Shashiqi, përfaqësues i komunës së Jabllanicës, i falënderoi të gjithë njerëzit që u përfshinë në dhënien e ndihmës dhe shprehu shpresën se këto përpjekje do të vazhdojnë.

Gjatë bashkëpunimit të tyre 10‑vjeçar në vend, shoqata Muslim Aid [Ndihma Myslimane] dhe Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme janë përqendruar në zgjidhje të qëndrueshme dhe jo në lehtësim të përkohshëm. “Kemi një bashkëpunim të shkëlqyer. Është fantastike të mund të përdorësh ekspertizën e tyre në agronomi dhe të kuptuarit e tyre për kulturën vendase. Nuk mund të shpresonim për një bashkëpunëtor më të mirë në projektet që bëjmë këtu”, – tha në përfundim Erik Rotermani, Përgjegjësi i Shërbimit Humanitar të Kishës për Zonën e Europës Qendrore.

Nisma e serrës u ofroi marrësve serra plotësisht të pajisura dhe të instaluara, së bashku me programe trajnimi që të mësonin se si të drejtojnë me sukses një serrë. Që nga viti 2014, ky projekt ka çuar në ndërtimin e mbi 3 000 serrave, duke i dhënë shtysë bujqësisë vendase.

Projekti i dytë, nisma e bletarisë, është një përpjekje tërësore që përfshin shpërndarjen e materialeve për bletarinë, përkrahjen udhëzuese dhe një fushatë edukative mbi rëndësinë e bletëve. Ky projekt ka përmirësuar kushtet shoqëror‑ekonomike të familjeve rurale dhe ka forcuar bizneset vendore në Bosnjë‑Hercegovinë.

Në maj 2023, projekti përfundimtar filloi shpërndarjen e lopëve barrëse për qumësht për familjet në nevojë. Kjo nismë i ka ndihmuar familjet të plotësojnë nevojat e tyre ushqimore me qumësht të freskët dhe ka dhënë një shtysë financiare përmes shitjes së qumështit të tepërt.

Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme mbetet e përkushtuar ndaj përpjekjeve humanitare, pasi ka marrë pjesë në 4 119 projekte vetëm në vitin 2023. Për anëtarët e Kishës, ndihma ndaj njerëzve në nevojë dhe nxitja e mbështetjes te vetja nuk është vetëm një përpjekje fisnike, por një përgjegjësi e shenjtë. Bashkëpunimi me besime dhe organizata të tjera, si shoqata Muslim Aid [Ndihma Myslimane], nuk është vetëm i dobishëm për nxitjen e unitetit dhe përforcimin e ndikimit, por është gjithashtu një privilegj për të bashkëpunuar me të tjerët për të sjellë një ndryshim. Gjatë dekadës së fundit, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dhe shoqata Muslim Aid [Ndihma Myslimane] kanë bashkuar forcat për të mirën më të madhe, duke i fuqizuar qytetarët në Bosnjë‑Hercegovinë drejt mbështetjes te vetja dhe stabilitetit ekonomik, duke filluar me nga një serrë, një grup koshere bletësh ose një lopë pak e nga pak.