Konkursi i 12‑të Ndërkombëtar i Artit i Muzeut të Historisë së Kishës

Artistët ftohen të dorëzojnë një vepër arti të përqendruar në temën: “Të Gjithë janë Njësoj Para Perëndisë”

Konkursi i 12 të Ndërkombëtar i Artit i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme

Muzeu i Historisë së Kishës i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, do të zhvillojë Konkursin dhe Ekspozitën e 12‑të Ndërkombëtare të Artit në pranverën e vitit 2022. Artistët ftohen të dorëzojnë një vepër arti të përqendruar në temën: “Të Gjithë janë Njësoj Para Perëndisë” midis datave 1 shkurt dhe 1 qershor 2021. 

Konkursi ndërkombëtar i artit, i gjykuar nga juria, ka për qëllim të nxitë krijimin e artit cilësor nga shenjtorët e ditëve të mëvonshme dhe të shfaqë larminë e tyre në stile, teknika, metoda dhe zëra. 

“Nëpërmjet artit, ju mund t’i shprehni ndjenjat dhe bindjet tuaja”, tha Kristian Fingërli, Përgjegjës i Zonës së Europës për Sektorin e Historisë së Kishës. “Kur e lejoni zemrën të flasë nëpërmjet aftësive që ju janë dhënë nga Perëndia, ju do të jeni në gjendje të shprehni diçka që sjell një ndryshim të vërtetë.”

Konkursi është i hapur për të gjithë anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme mbi moshën 18 vjeç. Për të marrë pjesë, artistët do të duhet të dorëzojnë një figurë digjitale të veprës së tyre të artit duke përdorur mjetin e muzeut për dorëzim në internet.

Muzeu mirëpret një larmi traditash dhe stilesh kulturore e estetike dhe mjetesh artistike komunikimi. Metodat mund të përfshijnë pikturën, vizatimin, artin tekstil, fotografinë, artin e shtypur, skulpturën, punimet prej qelqi, argjile, qeramike, druri, lëkure, guri, metali, artin tradicional dhe popullor, metodat e përziera, artin me mjete komunikimi të shumëllojshme, ato me pamje, kinematografike dhe më shumë.

Procesi i vlerësimit nga juria do të kryhet nga pesë anëtarë individualë të jurisë të cilët përfaqësojnë trajnime dhe ekspertizë të larmishme estetike. Faza e parë do të përfshijë një vlerësim të çdo dorëzimi nga imazhet digjitale dhe një deklarate nga artisti. Më pas në fazën e dytë do të vlerësohen punimet aktuale fizike artistike dhe do të përcaktohet se cilat punime do të përzgjidhen për ekspozitën.

Anëtarët e jurisë do ta vlerësojnë veprën artistike bazuar në harmonizimin me temën, risinë dhe meritat artistike.

Çmimet e Meritës dhe ato të Zgjedhjes nga Vizitorët do të përzgjidhen nga anëtarët e jurisë dhe publiku. Punët e tjera do të blihen me qëllim zhvillimin e koleksionit të muzeut.

Muzeu i Historisë së Kishës

Muzeu i Historisë së Kishës, që ndodhet në Solt-Lejk-Siti të Jutas, nisi me synimin që të përfaqësonte anëtarësinë mbarëbotërore të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Që nga viti 1987, çdo tre deri në katër vjet, ai ka zhvilluar Konkursin Ndërkombëtar të Artit.

Laura Houi, përgjegjëse e artit për Muzeun e Historisë së Kishës, shpreson që ky konkurs do t’i ndihmojë individët të ndiejnë se janë pjesë e një familjeje më të madhe dhe se këndvështrimet dhe formimet e tyre të pashoqe vlerësohen.

“Është e rëndësishme që të gjithë fëmijët e Perëndisë ta shohin veten si pjesë e familjes së Jezu Krishtit”, tha Houi. “Ky konkurs arti është një mënyrë për ta bërë këtë dhe për t’i ndihmuar njerëzit ta shohin që janë pjesë e Kishës dhe e historisë së saj.”

Të gjithë anëtarët e Kishës, që janë të interesuar për ta treguar artin e tyre, ftohen të marrin pjesë në konkurs dhe të bashkohen me stile artistike dhe formime kulturore të larmishme për ta adhuruar Perëndinë.

“Këtu mirëpritet vepra e artit të çdokujt”, tha Fingërli. “Nuk keni përse të jeni fituesi i konkursit të mëparshëm të artit, një njeri i famshëm ose një profesionist. Ju thjesht duhet të keni një pasion dhe një zotim për të dhënë një mesazh të rëndësishëm.”

Ekspozita e artit do të jetë e hapur në mars deri në tetor 2022.

Për më shumë informacion rreth hollësive të konkursit, rregullave të përgjithshme, procesit vlerësimit nga juria dhe çmimeve, ju lutemi, vizitoni faqen https://history.churchofjesuschrist.org/content/museum/competition-details.