Konferenca e përgjithshme u jep udhërrëfim dhe shpresë anëtarëve dhe miqve europianë

Dy herë në vit, anëtarët dhe miqtë e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme mblidhen së bashku për të dëgjuar mesazhe frymëzimi dhe udhërrëfimi nga një profet i kohës së sotme dhe udhëheqës të tjerë të Kishës gjatë konferencës së përgjithshme.

Suzana Lorent Klemente dhe bashkëshorti i saj.
Suzana Lorent Klemente dhe bashkëshorti i saj.

Konferenca do të zhvillohet në datat 3 dhe 4 prill, fundjavën e Pashkës, në Solt‑Lejk‑Siti, Jutë dhe do të transmetohet drejtpërsëdrejti në mbarë botën. Pjesëmarrësit nga e gjithë bota ftohen t’i dëgjojnë mesazhet për të gjetur shpresë dhe paqe gjatë kohëve të trazuara, për të marrë përgjigje për pyetjet vetjake dhe për të marrë udhërrëfim për të lundruar nëpër sfidat e jetës. 

“Çdo gjë që ka nevojë një person për të qenë i/e lumtur, për të ditur se cilin shteg të zgjedhë, çfarë lloj jete të bëjë dhe çfarë gjërash të bëjë për të trashëguar jetën e përjetshme, mund të arrihet duke marrë pjesë në konferencën e përgjithshme”, tha Suzana Lorent Klemente nga Kartagjena, Spanjë.

Miliona njerëz marrin pjesë në konferencën gjysmëvjetore për të dëgjuar fjalën e Perëndisë nëpërmjet atyre që Ai i thërret si udhëheqës të Kishës. Nëpërmjet mesazheve të tyre, individët janë në gjendje ta ndiejnë dashurinë e Perëndisë dhe ta dëgjojnë zërin e Tij nëpërmjet zërit të shërbëtorëve të Tij.

Lia dhe Sajmën Fegu
Lia dhe Sajmën Fegu

Lia Fegu, një anëtare e Kishës nga Eseksi i Anglisë, është drejtuar te konferenca e përgjithshme gjatë kohëve të vështira, për ta ndier më pranë Perëndinë, Atin e saj Qiellor, dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin.

“Sidomos gjatë këtij vitit të fundit kur kam pasur nevojë të ndiej se Ati im Qiellor është i vetëdijshëm për mënyrën se si po ndihem, se si po ia dal ose jo, për frikën dhe pasiguritë e mia, dëshirat dhe shpresat e mia dhe thjesht nevojën për ta ndier Shpëtimtarin tim më pranë vetes, konferenca e përgjithshme më ka dhënë atë për të cilën kisha nevojë”, tha Fegu.

Sabrina and Zhairo Lopezi
Sabrina and Zhairo Lopezi

Ka shumë për të marrë nga pjesëmarrja në konferencën e përgjithshme. Sabrina dhe Zhairo Lopezi jetojnë në Berlin, Gjermani dhe kanë gjetur ngushëllim, paqe dhe drejtim duke dëgjuar Zotin nëpërmjet profetit, apostujve dhe autoriteteve të Tij të përgjithshme.

“Unë asnjëherë nuk largohem nga një mbledhje pa u ndier e motivuar për sfidat dhe detyrat e ardhshme ose thjesht për t’u përballur me rutinën time të përditshme – e cila ndonjëherë mund të jetë rraskapitëse. Për mua, konferenca e përgjithshme gjithmonë nënkupton forcë, shpresë dhe paqe”, tregoi Sabrina Lopezi

“Pas çdo konference të përgjithshme, gjithmonë ndiej se kam marrë udhëzime të qarta mbi atë se çfarë të bëj me jetën time dhe çfarë duhet të përmirësoj”, tha Zhairo Lopezi. “Ajo mund të na mbushë me lumturi dhe përgjigje që nuk do t’i kishim marrë nga cilido burim tjetër.”

Ndonëse konferenca po zhvillohet në internet dhe shikuesit do ta shikojnë ose dëgjojnë nga shtëpitë e tyre anekënd botës, ka një fuqi bashkuese kur ata vijnë dhe mësojnë së bashku. Ndërsa rregulloret janë krijuar për të mbajtur distancë fizike midis individëve, kjo konferencë mund të ofrojë një ndjenjë komuniteti dhe përkatësie.

Xhejn dhe Pol Elvixhi
Xhejn dhe Pol Elvixhi

Poli dhe Xhejn Elvixhi jetojnë në Seint-Olbëns, Angli bashkë me fëmijët e tyre. Ndonëse e presin me ëndje konferencën e përgjithshme çdo gjashtë muaj, ata janë veçanërisht të ngazëllyer që do të bashkohen në ngjarjen mbarëbotërore këtë fundjavë Pashke.  

“Pjesëmarrja në konferencën e përgjithshme mund t’ju ndihmojë të ndiheni vërtet pjesë e një organizate të mrekullueshme ndërkombëtare që po drejtohet nga Shpëtimtari”, tha Xhejn Elvixhi. “Nëse përgatiteni dhe merrni pjesë me një mendje të hapur, ju mund të merrni përgjigje për lutjet dhe udhërrëfim për jetën tuaj.”

Ndërsa konferenca e përgjithshme i bashkon njerëzit dhe u jep përgjigje pyetjeve vetjake, ajo gjithashtu ofron një fuqi përtëritëse dhe pastruese për ata që marrin pjesë.

“Koha e konferencës për mua është koha kur mund të largohem nga bota dhe të pastrohem dhe forcohem rishtas nga mesazhet e konferencës. Jam akoma më shumë i përgatitur për ta vazhduar udhëtimin tim me besim, shpresë dhe dashuri hyjnore të përmirësuar”, tha Pol Elvixhi.

Gjatë fundjavës së konferencës së përgjithshme, të gjithë ftohen ta kremtojnë Pashkën me pjesën muzikore Mesia të Hendelit, të paraqitur nga The Tabernacle Choir and Orchestra at Temple Square [Kori i Tabernakullit dhe Orkestra në Sheshin e Tempullit], që do të transmetohet ditën e diel, më 4 prill 2021, në orën 11:00 (CET), në faqet zyrtare të Facebook-ut dhe faqet vendore të internetit. Për vendet që ndjekin kalendarin ortodoks, transmetimi do të jepet ditën e diel, më 2 maj 2021, në orën 11:00 (CET).

Si të Merrni Pjesë

Të gjithë ftohen të marrin pjesë në konferencën e përgjithshme të prillit 2021. Konferenca do të përbëhet nga pesë sesione për individët, familjet dhe miqtë e Kishës. Hollësitë mbi oraret e shikimit mund të shihen në internet.

Të gjitha sesionet do të transmetohen drejtpërsëdrejti në më shumë se 70 gjuhë në faqen broadcasts.ChurchofJesusChrist.org. Sesionet janë gjithashtu në dispozicion nëpërmjet programit Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit], kanalit Latter-day Saints Channel, kanaleve radiofonike, televizive, satelitore dhe kanaleve të tjera digjitale.

Pjesëmarrësit mund ta shohin konferencën në internet më vonë ose t’i lexojnë bisedat në churchofjesuschrist.org. Për më shumë informacion mbi mënyrën se si të merrni pjesë në konferencën e përgjithshme, vizitoni faqen https://newsroom.churchofjesuschrist.org/article/5-ways-to-watch-general-conference-live.