Koncerti i ri i Pashkës “Shëlbuesi”, portretizon jetën dhe shërbesën e Krishtit nëpërmjet muzikës së shenjtë dhe veprave të frymëzuara të artit

Një koncert i ri për Pashkë, që kremton jetën dhe shërbesën e Shpëtimtarit tonë Jezu Krishtit, u prodhua nga Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në Europë dhe do të fillojë të transmetohet më 26 mars 2023. I titulluar “Shëlbuesi”, programi paraqet muzikë nga albumi i Xheni Ouks Bejkërit me të njëjtin titull dhe u filmua kohët e fundit me atë vetë si dhe me një orkestër dhe kor të rinisë në Goshen të Jutës. Ky është sheshxhirimi ku u filmuan seritë e materialeve filmike nga Bibla vite më parë.

Plaku Hans T. Bum, udhëheqësi fetar në Zonën e Europës Veriore, tha: “Kjo është hera e parë që Kisha në Europë ka prodhuar një koncert posaçërisht për periudhën e Pashkës. Përzierja e muzikës së bukur, imazheve të fuqishme dhe veprave artistike të piktorëve dhe piktoreve europiane me famë botërore, i jep më tepër domethënie kësaj periudhe shumë të veçantë. Shpresojmë që anëtarët dhe miqtë e Kishës të ndihen të frymëzuar duke e parë atë, si dhe t’ju shtohet dëshira për ta ndjekur Jezu Krishtin dhe për të qenë një ndikim i mirë për botën.”

Përpara çdo numri muzikor, do të paraqitet një vepër arti e mirënjohur e një artisti europian që ka në qendër Krishtin. Do të paraqiten kryevepra nga Leonardo da Vinçi, Karl Blohu, Angelika Kaufmani, Hainrih Hofmani, Fransisko de Zurbarani, Bertel Thorvaldseni, Sajmon Dui dhe të tjerë. Pjesa e tregimit është siguruar nga artisti suedez Luis Heri, në kështjellën e Frederiksborgut në Danimarkë, ku ndodhet edhe galeria e njohur e Karl Blohut. Së bashku me vëllezërit e tij, ai fitoi Festivalin e Këngës të Eurovizionit në vitin 1984.

Duke reflektuar për koncertin, Luis Heri përmendi se ai beson se çdo gjë e mirë dhe e virtytshme të drejton te Krishti. “Ne vetëm duhet të na e kujtojnë hera‑herës. Ky koncert i Pashkës është një nga ata kujtues. Ndihem me të vërtetë i nderuar që kam qenë pjesë e këtij prodhimi, duke paraqitur vepra nderuese arti që na kujtojnë se çfarë rëndësie ka Zoti dhe Shpëtimtari ynë për ne, dhe ndihmojnë ta kthejmë përqendrimin tonë te fuqia e Tij shëruese”, përfundoi ai.

Xheni Ouks Bejkëri tha se edhe ajo ndihet jashtëzakonisht e bekuar që është pjesë e këtij prodhimi rreth Shpëtimtarit Jezu Krisht. “Jam tejet mirënjohëse që jam në gjendje ta interpretoj këtë muzikë të frymëzuar, të kompozuar dhe përshtatur nga Kërt Bestori, si një kolonë zanore e skenave që përshkruajnë jetën e Shpëtimtarit. Shpresoj që ky prodhim t’u krijojë të gjithëve mundësinë që ta ndiejnë Shpirtin dhe t’i afrojë më shumë me Jezu Krishtin.”

Formati i Koncertit dhe Si të Shikohet

Koncerti është filmuar në anglisht dhe do të paraqitet në 31 gjuhë. Ai do të jetë në dispozicion në faqen në internet Faqja Vendore e Kishës, YouTube dhe Facebook nga dita e diel, më 26 mars 2023, në orën 18:00 CET dhe do të jetë në dispozicion deri në mes të prillit 2023.