Kisha zgjeron rolet udhëheqëse për gratë në Europë

Një pozicion i ri i shtuar te struktura organizative e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në Europë u bën thirrje grave që të këshillojnë drejtuesit e bashkësive dhe të marrin pjesë në këshillat e udhëheqjes.

En-Mari Lindberg, Sibil Fingerli, Leticia dos Santos Rudlof, Zhislen Simoné, Xhulia Vondra dhe Trejsi De Marko janë të parat që janë thirrur si këshilluese zonale për organizatat në Zonën e Europës.

“Kam një ndjenjë të thellë ngutjeje, kohe të përsosur dhe përulësie në këtë thirrje të re dhe mezi po pres që të shoh se si Zoti do të më përdorë për të ndihmuar organizatat, familjet dhe njerëzit në Kishë”, tha An-Mari Lindberg nga Dysegardi në Danimarkë.

Këshillueset zonale për organizatat do t’u japin udhëzim udhëheqësve të Kishës dhe do të sigurojnë këndvështrimin e grave në të gjithë nivelet e këshillave. Ato do të përfaqësojnë gjithashtu organizatat e Fillores, Të Rejave dhe Shoqatës së Ndihmës në shërbimin e tyre.

“Në thirrjen time, unë ndiej se sa shumë na do Zoti ne motrat sepse Ai na merr me seriozitet dhe së bashku ne mund të çojmë përpara anën femërore të punës së shëlbimit”, tha Sibil Fingerli nga Usingeni në Gjermani. “Unë gjithashtu ndiej një urdhër që ne si motra duhet t’i përdorim dhe rritim talentet tona pasi Zoti ka nevojë për ne.”

“Gratë janë kujdestaret e institucionit të familjes, shtylla kurrizore e shoqërisë dhe gjithashtu e Kishës; ndaj është një privilegj të jesh pjesë e këtij ndryshimi të shkëlqyer, i cili pa dyshim do ta çojë përpara punën e Zotit në këto ditë të mëvonshme”, tha Leticia dos Santos Rudlof nga Mostolesi në Spanjë. “Ne të gjithë, burra dhe gra, të vjetër dhe të rinj, pavarësisht nga raca dhe rrethanat tona kulturore, jemi të ftuar ta ndjekim Krishtin dhe të punojmë së bashku në vreshtin e Zotit.”

Kisha zgjeron rolet udhëheqëse për gratë në Europë

Zhislen Simonéja nga Arnesi në Francë shtoi: “Unë jam entuziaste të shërbej dhe të ndihmoj në forcimin e organizatave dhe familjeve në Europën që flet frëngjisht dhe në Itali në këtë thirrje të re.”

Administrimi i Kishës lehtësohet nga bashkësi vendore që quhen lagje dhe degë, grupime bashkësish rajonale që quhen kunje dhe distrikte, zona gjeografike më të mëdha dhe trupat qeverisëse mbarëbotërore te zyrat qendrore në Solt-Lejk-Siti në Jutë. Pozicioni i këshillueseve zonale për organizatat i zgjeron rolet udhëheqëse për gratë në zonë dhe ndërton mbi praktikën e burrave dhe grave që shërbejnë përkrah njëri‑tjetrit në unitet në këshilla dhe komitete dhe nivele të tjera.

“Kënaqem me gjithë zemër që do të mund t’i shërbej Zotit tonë Jezu Krisht së bashku me motrat e Europës”, u shpreh Xhulia Vondra nga Viena në Austri. “Shpresoj që ne të mund t’i ndihmojmë motrat të ndiejnë dashurinë e Zotit dhe të dallojnë se si Ai i mban për dore në kohë sfidash apo sprovash”, tha Trejsi De Marko nga Olni në Mbretërinë e Bashkuar. “Ne jemi kaq shumë të bekuara që të përfshihemi në këtë vepër të madhe në këtë kohë, dhe lutem që Zoti do të na frymëzojë, ngushëllojë dhe forcojë ndërsa kryejmë punën e Tij.”

Presidenca e Parë, që përbëhet nga presidenti i Kishës dhe dy këshilltarët e tij, miratuan krijimin e një pozicioni të ri për zonat jashtë Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë. Presidencat e Zonës mund të vendosin të thërrasin gra në këtë pozicion të këshillueseve zonale për organizatat sipas gjykimit të tyre.

Zona e Europës përfshin mbi 40 vende. Ajo shtrihet lart në veri deri në vendet nordike dhe në jug deri në Spanjë dhe Kepin e Gjelbër.