Anëtarët e Kishës sigurojnë ujë për të lehtësuar zjarrfikësit e rraskapitur në Bordo. Automjetet dhe kontejnerë magazinimi u gjetën shpejt për këtë qëllim.
Vullnetarë nga Fundación Madrina [Fondacioni Madrina], një OJQ katolike, që ndihmon njerëzit e zhvendosur nga zjarret e pakontrolluara, organizojnë furnizimet ushqimore të siguruara nga Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Fundación Madrina [Fondacioni Madrina] ka shprehur vazhdimisht mirënjohjen e vet për shpejtësinë e reagimit nga ana e Kishës.
Vullnetarët ndihmuan zjarrfikësit duke shuar vatrat e zjarreve të pakontrolluara në rajonin e Zhirondës në Francë. Vullnetarë nga tri bashkësitë e zonës së Bordosë punuan krah për krah për përpjekjet vendore ndaj emergjencave, duke ofruar përkrahje praktike ndërsa komunitetet iu përgjigjën zjarreve të pakontrolluara të vazhdueshme.
Vullnetarët përgatitin depozita uji, pompa dhe pajisje në vendparkimin e shtëpisë së mbledhjeve në Lormont para se të nisen për të përkrahur përpjekjet e reagimit ndaj zjarreve të pakontrolluara. Ndërtesa e Kishës në Lormont shërbeu si qendër bashkërendimi për vullnetarët dhe udhëheqësit vendorë që u vinin në ndihmë të evakuuarve gjatë krizës.
Me zjarret e pakontrolluara që po godasin qytetin e Bordosë dhe zonat përreth, udhëheqësit e Kishës kanë vepruar me shpejtësi për të ofruar përkrahje për njerëzit që janë evakuuar nga shtëpitë e tyre dhe për zjarrfikësit në vijën e parë.
Shpejt u hap një qendër pritjeje për emergjencat në godinën kishtare të Lormontit të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme për të strehuar të evakuuarit. Ndërtesa ofronte një vend për të fjetur netët e para pas evakuimit.
Zjarrfikësit kanë bërë përparim inkurajues në ngadalësimin e përhapjes së zjarrit gjatë dy ditëve të fundit në kushte të favorshme moti, megjithëse ai mbetet aktiv dhe ende nuk është vënë nën kontroll. Megjithatë, pritet një valë tjetër të nxehti, me temperatura që afrohen në 40°C dhe erëra më të forta gjatë ditëve në vijim, kështu që situata mbetet kritike.
Tre bashkësi të Kishës janë prekur drejtpërdrejt, me pothuajse një lagje të tërë (Eizin) të evakuuar. Rreth 200 anëtarë të Kishës janë zhvendosur dhe janë mirëpritur në shtëpitë e anëtarëve të tjerë ose janë strehuar përkohësisht në shtëpinë e mbledhjeve të Lormontit.
Reagimi i Kishës është drejtuar kryesisht në tri fusha nevoje:
-
Ofrimi i godinës kishtare të Lormontit si strehë dhe vend për të fjetur dhe për ushqim për njerëzit që evakuohen nga shtëpitë e tyre.
-
Përkrahja e të evakuuarve në dy qendra të tjera pritjeje ku ushqimet, veshjet dhe furnizimet e tjera thelbësore janë pranë. Anëtarët kanë ndihmuar për klasifikimin e dhurimeve dhe identifikimin e nevojave të paplotësuara për të siguruar që ndihma u shkon njerëzve të prekur.
-
Përkrahja për zjarrfikësit në vijën e parë. Kisha ka blerë disa kamionë të cilët janë ngarkuar me depozita të mëdha uji, për të lehtësuar zjarrfikësit. Shumë janë të rraskapitur pas ditësh të tëra lufte me zjarret.
Udhëheqësit e lartë të Kishës në zonë, përfshirë Presidentin e Zonës, Ruben V. Alliod, të Shtatëdhjetë Zonalë dhe përfaqësues të Sektorit të Mirëqenies dhe Mbështetjes te Vetja, po punojnë për të përkrahur presidentin e kunjit të Bordosë, Zhyljen Ravënon, dhe Peshkopin Tom Dargans, të cilët po drejtojnë dhe bashkërendojnë përpjekjet vendore.
“Edhe pse zjarri duket më i qëndrueshëm tani se në kulmin e tij, kombinimi i zonave të mëdha të djegura, shtëpive të shkatërruara, evakuimevet masive dhe një vale tjetër të nxehti do të thotë se kjo nuk ka mbaruar ende”, − tha Presidenti Alliod. “Ne duam që anëtarët tanë të jenë të përgatitur.”
Udhëheqësit vendorë po u japin gjithashtu përditësime zyrave qendrore të Kishës.
Me më shumë se 225 000 njerëz të evakuuar në të gjithë rajonin, kjo është një nga emergjencat më të mëdha të zjarreve të pakontrolluara që Franca ka përjetuar në historinë e kohëve të fundit.
Në Spanjë, zona tjetër e prekur nga zjarret e pakontrolluara në Europën Perëndimore, situata mbetet kritike, por po tregon shenja të lehta përmirësimi. Më shumë se 60 000njerëz u evakuuan në kulmin e krizës rreth Madridit dhe Ávilës, megjithëse shumë banorë tani janë lejuar të kthehen pasi disa zjarre të mëdha janë nën kontroll.
Kisha po vlerëson nevojat humanitare me OJQ‑të në zonë.
Njëlloj si me Francën, 48−72 orët e ardhshme janë kritike sepse një valë tjetër intensive të nxehti, me temperatura të larta, lagështi të ulët dhe erëra të ndryshueshme, mund të ndezë përsëri vatrat ekzistuese ose të shkaktojë zjarre të reja.