Një projekt madhor i rizhvillimit është në veprim e sipër në qendrën “Duje” në Doboj ndërkohë që Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme bashkohet me [fondacionin] “IFS-Emmaus” në ndërtimin e godinave të reja e më të sigurta të banimit për disa prej qytetarëve më të pamundur të Bosnjë-Hercegovinës.
Zyrtarë vendorë dhe kombëtarë, udhëheqës të komunitetit dhe përfaqësues të Kishës u mblodhën në këtë qendër më 5 dhjetor për një ceremoni të nisjes së punimeve, duke shënuar fillimin e rindërtimit të ndërtesës së parë prej tri ndërtesave të banimit.
Qendra “Duje”, që mbahet në veprim nga IFS-Emmaus-i, siguron vendbanim dhe përkujdesje afatgjatë për gati 500 individë të moshuar dhe të paaftë nga i gjithë vendi. Që nga hapja në vitin 2004, godinat e vjetëruara të qendrës e kanë pasur të vështirë që të plotësojnë kërkesën në rritje dhe standardet e përkujdesjes bashkëkohore. Në shumë dhoma të krijuara për dy banues, tani banojnë katër veta; korridoreve e vendkalimeve u mungojnë kushtet për të paaftët; dhe problemet strukturore, përfshirë materialet e vjetëruara, kërkojnë vëmendje të ngutshme.
“Sot nisim një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një godine bashkëkohore që do t’i përmirësojë jashtëzakonisht kushtet e të jetuarit për banuesit tanë dhe do të sigurojë kushte më të mira për përkujdesje”, – tha Mersiha Imamoviçi nga IFS-Emmaus-i.
Fjetorja e saporindërtuar, e financuar nga Kisha, pritet të përfundohet brenda 13 muajsh. Ndërtesa bashkëkohore me dy kate do të sigurojë strehim për deri në 56 banues, duke ofruar kushte të përmirësuara lëvizjeje [nëpër godinë] për të pamundurit, siguri dhe rehati të përmirësuar. Me këtë përkrahje, IFS-Emmaus-i ka përfunduar gjithashtu planet për të riparuar dy godinat e tjera të fjetjes.
Kemal Bratiçi, kryetari i komunës së Doboj-Istokut, lavdëroi shërbimin prej shumë kohësh të fondacionit IFS-Emmaus dhe falënderoi Kishën për vlerësimin dhe përkrahjen e misionit humanitar të organizatës.
“Sigurisht do të ketë shumë libra që do të shkruhen rreth fondacionit IFS-Emmaus dhe projekteve të mirëqenies që kanë bërë për këtë komunitet”, – tha ai. “I jemi mirënjohës Kishës për ndihmën ndaj njerëzve nevojtarë.”
Banorët e qendrës gjithashtu shprehën vlerësimin e tyre. Marima, njëra nga përfitueset, shprehu falënderime të veçanta për Kishën “që investon shpresë dhe burime në një projekt që do të lehtësojë jetën dhe do të përmirësojë qëndrimin tonë në këtë komunitet”.
Kisha dhe fondacioni IFS-Emmaus kanë bashkëpunuar prej vitesh për projekte që përkrahin arsimimin, shëndetin dhe zhvillimin komunitar anekënd Bosnjë‑Hercegovinës.
Nisma të mëparshme të përbashkëta përfshijnë rindërtimin dhe plotësimin me pajisje të shkollave fillore, dhurimin e pajisjeve mjekësore për qendrat shëndetësore në Konjic dhe Jabllanica pas përmbytjeve të vitit 2024, përmirësimin e infrastrukturës së komunitetit, përfshirë sistemet e ngrohjes, kuzhinat e oborret, dhe përkrahjen për kujdesin për emigrantët, programet për nevojat bazë dhe shërbimin vullnetar duke përfshirë misionarë dhe anëtarë vendorë të Kishës.
Plaku Xhejms W. Mek‑Konki III, një Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë i Kishës, mori pjesë në ceremoni dhe theksoi vlerat e përbashkëta që bashkojnë Kishën dhe popullin e Bosnjë‑Hercegovinës.
Ai vuri në dukje urdhërimin e dytë të madh të Shpëtimtarit, “duaje[ni] të afërmin t[uaj]”, dhe shprehu mirënjohje për mundësinë për të punuar krah për krah partnerëve që kujdesen thellësisht për njerëzit e pamundur.
“Faleminderit që jeni lloji i njerëzve që kujdesen për të varfrit dhe nevojtarët, për fqinjët tuaj, për vëllezërit e motrat tuaja”, – tha Plaku Mek-Konki. “Faleminderit që na lejoni të bashkohemi me ju në këtë punë të mrekullueshme.”