“Lavdia e Perëndisë është inteligjencë.” Ky parim themelor i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme stimulon përkrahjen e gjerë të Kishës për arsimimin dhe përvetësimin e shkrimit dhe leximit midis anëtarëve dhe miqve të saj.
Përvetësimi i shkrimit dhe leximit shkon përtej aftësisë për të lexuar dhe shkruar në letër. Në epokën digjitale, ai u krijon njerëzve mundësinë të kenë qasje, të kuptojnë, të vlerësojnë, të krijojnë përmbajtjet digjitale, të komunikojnë dhe të përfshihen në mënyrë të sigurt dhe të përshtatshme në to.
Sipas UNESCO‑s (Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën), afro 740 milionë të rinj dhe persona në moshë madhore në mbarë botën ende nuk kanë aftësitë bazë të shkrimit dhe leximit, duke penguar në këtë mënyrë përparimin dhe duke përjetësuar varfërinë. Për më tepër, 4 nga 10 fëmijë nuk po arrijnë nivelet minimale të zotërimit të leximit.






Në Mal të Zi, Kisha ka bashkëpunuar me organizatën “Defendologija” për të ofruar materiale arsimore, këpucë dhe veshje për fëmijët romë. Përkrahja financiare nga ana e Kishës u mundëson ekipeve të organizatës “Defendologija” ofrimin e seminareve praktike, orëve mësimore që lidhen me shkollën, dhe përkrahje për detyrat e shtëpisë në lexim, shkrim dhe aritmetikë për fëmijët e moshave 3 deri në 18 vjeç që jetojnë në vendbanimet joformale të komunitetit rom.
Kisha bashkëpunon me organizata të tjera ndihmëse si UNICEF‑i (agjencia e Kombeve të Bashkuara për fëmijët); Jesuit Relief Service [Shërbimi i Ndihmës së Jezuitëve] (JRS) [SHNJ], Caritas Internationalis dhe Kryqi i Kuq për të përkrahur nismat, duke përfshirë:
- Mjete parashkollore në Baku, Azerbajxhan
- Mjete mësimore për refugjatët në Adana, Turqi
- Mjete për t’u dhënë mësim fëmijëve autikë dhe nxënësve me probleme me dëgjimin në Hungari
- Trajnim gjuhësor në Luksemburg
- Mjete shkollore, pajisje dhe infrastrukturë në Austri, Belgjikë, Bosnje, Bullgari, Greqi, Gjermani, Holandë, Itali, Kosovë, Maqedonia e Veriut, Qipro, Rumani, Serbi, Sllovaki, Spanjë, Shqipëri dhe Uzbekistan.
Kurse të Financuara nga Kisha
- EnglishConnect: Një kurs në internet dhe me prani fizike për të ndihmuar pjesëmarrësit të bëhen të zotë në gjuhën angleze përmes një atmosfere miqësore dhe pozitive. Për të gjetur një kurs pranë jush, shkoni në faqen EnglishConnect.org.
- Programi Universitar në Internet UBJ–Pathway: Kjo shkollë ndërkombëtare, e financuar nga Kisha, jep certifikata, diploma profesionale dhe diploma universitare në shumë fusha studimi. Vizitojeni faqen byupathway.edu për të mësuar më shumë.
“Jam e lumtur që ëndrra ime për të mësuar gjuhën angleze u bë realitet. Perëndia e përgatiti udhën për mua!
Mësimet dhe tematikat më ndihmuan dhe ma ndryshuan jetën.”
– Mariana Toska, Shqipëri
Le ta Nxitim Përvetësimin e Shkrimit dhe Leximit si dhe të të Mësuarit Gjatë Gjithë Jetës
Ndërsa kremtojmë Ditën e Shkrimit dhe Leximit, le të kujtojmë pse shkrimi dhe leximi si dhe të mësuarit gjatë gjithë jetës janë kaq thelbësorë. Siç tha Dallin H. Ouksi, një nga udhëheqësit e Kishës, në vitin 2009: “Të mësuarit gjatë gjithë jetës mund të na e rritë aftësinë për të vlerësuar e shijuar funksionimin dhe bukurinë e botës që na rrethon”