Plaku Masimo De Feo, President i Zonës së Europës Qendrore të Kishës, me Ermand Agollin nga Fondacioni “Kujdestari i Fëmijëve”.
Lizi Grezda nga Fondacioni Spitalor i Nënës dhe Fëmijës.
Plaku Elsuorth dhe Motra Andersen nga Zyra e Zonës së Kishës.
Plaku dhe Motra Elsuorth me Lizi Grezdën dhe Motrën Hysi.
Presidenti dhe Motra Auras, Udhëheqës Misioni në Shqipëri, me Plakun dhe Motrën Elsuorth.
Blerta Drenofci nga Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara.
Plaku Masimo De Feo me Xhastin Armeidën nga Fondacioni “Besim në Çdo Hap” dhe Anxhela Hoxhën.
Plaku Masimo De Feo si folësi kryesor në ngjarjen e vlerësimit të partnerëve në Tiranë, Shqipëri më 2 nëntor 2023.
Figura e Samaritanit të mirë – tema e ngjarjes.
Motra Elsuorth me Jona Leicën, mjeke që punon në spitalin e Gjirokastrës.
Të ftuar gjatë ngjarjes së vlerësimit në Tiranë, Shqipëri më 2 nëntor 2023.
Motra Rozaria Skuoto nga shoqata Daughters of Charity, St. Vincent de Paul [Bijat e Bamirësisë të Seint Vinsent de Polit], së bashku me Plakun De Feo dhe Presidentin Mene.
Saimir Ustabeqiri, Drejtori i Shoqatës së Invalidëve Paraplegjikë dhe Tetraplegjikë, Dega Shkodër
Oltion (Toni) Shena, Themeluesi dhe Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit “Ushqyerja për Shqipërinë”
Armida Alikaj dhe Elias Mazlumi nga organizata “Investime për Zhvillimin Shoqëror”
Udhëheqës nga Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme u mblodhën te Hotel Tirana International ditën e enjte, më 2 nëntor 2023, për të shprehur vlerësimin ndaj drejtorëve të organizatave të komunitetit që bashkëpunuan me Kishën për t’u shërbyer të varfërve dhe nevojtarëve në mbarë Shqipërinë.
Kisha ka dhuruar 2 miliardë dollarë për organizatat bamirëse dhe ato me bazë fetare në të gjithë botën që kur filloi përpjekjet e saj humanitare shumë vite më parë. Shqipëria është vetëm një nga 157 vendet ku Kisha kreu projekte gjatë vitit të kaluar.
“Ne përpiqemi fort t’i jetojmë dy urdhërimet e mëdha: së pari të duam Perëndinë dhe së dyti të duam të tjerët”, tha Plaku Masimo De Feo, president i Zonës së Europës Qendrore të Kishës. “Gëzimi ynë më i madh vjen kur u vijmë në ndihmë të tjerëve.”
Kristofer dhe Dona Elsuorthi, misionarë humanitarë për Kishën që shërbejnë në Shqipëri, shpërndanë çanta me dhurata për përfaqësuesit e shumë organizatave që morën pjesë në ngjarje. Mes dhuratave u përfshi një pikturë e veçantë që paraqet shëmbëlltyrën e Samaritanit të mirë.
“Kur e pyetën Jezusin se kush është i afërmi im, Ai u përgjigj me shëmbëlltyrën e Samaritanit të mirë”, tha Motra Elsuorth. “Jezusi është shembulli i përkryer i përkujdesit ndaj nevojtarëve. Kur e duam Perëndinë, Ai i drejton zemrat tona te dashuria dhe përkujdesja për të tjerët.”
“Ju të gjithë jeni shembuj të mrekullueshëm për ne”, tha ajo. “Faleminderit që na u bashkuat në këtë punë të rëndësishme.”
Plaku Elsuorth shtoi: “Jemi tepër të lumtur që jemi këtu mes popullit tuaj dhe që shërbejmë me ju. Ne e respektojmë secilin prej jush dhe organizatat tuaja që bëjnë kaq shumë për më pak fatlumët.”
Lizi Grezda nga Fondacioni Spitalor i Nënës dhe Fëmijës fillimisht filloi të punojë me Kishën 10 vjet më parë. Në dekadën e fundit, Kisha ka dhuruar pajisje jetëshpëtuese për spitalet dhe “Kutitë e Shpresës” për nënat e reja, të cilat përmbajnë pelena, pudër bebesh, veshmbathje dhe më shumë.
“Ne jemi shumë mirënjohës dhe të inkurajuar nga dashuria që njerëzit e Kishës kanë treguar duke bashkëpunuar me ne”, tha ajo.
Blerta Drenofci, drejtore ekzekutive e Fondacionit Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, ka punuar me Kishën që nga viti 1996 për të ndihmuar në plotësimin e nevojave të personave me aftësi të kufizuara.
“Një nga projektet tona më të suksesshme është ofrimi i shërbimeve të karrigeve me rrota për njerëzit nevojtarë”, tha ajo. “Kjo po ndodh për shkak të përkrahjes bujare të Kishës.”
Kisha kohët e fundit dhuroi 800 karrige me rrota, duke përfshirë disa të projektuara posaçërisht për njerëzit me aftësi të kufizuara specifike. Kisha siguron gjithashtu burimet e nevojshme për të ndihmuar personelin mjekësor dhe punonjësit socialë që t’u mësojnë përfituesve se si t’i përdorin karriget e tyre të reja me rrota.
“Dhurimet këtë vit po ndihmojnë gjithashtu që fondacioni ta zgjerojë rrjetin e tij për të ofruar përkrahje për zonat më të largëta dhe rurale të Shqipërisë”, tha ajo.
Jetmir Hysi dhe Jurgen Mene, drejtues të Kishës në Shqipëri, shprehën gjithashtu vlerësimin e tyre.
“Jam mirënjohës për kohën dhe sakrificën tuaj për ata të cilëve u keni shërbyer dhe ua keni ndryshuar jetën”, tha Presidenti Hysi, President i Kunjit të Tiranës, Shqipëri. Ai u pasua nga Presidenti Mene, President i Distriktit të Elbasanit, i cili dëshmoi se “jeta me Perëndinë është një jetë më e lumtur”.
“Është e mrekullueshme të ndiesh frymën e bashkëpunimit dhe bashkërendimit ndërsa punojmë së bashku dhe ndajmë disa nga ndjenjat tona qoftë edhe për ungjillin e Jezu Krishtit”, tha Plaku De Feo. “Puna e rëndësishme që bëjmë së bashku, jo vetëm që na lejon të ndihmojmë nevojtarët, por të bëhemi dishepuj më të mirë të Jezu Krishtit.”