Afrikë

Kisha e Jezu Krishtit Vjen në Ndihmë për Vaksinimin e Ri Kundër Malaries në Afrikë

Rreth 40 000 fëmijë do ta bëjnë vaksinën

Infermierja Xhenet Uaniama përgatitet të vaksinojë një fëmijë kundër malaries në Spitalin e Qarkut të Malavës në Kakamega të Kenias, në vitin 2022.
Infermierja Xhenet Uaniama përgatitet të vaksinojë një fëmijë kundër malaries në Spitalin e Qarkut të Malavës në Kakamega të Kenias, në vitin 2022.

Në Konferencën Globale për Ndikimin e Vaksinave në Spanjë më 15 qershor 2023, organizata “Gavi, Aleanca për Vaksinat”, njoftoi një kontribut prej 3 milionë dollarësh amerikanë nga Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme për të përkrahur një fushatë historike të imunizimit kundër malaries në Afrikë.

Dhurimi nga Kisha do t’i forcojë përpjekjet e bashkërenduara të organizatave Gavi, UNICEF, Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe të tjerëve për të siguruar dhe shpërndarë vaksinën e re RTS,S kundër malaries. Në saje të ndihmës nga Kisha, rreth 39 500 fëmijë afrikanë do t’i marrin të katër dozat e nevojshme për imunitetin kundër malaries si rezultat i drejtpërdrejtë i këtij dhurimi. Kjo është pjesë e një fushate të madhe shumëvjeçare për vaksinimin e 4,5 milionë fëmijëve deri në vitin 2025.

“Malaria mbetet një nga sëmundjet më vdekjeprurëse në Afrikë, duke vrarë mijëra fëmijë të vegjël çdo vit”, – tha Gijom Groso, drejtori i Gav‑it për Angazhimin e Sektorit të Pavarur dhe Privat, Marrëdhëniet me Dhuruesit dhe Fushatat. “Falë financimit jetik nga dhurues si Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, ne mund të ndihmojmë në mbrojtjen e më shumë fëmijëve në rrezik ndërsa vaksina vihet në përdorim.”

Lidia Muondi me djalin e saj pasi ai u vaksinua kundër malaries në Spitalin e Qarkut të Malavës në Kakamega të Kenias, në vitin 2022.
Lidia Muondi me djalin e saj pasi ai u vaksinua kundër malaries në Spitalin e Qarkut të Malavës në Kakamega të Kenias, në vitin 2022.

Sipas Gavi‑t, rreth 475 000 fëmijë nën moshën pesë vjeç vdiqën nga malaria në Afrikë në vitin 2021, duke e bërë atë vrasësin më të madh të fëmijëve në kontinent – por deri vonë nuk ka pasur asnjë vaksinë në dispozicion. Një vaksinë kundër malaries ka qenë në zhvillim e sipër prej më shumë se 18 vjetësh. Vaksina RTS,S u miratua nga OBSH‑ja për përdorim të gjerë në tetor 2021, pas një programi pilot të suksesshëm në Ganë, Kenia dhe Malavi, ku rreth 1 milion fëmijë e bënë vaksinën. Kjo është vaksina e parë kundër malaries e miratuar nga OBSH‑ja, me vaksina të tjera që aktualisht janë në zhvillim e sipër.

“Kjo vaksinë e re RTS,S shumë e nevojshme kundër malaries, do të ndihmojë për të mbrojtur mijëra fëmijë të vegjël nga kjo sëmundje vdekjeprurëse”, – tha Zherald Kosé, Peshkopi Kryesues i Kishës. “Jemi mirënjohës që jemi pjesë e kësaj nisme historike.”

RTS,S‑ja vepron kundër parazitit Plasmodium falciparum, parazitit më vdekjeprurës të malaries në botë dhe më i përhapuri në Afrikë. RTS,S‑ja është vaksina e parë e rekomanduar për të parandaluar malarien tek fëmijët në zonat me transmetim mesatar deri të lartë të saj.

Ministri i Shëndetësisë së Ganës dhe shenjtori i ditëve të mëvonshme, Kuaku Agieman‑Manu, tha se kjo vaksinë kundër malaries mund t’u japë fund viteve të vuajtjeve në vend nga kjo “sëmundje e tmerrshme”.

“Në komunitetet anembanë vendit tim, njerëzit janë të ngazëllyer dhe kërkesa është e lartë”, – tha ai.

Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme e ka përkrahur Gavi‑n, Aleancën për Vaksinat, që nga viti 2011. Kisha u jep përkrahje monetare bashkëpunëtorëve të spikatur globalë për imunizimin që të sigurojnë dhe shpërndajnë vaksina, të mbikëqyrin sëmundjet, të reagojnë në raste shpërthimesh sëmundjesh, të trajnojnë punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe të zhvillojnë programet e eliminimit dhe çrrënjosjes. Këto përpjekje rezultojnë në më shumë fëmijë të imunizuar dhe më pak jetë të humbura nga malaria, fruthi, rubeola, tetanosi te nënat dhe të porsalindurit, poliomieliti, diarreja, pneumonia, ethet e verdha dhe sëmundje të tjera.

“Programet e imunizimit janë një investim në kapitalin njerëzor”, – tha Ministri i Shëndetësisë i Sierra‑Leones, Ostin Dembi. “Ato e përmirësojnë shëndetin publik, jetëgjatësinë dhe produktivitetin në punë. Ato janë një parapagesë për begatinë e ardhshme ekonomike.”

“Kjo përpjekje e shumëpritur për të imunizuar fëmijët kundër malaries me të vërtetë do të shpëtojë jetë”, – tha Presidentja e Përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, Kamill N. Xhonson. “Është një mënyrë e bukur në të cilën mund të ndihmojmë për të siguruar lehtësim, siç do të bënte Shpëtimtari.”

Përpjekjet Humanitare të Kishës së Jezu Krishtit

Nëpërmjet përpjekjeve të saj humanitare, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme e lehtëson vuajtjen, kultivon mbështetjen te vetja dhe siguron mundësi për shërbim. Kisha ndjek këshillën e Jezu Krishtit për të ushqyer të uriturit, për t’u dhënë për të pirë të eturve, për të pritur të huajt, për të veshur të zhveshurit dhe për të vizituar të sëmurët e të munduarit.

Ndihma humanitare e Kishës bëhet e mundur nga dhurimet bujare dhe vullnetarizmi i shenjtorëve të ditëve të mëvonshme dhe miqve të kësaj feje. Më shumë se 6 milionë orë pune janë dhënë si ndihmesë çdo vit nga vullnetarët në përkrahje të nismave për mirëqenien.

Kisha financon projekte për ndihmat dhe zhvillimin në më shumë se 190 vende dhe territore dhe jep ndihmë pavarësisht nga raca, lidhjet fetare apo kombësia. Ndihma bazohet te parimet thelbësore të përgjegjësisë vetjake, përkrahjes nga komuniteti, mbështetjes te vetja dhe qëndrueshmërisë.

Projekti i vaksinimit kundër malaries financohet pjesërisht nga LDS Charities Australia [Organizata Bamirëse SHDM Australi].


Rreth Gavi‑t, Aleancës për Vaksinat

Gavi është një organizatë ndërkombëtare e krijuar për të përmirësuar qasjen te vaksinat e reja dhe të pashfrytëzuara për fëmijët që jetojnë në vendet më të varfra të botës. Gavi ka ndihmuar në vaksinimin e gati 1 miliard fëmijëve që nga viti 2000, duke parandaluar më shumë se 16 milionë vdekje në të ardhmen.