Turqi

Kisha e Jezu Krishtit vazhdon të sigurojë ndihmë në Turqi me nisjen e projekteve të reja

U shpërndanë kuti të tjera me ushqime, komplete për higjienën, ujë dhe veshje për fëmijë

Dr.Ümit Multu Tiryak Director of Health Ministry of Gaziantep thanks Rahma Worldwide and the church for the donation (fltr: Dr. Ümit Multu Tiryak, Elder Peter Huber, Dr.Shadi Zaza, Elder Ruben Alliaud.
Dr.Ümit Multu Tiryak Director of Health Ministry of Gaziantep thanks Rahma Worldwide and the church for the donation (fltr: Dr. Ümit Multu Tiryak, Elder Peter Huber, Dr.Shadi Zaza, Elder Ruben Alliaud.

Përpjekjet humanitare të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në Turqi dhe Siri vazhdojnë të bëhen pesë muaj pas tërmeteve të 6 shkurtit 2023, që goditën të dyja vendet. Këto përpjekje po zgjerohen tani në Turqi me nisjen e projekteve të reja. Kisha me përpjekjet e saj vazhdon ta bashkërendojnë këtë punë me autoritetet turke nëpërmjet AFAD‑it, agjencisë qeveritare të Turqisë për administrimin e fatkeqësive natyrore.

Përgjegjësi për Mirëqenien dhe Mbështetjen te Vetja për Zonën e Europës Qendrore, Kristian Otiker, nënvizon se “në vijim të tërmeteve shkatërruese që goditën Turqinë dhe Sirinë në shkurt 2023, ne qëndrojmë të vendosur në angazhimin tonë për të lehtësuar vuajtjet, për të ruajtur dinjitetin njerëzor dhe për të rrënjosur shpresën tek të gjithë ata që janë prekur. Në bashkërendim me qeverinë dhe përkrahjen e shumë organizatave të tjera ndihmëse, ne e mirëpresim përgjegjësinë për t’u siguruar ndihmë komuniteteve të shkatërruara. Nën drejtimin e Presidencës së Zonës së Europës Qendrore të Kishës, ne mbetemi të përkushtuar për t’i qëndruar në krah popullit të Turqisë, duke ofruar një dorë ndihmuese në shtegun drejt shërimit dhe rimëkëmbjes”.

Një nga projektet e reja ka të bëjë me shpërndarjen e ujit në shishe për popullsinë e prekur nga tërmetet. Me infrastrukturën e shkatërruar dhe temperaturat e larta tipike të verës, ky është një lehtësim tepër i nevojshëm. Gjithsej pesë milionë shishe me 1.5 litra do të shpërndahen gjatë dy muajve. Më 19 qershor 2023, në qytetin e Malatisë, ku dhe ka një burim natyror uji, u ngarkua kamioni i parë nga gjashtë të tillë të përditshëm me 16 800 shishe uji. Këta kamionë do ta çojnë ujin në shishe nëpër magazina të ndryshme të AFAD‑it, në katër qytete që janë zonat kryesore të prekura – Adijamani, Hataji, Kahramanmarasi dhe Malatia. Prej andej uji më pas do të shpërndahet në kampet ku aktualisht jetojnë mijëra familje.

Në muajin qershor filloi gjithashtu një projekt i ri për shpërndarjen e 100 000 kutive me ushqime dhe 200 000 kompleteve shtesë për higjienën. Do të ndiqet i njëjti model shpërndarjeje në zonat e prekura, nëpërmjet strukturave vendore të AFAD‑it në zonën e prekur. Kamioni i parë, i ngarkuar me 2 184 kuti me ushqime u nis javën e parë të korrikut. Kamionët që mbartin komplete për higjienën mund të mbajnë deri në 3 000 copë secili.

Të gjithë artikujt po merren dhe blihen në vend, duke bërë që ekonomia vendore të marrë veten dhe kjo nga ana tjetër lejon që më shumë njerëz të punësohen sërish. Plaku dhe motra Huber, vullnetarë me shërbim të cilët kanë bashkërenduar punën në vend përmendën që “duke qenë se shumë njerëz kanë humbur jo vetëm shtëpitë e pasuritë e tyre, por edhe punën, ishte e rëndësishme që t’u jepnim këtyre njerëzve mundësi të reja pune kudo që të ishte e mundur. Prandaj, kur e porositëm ujin, morëm parasysh një kompani që ishte vetë e prekur dhe e dëmtuar nga tërmeti. Kompania i ka riparuar dëmet, ka përfshirë më tepër njerëz dhe është tepër mirënjohëse për porosinë e madhe të kishës. Kjo po e ndihmon kompaninë të mbijetojë.”

Kutitë me ushqime përfshijnë disa artikuj bazë si sheqer, kripë, oriz, lloje të ndryshme fasulesh, bollgur, makarona, reçel, vaj luledielli dhe salcë domateje. Kompletet për higjienën ndër të tjera përfshijnë sapun, detergjent, letër higjienike, artikuj sanitarë, artikuj higjiene dhe rroba të brendshme për burra e gra. Çdo ditë, qendrat e telefonatave të krijuara nga AFAD‑i në katër qytetet kryesore marrin kërkesa që vijnë rregullisht nga çdo kamp me tenda dhe kontejnerë në zonat përkatëse fqinje dhe i bashkërendojnë dërgesat e këtyre artikujve brenda 24 orëve në vijim.

Kisha gjithashtu ndihmoi në dhurimin e veshjeve të reja për fëmijë që zakonisht lidhen me festën e Bajramit të Vogël ose e Kurban Bajramit e cila është një nga festat më të vjetra islame në Turqi. Ai përkujton historinë e Profetit Ibrahim (Abraham) i cili tregoi bindje ndaj Perëndisë duke pranuar të sakrifikonte birin e tij. Më pas, në vend të kësaj, Perëndia i dërgoi atij një dash për ta sakrifikuar. Festa e Kurban Bajramit bëhet rreth 70 ditë pas festës së Ramazanit dhe më vonë në Turqi ajo u kthye në një festë familjare, dhe në vend të sakrifikimit të kafshëve, njerëzit bëjnë dhurime tek të varfrit dhe organizatat bamirëse.

Është bërë gjithashtu zakon që gjatë kësaj feste të vishen rrobat më të mira, dhe tradicionalisht, fëmijët presin të marrin si dhuratë një komplet të ri veshjesh. Me shkatërrimet e bëra nga tërmetet, shumica e familjeve thjesht nuk kishin se si t’i blinin ato veshje. Udhëheqja e Kishës për Zonën e Europës Qendrore vendosi të ndihmojë dhe siguroi 50 000 çanta që përfshinin veshje për fëmijë në tetë masa, për djem e vajza.

Mbledhja, seleksionimi dhe shpërndarja e këtyre veshjeve u bë me ndihmën e vullnetarëve me shërbim të Kishës dhe anëtarëve të Kishës që jetojnë në Turqi. Ajo u krye në kohë, meqë festa u kremtua këtë vit më 28 qershor. Plaku Ruben V. Alliod, këshilltar i dytë në Presidencën për Europën Qendrore, mori pjesë në shpërndarjen e veshjeve për fëmijë.

Kisha nisi gjithashtu një projekt të ri që synon të dhurojë 5 000 kondicionerë që do të instalohen në kontejner‑shtëpitë që janë shtëpitë e përkohshme të shumë familjeve. Me temperaturat që shkojnë në 40–50 gradë celsius në verë, kushtet brenda këtyre shtëpive të përkohshme janë gjithashtu të skajshme. Mundësia për të ulur temperaturën i lejon familjet të jetojnë dhe të pushojnë natën. AFAD‑i po porosit gjithashtu 50 000 kondicionerë dhe pritet që instalimi të bëhet nga furnizuesi vendor Beko dhe nga kompani të tjera. Ky projekt do të përfundojë në javët që do të vijojnë.

Një projekt tjetër i ri i financuar nga Kisha ishte ndërtimi dhe shpërndarja e 50 kontejner‑shtëpive për personelin shëndetësor dhe mjekësor që aktualisht po punon në spitalin kryesor të Antakias, në zonën e Hatajit. Këto kontejner‑shtëpi të veçanta përfshijnë dy dhoma gjumi teke, dy tualete dhe një kondicioner. Projekti po bëhet në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë të Turqisë dhe do të përfundojë nga mesi i muajit korrik.

Projekte të tjera ndihmash të nisura nga Kisha disa ditë pas goditjes së tërmeteve tani janë drejt përfundimit. Spitali i fundit i lëvizshëm nga pesë të tillë që u siguruan nga Kisha, u instalua në qytetin e Altinozut, në krahinën e Hatajit, dhe i hapi dyert më 22 qershor 2023. Katër vendndodhjet e tjera janë qyteti i Erzinit, qyteti i Pajas dhe qyteti i Jajladagit, gjithashtu në krahinën e Hatajit, dhe në qytetin e Oguzelit, në krahinën e Gaziantepit. Stafi mjekësor që punon në këto spitale të lëvizshme fillimisht punonte në spitale në zonat e prekura, të cilat tani nuk mund të funksionojnë më për shkak të dëmeve që kanë pësuar. Sa herë që këto spitale të lëvizshme të urgjencës nuk nevojiten më, ato do të ruhen në një strukturë qendrore në Turqi dhe do të jenë gati për t’u vendosur në zona të tjera të vendit, sipas nevojës.

Një projekt tjetër që ka të bëjë me furnizimin me 500 kontejner‑shtëpi për njerëzit e zhvendosur nga tërmetet është drejt përfundimit. 434 njësi janë instaluar tashmë në disa kampe rreth Antakjas dhe 66 njësitë e mbetura do të instalohen gjatë muajit korrik 2023. Këto kontejner‑shtëpi përdoren për të strehuar familjet në kushte më të mira dhe për të zëvendësuar gradualisht kampet me tenda.

Së fundmi përfundoi edhe riparimi i “Spitalit Arsimor dhe Kërkimor Dr. Ersin Arslan” në qytetin e Gaziantepit. Spitali u dëmtua rëndë nga tërmetet dhe pjesa më e madhe e tij duhej të evakuohej. Spitalet e tjera në atë zonë ishin jashtëzakonisht të mbingarkuar me pacientë. Pas një ftese nga Rahma Worldwide, një OJQ që ofron gjithashtu përkrahje për kujdes e ndihmë anembanë globit, udhëheqja vendore e Kishës për Zonën vendosi të sigurojë fondet për të ndihmuar në rindërtimin dhe rinovimin e nivelit të parë dhe të dytë të bodrumit të spitalit, në mënyrë që të jetë në gjendje të mirëpresë dhe t’i japë kujdes mjekësor fluksit të shtuar të pacientëve. Para tërmeteve, spitali kishte rreth 2 000 shtrime në ditë; ky numër u dyfishua pas tërmetit.

Pas një muaji punë, zona e re e spitalit që përfshin dy kate shtesë u përurua më 22 qershor 2023. Drejtori i Shëndetësisë së Krahinës, Dr. Umit Mutlu Tiriaki, shprehu vlerësimin e tij për organizatën Rahma Worldwide dhe Kishën për këtë dhurim domethënës. Kompanitë vendore që u përfshinë në punimet e ndërtimit ishin gjithashtu jashtëzakonisht mirënjohëse për mundësinë që të rifillonin biznesin e tyre dhe të ofronin punësimin aq të nevojshëm në zonë.

Plaku Ruben V. Alliod, i Presidencës për Zonën e Europës Qendrore, shprehu mirënjohje të thellë për mundësinë që të dëshmonte drejtpërdrejt angazhimin e palëkundur të Kishës për të ndihmuar viktimat nga tërmetet shkatërruese. I pranishëm në përurimin e zonës së re të rindërtuar të spitalit në Gaziantep, Plaku Alliod theksoi se “kjo ndihmë e dhembshur mishëron përkushtimin e Kishës për të ndjekur mësimet e Jezu Krishtit, të cilat u bëjnë thirrje të gjithë njerëzve që të kujdesen për nevojtarët. Nëpërmjet këtyre përpjekjeve, Kisha vijon ta tregojë misionin e saj të përzemërt për t’u sjellë lehtësim e shpresë atyre që përballen me fatkeqësi”.

Shërbimet Humanitare të Kishës së Jezu Krishtit

Shërbimet humanitare të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme e lehtësojnë vuajtjen, kultivojnë mbështetjen te vetja dhe sigurojnë mundësi për shërbim. Ato ndjekin këshillën e Jezu Krishtit për të ushqyer të uriturit, për t’u dhënë për të pirë të eturve, për të pritur të huajt, për të veshur të zhveshurit dhe për të vizituar të sëmurët e të munduarit.

Ndihma humanitare e Kishës bëhet e mundur nga dhurimet bujare dhe vullnetarizmi i shenjtorëve të ditëve të mëvonshme dhe miqve të kësaj feje. Më shumë se 6 milionë orë pune janë dhënë si ndihmesë çdo vit nga vullnetarët në përkrahje të nismave për mirëqenien.

Kisha financon projekte për ndihmat dhe zhvillimin në më shumë se 180 vende e territore dhe jep përkrahjen e saj pavarësisht nga raca, lidhjet fetare apo kombësia. Ndihma bazohet te parimet thelbësore të përgjegjësisë vetjake, përkrahjes nga komuniteti, mbështetjes te vetja dhe qëndrueshmërisë.

Projektet në Turqi dhe Siri financohen pjesërisht nga LDS Charities Australia [Organizata Bamirëse SHDM në Australi].