Mbi 700 anëtarë të rinj në moshë madhore dhe miq të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, u mblodhën javën e kaluar në Berlin, për një konferencë shërbimi mbarë europiane, të përqendruar te puna vullnetare në Lojërat e Veçanta Olimpike 2023. Si vullnetarë, ata u ftuan të bashkoheshin edhe në ceremoninë e madhe të hapjes në “Olympiastadion” të Berlinit me gati 50 000 spektatorë.
Konferenca e shërbimit filloi ditën e premte, më 16 qershor 2023 dhe përfundoi ditën e diel më 25 qershor. Pjesëmarrësit e konferencës erdhën nga mbarë bota, pjesa më e madhe nga Europa, duke përfaqësuar 48 vende në total.
Dy të rinj në moshë madhore, Dan Vinkleri nga Gjermania dhe Tabita Aversa nga Brazili, ishin pjesë e skuadrës organizuese të konferencës së Kishës. “Të gjitha elementet e kësaj konference ishin të përqendruara te ndihma ndaj të tjerëve”, – thotë Tabita. “Programi ynë kryesor ishte të ndihmonim në Lojërat e Veçanta Olimpike gjatë ditës dhe në mbrëmje kishte disa veprimtari shtesë të planifikuara prej nesh”, – vijon ajo. “Shpresoj që gjithsecili ta ketë ndier dashurinë që Perëndia e ka për të gjithë fëmijët e Tij. Kjo dashuri më shtyu mua që të ndihmoja në këtë konferencë dhe shpresoj që gjithsecili të jetë ndier kështu, nga koha e kaluar së bashku dhe bërja e diçkaje të mirë për të tjerët”, – thotë në përfundim Tabita.
Të Rinjtë në Moshë Madhore në Ceremoninë e Hapjes së Lojërave të Veçanta Olimpike, në “Olympiastadion” të Berlinit, të shtunën, më 17 qershor 2023.
Ceremonia e Hapjes së Lojërave të Veçanta Olimpike në “Olympiastadion” të Berlinit, të shtunën, më 17 qershor 2023.
Të Rinjtë në Moshë Madhore gjatë një shërbese kishtare të dielën në Qendrën e Kunjit në Berlin, më 18 qershor 2023.
Plaku Masimo De Feo gjatë një takimi shpirtëror me pjesëmarrësit e konferencës, të dielën, më 18 qershor 2023.
Vullnetarët ndihmojnë në Lojërat e Veçanta Olimpike.
Skuadra Organizuese e Konferencës së Shërbimit për Lojërat e Veçanta Olimpike 2023, nga e majta në të djathtë: Plaku Helmut Uondra, Miroslav Stanojeviç, Plaku Robert Suift, Motra Karla Suift, Andreas Fraitag, Timna Aversa, Dan Vinkler, Tabita Aversa, Stefani Rakov, Holger Rakov, Tauana Aversa, Una Halpin, Oliver Berndt.
Oliver Bytel, përgjegjësi për vullnetarët i Lojërave të Veçanta Olimpike, personi zyrtar i kontaktit, përkrah Kishën në përpjekjet vullnetare.
Të Rinjtë në Moshë Madhore marrin pjesë në konferencën e shërbimit.
Vullnetarët ndihmojnë në Lojërat e Veçanta Olimpike.
Vullnetarët ndihmojnë në Lojërat e Veçanta Olimpike.
Të Rinjtë në Moshë Madhore gjatë një mbrëmjeje vallëzimi, mbrëmjen e së premtes, më 23 qershor 2023.
Të Rinjtë në Moshë Madhore gjatë një mbrëmjeje vallëzimi, mbrëmjen e së premtes, më 23 qershor 2023.
Disa pjesëmarrës në konferencën e shërbimit mblidhen për një fotografi grupi përpara Qendrës së Kunjit në Berlin, të shtunën, më 24 qershor 2023.
Vullnetarët ndihmojnë në Lojërat e Veçanta Olimpike.
“Kjo konferencë ishte paksa ndryshe nga ajo që bëjmë zakonisht, sepse nuk ishte vetëm për t’u argëtuar, shoqëruar ose rritur shpirtërisht, por edhe për atë që mund të dhuronim nga koha, forca dhe talentet tona në shërbim të të tjerëve”, – thotë Dani. “Nisma për Lojërat e Veçanta Olimpike, është një shërbim për njerëzit e shoqërisë sonë, të cilët kanë nevojë të veçantë për më shumë përkrahje. Ata kanë mungesa në fusha të caktuara, gjë që kërkon një shkallë më të lartë zotimi nga ai që do të investonim zakonisht në një konferencë të tillë”, – vijon ai. “Shpresa ime është që të gjithë pjesëmarrësit ta kenë ndier atë shpirt të veçantë shërbimi dhe ta ndajnë atë me të tjerët në botë. Kjo pastaj mund të bëhet diçka shumë më e madhe sesa veç një kujtim i mirë konference, madje një lëvizje që na bashkon, përtej gjithë kufijve, me cilindo rreth nesh”, – thotë në përfundim Dani.
Kisha në Europë siguroi strehim, ushqim dhe veprimtari shoqërore për të gjithë pjesëmarrësit e konferencës, që përfshinte anëtarë dhe miq të Kishës të moshave 18 deri në 35 vjeç. Organizata e Lojërave të Veçanta Olimpike siguroi transport publik, shërbime të veçanta transporti, pajisje për vullnetarët, trajnime dhe detyra për vullnetarët në mbi 21 role. Vullnetarët mund të merrnin pjesë ose për një periudhë pesëditore ose gjatë gjithë kohës.
“Bashkëpunimi me grupe të mëdha si ato të Kishës së Jezu Krishtit është një përvojë e mirë, për grupet dhe për ne”, – thotë Oliver Byteli, përgjegjësi për vullnetarët i Lojërave të Veçanta Olimpike. “Grupet qëndrojnë gjithmonë bashkë dhe janë të dobishme sepse janë të qëndrueshme dhe të besueshme. Ato luajnë një rol të madh në përvojën vullnetare”, – vijon Byteli. “Ne shpresojmë që nëpërmjet ndihmës nga Kisha, të rritet ndërgjegjësimi për përfshirjen në shoqëri, jo vetëm për shkak të rëndësisë që ka vetë tema, por edhe për shkak të përmasës dhe nevojës së kësaj ngjarjeje përkatëse me shumë disiplina sportive.”
Për të shkruar emrin për në konferencën e shërbimit të Kishës, të gjithë pjesëmarrësve iu desh së pari të regjistroheshin si vullnetarë në Lojërat e Veçanta Olimpike. Vullnetarët shërbyen me turne gjatë ditëve, në tetë arenat zyrtare olimpike në Berlin. Mbrëmjeve, Kisha organizoi ngjarje shoqërore, përfshirë vallëzime, festë në plazh, kinema verore, karaoke, seminare si edhe shërbesa adhurimi me shumë veta të dielën.
“Kjo është diçka kaq e shëndetshme mbi të gjitha, që më bën të ndihem mirë”, – thotë Samuel Tesa, një i ri vullnetar nga Franca. “Mbi të gjitha, ka shumë frymë pozitive kudo rreth nesh. Ne po kujdesemi për njëri-tjetrin dhe ky është i gjithë qëllimi”, – vijon Tesa.
Bashkëpunimi me organizatën e Lojërave të Veçanta Olimpike ndodhi nëpërmjet një oferte të thjeshtë ndihme nga një çift misionar në moshë, që shërben në Berlin. Në Kishën e Jezu Krishtit, anëtarët në grupe moshash të ndryshme mund të bëjnë punë vullnetare me kohë të plotë në fusha të ndryshme, brenda ose jashtë vendit.
“Me profesion, kam punuar si mësues i edukimit fizik për fëmijët me nevoja të veçanta”, – thotë Robert Suifti, misionar në moshë nga Las Vegasi. “Kisha dëshirë të bëja diçka të ngjashme ndërkohë që isha në mision në Berlin dhe zbulova në internet se organizata e Lojërave të Veçanta Olimpike kërkonte vullnetarë. U thamë se kemi shumë të rinj në moshë madhore që do t’u pëlqente t’i shërbenin komunitetit dhe të bënin punë vullnetare në Lojërat e Veçanta Olimpike”, – vijon Suifti.
Shpejt fjala u përhap mes Të Rinjve në Moshë Madhore në Europë dhe mbarë botën, me dëshirën për t’u takuar së bashku nga vende dhe kultura të ndryshme dhe për t’i ndihmuar të tjerët nëpërmjet kësaj nisme kuptimplote. Presidenca e Zonës së Europës vendosi ta financojë këtë konferencë shërbimi unike për Lojërat e Veçanta Olimpike, për t’u siguruar të rinjve në moshë madhore mundësinë që ta tregojnë dashurinë e tyre për Perëndinë duke ndihmuar të tjerët dhe kultivuar një ndjenjë uniteti dhe përkatësie.
“Kjo është hera e parë që shoh një grup kaq të madh të të rinjve në moshë madhore duke bërë diçka kaq të mirë, kaq të kënaqshme e të fortë, jo thjesht si kishë por të hapur ndaj botës, së bashku me komunitetin dhe për komunitetin”, – thotë Plaku De Feo, president i Kishës për Zonën e Europës Qendrore. “Kjo është diçka që duhet ta bëjmë shumë e më shumë në të ardhmen”, – vijon ai. “Teksa shërbejmë në komunitet, ne ndihmojmë, ashtu siç bëri Jezu Krishti dhe, për rrjedhojë, ne ndiejmë se mund të bëhemi më shumë si Ai dhe natyra jonë ndryshon.”
Kur u pyet për shpresat e tij lidhur me rajonet e tjera në Europë mbi ndihmën ndaj të tjerëve, Plaku De Feo, thotë: “Mendoj se duhet ta përhapim lajmin dhe ndjenjën për ndihmë ndaj të tjerëve, për të ndezur më shumë ndjenja pozitive tek të tjerët. Do të bëhet një hov shpirtëror, me shumë më tepër njerëz që do të kenë dëshirën për t’i ndihmuar të tjerët. Kur mblidhemi së bashku dhe vazhdojmë të bëjmë mirë, ne mund të bëjmë gjëra të mëdha”, – thotë në përfundim Plaku De Feo.
Lojërat e Veçanta Olimpike Botërore përbëjnë ngjarjen sportive më të madhe përfshirëse në botë, me gati 7 000 atletë me aftësi të kufizuara që konkurrojnë në 26 disiplina. Mbi 12 000 vullnetarë nga mbarë bota dhanë ndihmesë në këto lojëra këtë vit.