Frankfurt-mbi-Majn

Kisha e Jezu Krishtit Dërgon Ushqime, Tenda, Furnizime Mjekësore dhe më Tepër në Turqi dhe Siri

Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme vijon të dërgojë ndihma për viktimat e tërmetit në Turqi dhe Siri me ndihmën e disa organizatave botërore.

Që nga rënia e tërmeteve të 6 shkurtit, ndihma e siguruar nga Kisha ka arritur në tërësi në më shumë se 5 milionë dollarë.

“Jetët e humbura dhe vuajtjet e shkaktuara nga këto tërmete kanë qenë tronditëse”, tha Peshkopi Kryesues i Kishës, Zherald Kosé. “Zemra dhe lutjet tona shkojnë vërtet për vëllezërit dhe motrat tona në Turqi dhe Siri. Jemi thellësisht mirënjohës që ne si Kishë kemi mundësi për t’i ndihmuar ata tani dhe në rrugëtimin e tyre të gjatë drejt rindërtimit.”

Zyra e zonës së Kishës në Gjermani po dërgon në Turqi 40 tenda të mëdha (ku në secilën mund të strehohen 20 njerëz), shoqëruar me një furnizim bujar me veshje për burra, gra dhe fëmijë.

“Është e mrekullueshme kur anëtarët e shoqërisë të besimeve të ndryshme bashkëveprojnë për të siguruar ndihmë”, tha Abdullah Kaja, anëtar i Këshillit Konsultativ për të Huajt në Frankfurt.

Konsullata turke në Frankfurt ka krijuar një qendër grumbullimi për të siguruar dërgim të sigurt të dhurimeve nga Gjermania te viktimat e tërmetit.

Po sigurohen ndihma të tjera të përkrahura nga Kisha kundrejt Turqisë nëpërmjet organizatave të tilla si Project HOPE dhe Adventist Development and Relief Agency [Agjencia Adventiste e Zhvillimit dhe Ndihmës] (ADRA). Këtu përfshihen ushqime, ujë, streha, klinika shëndetësore, pajisje ngrohëse, pallto, furnizime mjekësore, komplete të higjienës, batanije, artikuj për fëmijë dhe gjeneratorë.

Në Siri, Kisha po përkrah punën e organizatave të tilla si MedGlobal, Korpusi i Mëshirës, Korpusi Mjekësor Ndërkombëtar dhe Rahma Worldwide. Këtu përfshihen kujdesi mjekësor për dhjetëra mijëra njerëz, si edhe ushqim, ujë, streha, batanije, lëndë djegëse, komplete të higjienës, furnizime për foshnjat dhe shërbime sanitare.

“Kjo përgjigje është një shpërfaqje e zotimit tonë ndaj dy urdhërimeve të mëdha. Ne e tregojmë dashurinë tonë për Perëndinë duke u ofruar për të dhënë ndihmë ndaj fëmijëve të Tij, cilado qoftë vendndodhja apo formimi kulturor i tyre”, tha Blejn R. Maksfilld, drejtor përgjegjës i Shërbimeve të Kishës për Mirëqenien dhe Mbështetjen te Vetja. “Do të ishte e vështirë të teprohej me mirënjohjen tonë për organizatat e mrekullueshme ndihmëse që punojnë krah nesh për ta bërë të mundur këtë reagim, ose për anëtarët dhe miqtë e Kishës, të cilët japin aq bujarisht në këto kohë nevoje të madhe.”

Shërbimet Humanitare të Kishës së Jezu Krishtit

Shërbimet humanitare të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme e lehtësojnë vuajtjen, kultivojnë mbështetjen te vetja dhe sigurojnë mundësi për shërbim. Ato ndjekin këshillën e Jezu Krishtit për të ushqyer të uriturit, për t’u dhënë për të pirë të eturve, për të pritur të huajt, për të veshur të zhveshurit dhe për të vizituar të sëmurët e të munduarit.

Ndihma humanitare e Kishës bëhet e mundur nga dhurimet bujare dhe vullnetarizmi i shenjtorëve të ditëve të mëvonshme dhe miqve të kësaj feje. Më shumë se 6 milionë orë pune janë dhënë si ndihmesë çdo vit nga vullnetarët në përkrahje të nismave për mirëqenien.

Kisha financon projekte për ndihmat dhe zhvillimin në më shumë se 180 vende dhe territore dhe jep ndihmë pavarësisht nga raca, lidhjet fetare apo kombësia. Ndihma bazohet te parimet thelbësore të përgjegjësisë vetjake, përkrahjes nga komuniteti, mbështetjes te vetja dhe qëndrueshmërisë.

Projektet në Turqi dhe Siri janë financuar pjesërisht nga LDS Charities Australia [Organizata Bamirëse SHDM Australi].