Vitin e fundit, The Tabernacle Choir at Temple Square nxori një program për të përfshirë këngëtarë ndërkombëtarë në radhët e veta. Këtë vit, këngëtarë europianë u ftuan të merrnin pjesë në provat përzgjedhëse për Korin. Heber Ferraz‑Lajte do të jetë pjesëmarrësi i parë në rang botëror nga Austria që do të këndojë me Korin në konferencën e përgjithshme të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, më 6–7 prill 2024.
“Nuk mund të them se kjo është një ëndërr që u bë realitet”, – tha Heberi, – “sepse as nuk kisha ëndërruar kurrë të këndoja me The Tabernacle Choir. Ishte diçka e paarritshme për mua.”
The Tabernacle Choir, fitues i çmimeve, është një nga koret më të vjetra dhe më të mëdha në botë. Kori ka interpretuar përpara spektatorëve në më shumë se 28 vende dhe ka shitur miliona kopje albumesh.
I lindur në Uruguai, Heberi imigroi drejt Austrisë me familjen e tij pikërisht përpara se të mbushte dymbëdhjetë vjeç. Babai i tij, një neurokirurg, kishte pranuar një ofertë pune në Vjenë. “Plani ishte që të qëndronim një ose dy vjet, por ata ia zgjatën kontratën dhe ne përfunduam duke qëndruar përgjithmonë”, – thotë Heberi duke buzëqeshur. “Ndaj me shumë siguri jam më shumë austriak sesa uruguajan tani. Dashuria ime për sportin e skive është provë për këtë.”
Heberi u rrit si anëtar aktiv i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Pas shërbimit në një mision kohëplotë për Kishën në veri të Spanjës, Heberi u kthye në Vjenë dhe te dashuria e tij për vallëzimin e salsës. Ashtu u njoh me bashkëshorten e vet, e cila u lind dhe u rrit në Peru, por ka paraardhës austriakë. Tani ata jetojnë në periferi të Vjenës ku Heberi punon si analist sipërmarrjesh në teknologjinë e informacionit, duke hartuar sisteme që përmirësojnë proceset e ndërlikuara të sipërmarrjeve. Ata gëzojnë shoqërinë e katër fëmijëve të tyre të rritur dhe të miqve të shumtë.
Kur Heberi ishte gjashtë vjeç, ai filloi mësimet e pianos dhe mësoi teorinë bazë të muzikës. Gjatë viteve të adoleshencës së Heberit, nëna e tij shërbente si pianiste e lagjes dhe ushtrohej në shtëpi. Ajo i kërkonte atij të këndonte himnet ndërkohë që luante, që të mund të ushtrohej me ritmin. Nuk kaloi shumë kohë dhe Heberi filloi të këndonte pjesët e zërave të ndryshëm të çdo strofe të re. Kështu, ndërkohë që e ëma forconte aftësitë e saj në piano, ai mësoi si të bënte zërin e parë dhe të dytë dhe zbuloi se kishte vesh të mirë për muzikë.
“Kur isha 16 vjeç, pashë filmin ‘Amadeusi’ me tim atë dhe zbulova se e adhuroja muzikën klasike”, – tha Heberi. “Më pëlqejnë shumë opera dhe oratoriot.” Heberi ka kënduar gjithnjë në koret e kishës, por nuk ka pasur formim profesional për zërin. “Unë nuk e konsideroj veten muzikant, por e adhuroj muzikën.” Udhëheqësit e misionit të tij në Spanjë qenë të dy ish‑këngëtarë të The Tabernacle Choir, ndaj muzika qe një pjesë e rëndësishme e përvojës së tij misionare. “Çdo konferencë misionarësh ishte si provë kori”, – kujtoi ai.
Pasi u rekomandua nga Presidenca e Zonës së Europës Qendrore, Heberi mori një mesazh me postë elektronike nga The Tabernacle Choir, ku e ftonin për provat përzgjedhëse. Procesi zgjati rreth dhjetë javë, duke filluar me një intervistë përmes internetit për të trajtuar hollësitë praktike. Në vijim erdhi prova përzgjedhëse teknike. Ai pati rreth një muaj kohë për të bërë regjistrime të zërit të tij duke interpretuar në mënyra të ndryshme, ndaj kërkoi ndihmë nga të tjerët. Një mike e familjes, e cila është një këngëtare operistike në Spanjë, i dha atij mësimet e para për zërin përmes internetit dy herë në javë. “Ke katër javë për të më kthyer në Pavarotin e ardhshëm”, – i tha Heberi asaj. Ai ia dorëzoi regjistrimet komitetit të shqyrtimit në Solt‑Lejk‑Siti dhe priste me bindje që ta refuzonin.
Por atë nuk e refuzuan dhe shkoi deri në fazën e fundit, një provë përzgjedhëse 15‑minutëshe drejtpërsëdrejti përmes internetit me Rajën Mërfin, ndihmësdirigjentin e The Tabernacle Choir. “Isha shumë në siklet”, – tha Heberi. “E sistemova kompjuterin dhe mikrofonin në vendin më të mirë që munda të gjeja në shtëpi, dhe i çova bashkëshorten dhe fëmijët në dhomën tjetër.” Prova përzgjedhëse nisi mirë, por gradualisht u bë më e vështirë dhe Heberi mendoi: “Jo, nuk jam aq i mirë sa duhet”. Ai e mbylli fuqishëm por përsëri qe i bindur se nuk do të përzgjidhej.
E bija 16‑vjeçare i tha: “Babi, mbaje mend, ky nuk është thjesht një kor. Kjo është një thirrje dhe prandaj, nëse Ati Qiellor të do atje, Ai do ta bëjë të mundur që të jesh atje.” Ai u mallëngjye nga pikëpamja e saj. Disa javë më vonë, ai hapi një mesazh me postë elektronike që i erdhi herët në mëngjes me lajme të mira. “Do të kisha dashur shumë të thërrisja me të madhe, por të gjithë po flinin në shtëpi, ndaj qëndrova i heshtur”, – tha Heberi.
Heberi do të ketë disa javë kohë për të mësuar 11 pjesët muzikore që do të interpretojë me The Tabernacle Choir. Kur të mbërrijë në Solt‑Lejk‑Siti, dy javë përpara konferencës, ai do të caktohet si një misionar për muzikën dhe do ta shpenzojë të gjithë kohën duke u përgatitur për interpretimet. “Nuk do të jem atje për të vizituar familjarë dhe miq, por do të jem atje me një detyrë shumë të posaçme dhe kësaj do t’ia kushtoj të gjithë kohën time”, – tha Heberi.
Heberi do të jetë një anëtar zyrtar i The Tabernacle Choir për një periudhë prej pesë vjetësh, me mundësinë për të kënduar në të paktën tri konferenca të përgjithshme të ndryshme të Kishës. Pjesëmarrësit e parë nga bota interpretuan me Korin në prill 2023 dhe për herë të parë këtë vit, këngëtarë nga Europa u ftuan të merrnin pjesë në provat përzgjedhëse. Do të ketë dymbëdhjetë pjesëmarrës nga bota për konferencën e përgjithshme të ardhshme të prillit 2024, shtatë prej të cilëve vijnë nga Europa: nga Franca, Austria, Suedia, Danimarka dhe Anglia.
Heberi i ka treguar tashmë grupit të tij të vallëzimit salsa një material filmik të konferencave të përgjithshme të së shkuarës dhe i ftoi ata ta ndjekin në prill që me gjasë ta shohin atë në Kor.
“Ky sigurisht është kori më i mirë në të cilin kam kënduar ndonjëherë dhe mbase do të këndoj gjatë gjithë jetës”, – tha Heberi. “Kjo është një mëshirë e dhembshur e Zotit. Nuk më zgjodhën ngaqë jam muzikanti më i mirë i të gjithë zonës së Europës Qendrore. Patjetër që nuk është ky rasti. Ndiej se kjo është një mënyrë që Zoti të më thotë se më sheh dhe do të ma japë këtë përvojë. Shijoje tani!”
Konferencat e përgjithshme të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme zhvillohen dy herë në vit, në prill dhe tetor.