Europë

Katër Këshilluese të reja Zonale për Organizatat u thirrën në Zonën e Europës Qendrore

Gratë do ta fillojnë shërbimin e tyre më 1 gusht 2024

Presidenca e Zonës së Europës Qendrore e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, kohët e fundit njoftoi ndryshime për Këshillueset Zonale për Organizatat në Zonë. Këshillueset vijuese po lirohen nga thirrja e tyre pas tre vjetësh shërbimi të përkushtuar: Sibila Fingërli, Leticia dos Santos Rudolfi, Zhislen Simoneta dhe Xhulia Vondra. Ato ishin mes Këshillueseve të para Zonale për Organizatat të thirrura në Europë dhe kanë shërbyer për tre vjet në këtë rol, që fillimisht u miratua nga Presidenca e Parë në vitin 2021.

Katër gratë vijuese u thirrën në këtë rol dhe do ta fillojnë shërbimin e tyre më 1 gusht 2024:

Motra Xhejni Bingham nga Gjermania

Motra Laura Eçari nga Spanja

Motra Sibel Libard nga Franca

Motra Eleonora Sauthuik nga Hungaria

images of four women
Këshillueset e sapothirrura Zonale për Organizatat në Zonën e Europës Qendrore, nga e majta në të djathtë: Xhejni Binghami, Gjermani; Laura Eçari, Spanjë; Sibel Fransuaz Libardi, Francë; Eleonora Sauthuiku, Hungari.

“Po pres me padurim që të shërbej me udhëheqëse gra pioniere, të mahnitshme dhe besnike, në Hungari dhe Rumani, për ta ndihmuar Zotin që të zgjerojë dhe forcojë këtë pjesë të vreshtit të Tij”, – thotë Motra Sauthuik. “Jezu Krishti është burimi i gëzimit, rritjes dhe lehtësimit të vërtetë, ungjilli i Tij është përgjigjja ndaj të gjitha pyetjeve të jetës dhe zgjidhja e problemeve të botës”, – vazhdon ajo.

Këshillueset Zonale për Organizatat shërbejnë nën drejtimin e Presidencës së tyre të Zonës. Ato mund të ndihmojnë që të orientojnë dhe udhëzojnë presidencat e Shoqatës së Ndihmës, të Të Rejave dhe të Fillores të kunjeve ose distrikteve të reja, nën drejtimin e presidencave të kunjeve ose distrikteve të atyre udhëheqëseve. Ato gjithashtu marrin udhëzim të rregullt nga presidencat e përgjithshme të organizatave. Ato zakonisht shërbejnë për tre vjet.

“Me këtë mundësi të re për të shërbyer, unë do të kem bekimin e të punuarit në unitet me udhëheqëset e Fillores, të Të Rejave dhe të Shoqatës së Ndihmës në Spanjë, për t’i ndihmuar familjet dhe individët që të vijnë më pranë Jezu Krishtit dhe të përsosen në Të”, – thotë Motra Eçari. Ajo vazhdon: “Fjalët e Isaias që gjenden te 2 Nefi 22:2–3, shprehin se si Shpëtimtari im dhe Ungjilli i Tij e bekojnë jetën time dhe jetën e të tjerëve: ‘Vini re, Perëndia është shpëtimi im; unë do të besoj dhe nuk do të kem frikë; pasi Zoti Jehova është fuqia ime dhe kënga ime; ai është bërë gjithashtu shpëtimi im. Prandaj, me gëzim ju do të merrni ujë nga puset e shpëtimit.’”

Përveç dhënies së orientimit dhe përkrahjes për presidencat e sapothirrura të organizatave, Këshillueset Zonale për Organizatat gjithashtu i ndihmojnë presidencat që të përfshihen në Veprën e Perëndisë për Shpëtimin dhe Ekzaltimin.

“Në vitet e fundit, familja jonë është bekuar veçanërisht nëpërmjet punës në tempull dhe për historinë familjare.  Ajo i ka forcuar lidhjet tona me njëri‑tjetrin dhe na ka sjellë më pranë Krishtit”, – thotë Motra Bingham. “Lutem që të mund t’u ofroj vëmendje dhe një zemër të hapur motrave që u shërbej, me qëllim që ato të ndiejnë se i dëgjojnë, i përkrahin dhe i duan”, – vazhdon ajo. 

“Besimi te Jezu Krishti, sakrificat dhe uniteti i grave të hershme pioniere, të tilla si Lusi Mek Smithi, Ema Smithi dhe kaq shumë të tjera të përfshira në veprën e Perëndisë, më frymëzojnë që të dëgjoj me përulësi e dashuri dhe të ofroj nxitjen dhe përkrahjen që iu nevojitet motrave”, – thotë Motra Libard. Duke dëshmuar për udhërrëfimin nga Perëndia për fëmijët e Tij, ajo i referohet Plakut Bednar, i cili tha se “shkrimet e shenjta janë zëri i regjistruar që më parë i Zotit”. Motra Libard vazhdon: “Ndërkohë që studioja ose udhërrëfehesha drejt një shkrimi të shenjtë të veçantë, unë e kam dëgjuar kaq shpesh zërin e Jezu Krishtit duke më ngushëlluar dhe frymëzuar. E di se Jezu Krishti jeton, kjo është Kisha e Tij dhe unë kam sigurinë se Ai përgatit udhën për secilin prej nesh.”

“Ne jemi shumë mirënjohës për këto motra të mrekullueshme dhe shërbimin e tyre të rëndësishëm si Këshilluese Zonale për Organizatat”, – thotë Plaku Masimo De Feo, Presidenti i Zonës së Europës Qendrore. “Ato janë gra që i mbajnë besëlidhjet me besim të madh te Zoti Jezu Krisht, dhe do të ndihmojnë për të këshilluar, udhëzuar dhe bekuar shumë veta, përfshirë udhëheqëset vendore të Shoqatës së Ndihmës, të Të Rejave dhe Fillores”, – përfundon ai.

Në vazhdim janë biografi të shkurtra të motrave të sapothirrura:

a man and a woman
Xhejni dhe Deren Binghami nga Gjermania.

Xhejni Binghami lindi në Longvju, Uashington të SHBA‑së dhe u martua me Deren Binghamin. Ata kanë tre fëmijë dhe jetojnë në kunjin Kaizerslautern të Gjermanisë. Motra Bingham aktualisht shërben si këshilluese për Tempullin dhe Historinë Familjare të lagjeve dhe kunjit dhe si punonjëse ordinancash në Tempullin e Frankfurtit. Ajo shërbeu në presidencat e Shoqatës së Ndihmës dhe të Të Rejave të lagjes dhe kunjit dhe si presidente e Fillores së lagjes. Ajo ka një diplomë universitare për gjuhën gjermane dhe historinë dhe një diplomë pasuniversitare për arsimimin në gjuhë të huaj. Ajo punon si një mësuese e studimeve gjermane dhe shoqërore për Shkollën e Personave në Ngarkim për Ministrinë e Mbrojtjes.

a man and a woman
Laura Eçari dhe Marselo Saul de Barrosi nga Spanja.

Laura Eçari lindi në Pamplona të Spanjës dhe u martua me Marselo Saul de Barrosin. Ata jetojnë në Kunjin Vitoria të Spanjës. Motra Eçari aktualisht shërben si presidente e Shoqatës së Ndihmës të lagjes dhe si punonjëse e ordinancave të tempullit. Ajo shërbeu si misionare kohëplotë në Sheshin e Tempullit në Solt‑Lejk‑Siti, si mësuese në Shkollën e së Dielës dhe në SeI, në presidencat e Të Rejave, si specialiste për Mirëqenien dhe Mbështetjen te Vetja dhe si presidente e Fillores së lagjes. Ajo ka diploma universitare në psikopedagogji, integrim shoqëror, arsimim e muzikë dhe punon si trajnere e aftësive njohëse për studentët me ADHD dhe disleksi.

a man and a woman
Sibel Fransuaz dhe Lui Mari Libardi nga Franca.

Sibel Fransuaz Libardi lindi në Anzhers të Francës dhe është e martuar me Lui‑Mari Libardin. Ata jetojnë në Kunjin e Parisit Jugor dhe kanë katër fëmijë. Në kohën e thirrjes së saj, ajo po shërbente si këshilltare e dytë në presidencën e Të Rejave të kunjit. Ajo gjithashtu shërbeu si presidente e Të Rejave, këshilltare në presidencat e Shoqatës së Ndihmës dhe të Fillores dhe si mësuese e Seminarit dhe Institutit. Përpara se t’i përkushtohej rritjes dhe edukimit të fëmijëve, arsimimi dhe profesioni i Motrës Libard ka qenë ruajtëse dhe restauruese e tekstileve të lashta në muzeun e modës të Pale‑Galiehas në Paris.

a man and a woman
Eleonora dhe Kristofer Sauthuiku nga Hungaria.

Eleonora Sauthuiku lindi në Hungari dhe është e martuar me Kristofer Sauthuikun. Ata jetojnë në Kunjin e Budapestit në Hungari dhe kanë tre djem. Motra Sauthuik kohët e fundit shërbente si presidente e Shoqatës së Ndihmës të distriktit dhe më parë si mësuese në Shoqatën e Ndihmës dhe si mësuese dhe këshilltare në Fillore. Ajo punon si përkthyese e gjuhës për Kishën në zyrën e përkthimit në Hungari.