Europë

Karrocat për invalidë të dhuruara nga Kisha mundësojnë pavarësinë në Europë

Përpjekjet e gjera humanitare dhe lehtësuese të Kishës janë të frymëzuara nga mësimet e Jezu Krishtit për të ndihmuar njerëzit në nevojë.

Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme po punon për të siguruar karroca invalidi dhe pajisje të tjera për lëvizje për njerëzit që kanë nevojë në vendet europiane. Duke punuar me organizata humanitare, Kisha ka dhënë mbi 1 500 karroca invalidi në Europë në vitin 2024, duke kontribuuar me mbi 750 000 karroca invalidi të dhuruara në mbarë botën që nga viti 2001. Këto karroca invalidi u mundësojnë individëve të fitojnë pavarësinë dhe të ndërtojnë një jetë të re për veten e tyre.

woman in a wheelchair
Fatbardha ishte në të 30 at kur një diagnozë mjekësore sfidoi aftësinë e saj për të qenë e pavarur. Me ndihmën e Fondacionit Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, ajo mori një karrocë invalidi që i përshtatej, e cila iu dhurua nga Kisha. Ajo thotë: “Karroca e invalidit më ka kthyer një pjesë të lirisë sime”.

“Karroca e invalidit më ka lejuar të lëviz më lirshëm, të takohem me miq dhe të kryej punët e përditshme”, – thotë Fatbardha, marrësja e një karroce invalidi që iu dhurua Fondacionit Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara (FSHDPAK) nga Kisha. Gjetja e punës ishte e vështirë për të, për shkak të një paaftësie fizike, por pas marrjes së një karroce invalidi dhe ndihmës për punësim nga FSHDPAK‑u, ajo rigjeti vetëbesimin dhe një ndjesi kontrolli. “Kisha frikë nga gjykimi dhe keqardhja e të tjerëve”, – reflekton ajo, – “por karroca e invalidit më ka kthyer një pjesë të lirisë sime. Tani jam më e fortë, fizikisht dhe emocionalisht.” 

Përpjekjet e gjera humanitare dhe lehtësuese të Kishës janë të frymëzuara nga mësimet e Jezu Krishtit për të ndihmuar njerëzit në nevojë. Në Europë, Kisha punon me organizata të tjera për të ofruar lehtësim dhe për t’i ndihmuar individët që të ndërtojnë mbështetje te vetja dhe pavarësi. Projekti për dhurimin e karrocave për invalidë përputhet me atë mision.

Ilir Gashi, nga organizata humanitare HandiKOS, punon për të bashkërenduar shpërndarjen e karrocave për invalidë të dhuruara në Kosovë. “Marrësit e karrocave për invalidë rifitojnë pavarësinë, lëvizshmërinë dhe një ndjesi të përtërirë shprese dhe lumturie, madje edhe pasi kanë përjetuar një aksident që ua ka ndryshuar jetën.” 

Gashi vazhdon: “Pa mbështetjen e partnerëve tanë, do të ishte e pamundur t’u ofronim gamën e gjerë të shërbimeve që japim. Sot, mund të them me bindje se nuk besoj se ka njeri në Kosovë që ka nevojë për karrocë invalidi dhe të mos e ketë një të tillë.”

Që një karrocë invalidi të jetë e dobishme për një individ, ajo duhet t’i përshtatet atij. Gejëll Joneti, mjek, përdorues karroce për invalid dhe misionar vullnetar, mbikëqyr dhurimet e karrocave për invalidë për Kishën në Europë. Ai thotë: “Një karrocë invalidi është si një këpucë. Ashtu siç keni nevojë për një këpucë që ju përshtatet dhe synohet për një aktivitet të veçantë, juve ju nevojitet një karrocë invalidi që ju përshtatet për veprimtarinë që po bëni ose përndryshe mund të shkaktojë dëme dhe ndërlikime të mëtejshme.” Joneti trajnon vullnetarë në organizatat humanitare në mënyrë që çdo kandidat që vjen, të mund të marrë një karrocë invalidi që përshtatet në mënyrë të përsosur për nevojat e veta. 

Bashkëpunimi me organizatat humanitare është i dobishëm për të dyja palët. Joneti shpjegon: “Si Kishë, nuk kemi burime që të kemi vullnetarë në terren në çdo vend gjatë gjithë kohës. Por duke punuar me këto organizata që janë krijuar tashmë në çdo vend dhe kanë rrjete për të arritur tek njerëzit, ne mund të punojmë në mënyrë shumë më të efektshme.”

Natasha Uskokoviçi, Këshilltare për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Kryqin e Kuq të Malit të Zi, reflekton: “Përpara se të punoja me Kishën, marrja e një karroce invalidi ishte një procedurë shumë e ndërlikuar dhe e gjatë për shumicën e njerëzve që kanë nevojë për të. Tani Kryqi i Kuq njihet si një organizatë që siguron karroca invalidi në pak ditë, pa pagesë”.

man in a wheelchair
Velizari është një pensionist nga Mali i Zi, të cilit iu shfaq sëmundja e Parkinsonit, gjë që ia vështirësoi ecjen. Me këmbënguljen e një vullnetari vendor të Kryqit të Kuq në Malin e Zi, ai pranoi të merrte një karrocë invalidi dhe një mjet për t’u mbajtur gjatë ecjes. Sot ai thotë se karroca e invalidit ia riktheu jetën. Fotografia me mirësinë e degës së Kryqit të Kuq vendor në Nikshiq të Malit të Zi.

Kryqi i Kuq në Malin e Zi e filloi fillimisht bashkëpunimin me Kishën për dhurimin e karrocave për invalidë në vitin 2012. Që prej asaj kohe, Kisha ka punuar me Kryqin e Kuq për lehtësim nga COVID‑19, për përgjigjen ndaj përmbytjeve dhe në projekte të tjera për të përkrahur e forcuar përpjekjet e tyre. 

Ndikimi i dhurimeve të bëra nga Kisha është vetjak. Pasi u diagnostikua me një sëmundje neurologjike autoimune kur ishte studente, Besmira mori pjesë në seminarin praktik për karrocat për invalidë të Fondacionit Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara (FSHDPAK) në Vorë dhe iu dhurua një karrocë invalidi që i përshtatej asaj. Përveçse mori një karrocë invalidi, ajo mori edhe përkrahje për punësim nga FSHDPAK‑u që rezultoi në sigurimin e një pozicioni pune në zyrat e Kryeministrisë në Shqipëri. “Fillimi është i vështirë”, – thotë Besmira, – “por sapo përshtatesh, fillon ta shohësh karrocën e invalidit si një mjet që të jep pavarësi.”

woman in a wheelchair
Besmira udhëton me një karrocë invalidi të dhuruar nga Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme që iu shpërnda nga Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara. Ajo thotë: “Fillimi është i vështirë, por sapo përshtatesh, fillon ta shohësh karrocën e invalidit si një mjet që të jep pavarësi”.

Blerta Drenofci, Drejtoreshë Ekzekutive e FSHDPAK‑ut, tha se përkrahja e Kishës dhe organizatave të tjera ndihmon për t’u ofruar “pavarësi personave me aftësi të kufizuara, duke e rritur cilësinë e jetës së tyre nëpërmjet mundësive për pjesëmarrje në veprimtari të komunitetit”. Ajo shtoi: “Në vende si Shqipëria, bashkëpunimi ndërmjet organizatave është i rëndësishëm për të plotësuar boshllëqet ekzistuese. Dhurimet e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme kanë kontribuuar në përmbushjen e misionit të organizatës sonë, që është përmirësimi i cilësisë së jetës dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut të personave me aftësi të kufizuara.” 

Kisha beson se puna humanitare është vepër e Jezu Krishtit. Joneti thotë: “Dashuria hyjnore e Shpëtimtarit është infektuese dhe përhapet lehtësisht. Sa më shumë punë humanitare të bëjmë në emër të Tij, aq më shumë i nxitim dhe i frymëzojmë të tjerët që të kenë dashuri hyjnore. Është një reaksion zinxhir i dashurisë e bujarisë.

Presidenti Spenser W. Kimball shpjegoi se ‘zakonisht është nëpërmjet një individi tjetër që [Perëndia] plotëson nevojat tona’. Si anëtarë të Kishës, ne jemi të bekuar të jemi ai individ, të jemi mjete në duart e Tij dhe të marrim pjesë në veprën e Tij këtu në tokë.”