Gjithmonë prekem nga rrëfimi në Librin e Mormonit kur Shpëtimtari iu shfaqet njerëzve në kontinentin amerikan pas ringjalljes së Tij në hemisferën lindore. Ai u dha mësim atyre për rëndësinë e Shlyerjes në planin e Perëndisë, bekimet e urdhërimeve dhe rëndësinë e besëlidhjeve dhe ordinancave. Ai u dha shërbesë atyre shpirtërisht, një e nga një.[1]
Zoti ishte me ta vetëm për pak ditë, por ndikimi i vizitës së Tij u ndje për më shumë se dy shekuj. “Dhe nuk pati grindje dhe debate mes tyre dhe të gjithë njerëzit [e] trajtonin me drejtësi njëri-tjetrin. Dhe ata [i] kishin të gjitha gjërat e përbashkëta mes tyre; prandaj nuk kishte të pasur dhe të varfër, skllevër dhe të lirë, por ata të gjithë ishin bërë të lirë dhe pjesëmarrës të dhuratës hyjnore. … Dhe me siguri nuk mund të kishte popull më të lumtur mes gjithë njerëzve të krijuar nga dora e Perëndisë. Nuk kishte as vjedhës, as vrasës, as nuk kishte Lamanitë, as ndonjë lloj tjetër -itësh; por ata ishin të gjithë një, fëmijë të Krishtit dhe trashëgimtarë të mbretërisë së Perëndisë. Dhe sa të bekuar ishin ata! Pasi Zoti i bekoi në të gjitha veprimet e tyre.”[2]
Çfarë mund ta ketë shkaktuar këtë ndryshim dhe të ketë një efekt kaq afatgjatë? Përgjigjja është e thjeshtë dhe prapëseprapë, e thellë. Mësimet e Zotit dhe të ungjillit të Tij depërtuan thellë në zemrat e tyre, ata e zhveshën njeriun e natyrshëm dhe u bënë dishepuj të Jezu Krishtit. Ata e kishin emrin e Zotit të shkruar në zemrat e tyre[3] dhe zhvilluan frymën e popullit të Sionit, si në ditët e Enokut.
Fatkeqësisht, ne jetojmë në një botë që kremton individualizmin, ku grindja dhe të pasurit e një opinioni konsiderohen si shprehje të të qenit plot gjallëri. Edhe si anëtarë të Kishës, ne jo gjithmonë jemi të mbrojtur ndaj këtyre zhvillimeve. Pandemia veçanërisht i përballi lagjet dhe familjet tona me sfida të veçanta. Në disa raste, ne kishim filluar ta përcaktonim veten sipas ndryshimeve tona, pikërisht si njerëzit në Librin e Mormonit, dhe kishim krijuar vetë “‑itë[t]” tona. Ungjilli i Jezu Krishtit dhe fryma e Sionit na ndihmojnë t’i kapërcejmë këto ndryshime.
Ndryshimet pozitive fillojnë me secilin prej nesh dhe dëshirën tonë për të dhënë ndihmesë personalisht
“Sioni është Sion për shkak të karakterit, cilësive dhe të besnikërisë së qytetarëve të tij. Kujtoni: ‘Zoti e quajti popullin e tij Sion, ngaqë ata ishin të një zemre dhe të një mendjeje dhe banuan në drejtësi; dhe nuk kishte të varfër mes tyre’[4]. Nëse … dëshiro[jmë] të ndërto[jmë] Sionin në shtëpitë, degët, lagjet dhe kunjet tona, ne duhet të ngrihemi deri te ky standard. … Nuk mund të presim derisa të vijë Sioni, që të ndodhin këto gjëra – Sioni do të vijë vetëm kur ato të ndodhin.”[5]
Pra, ç’kuptim ka kjo për mua në kushte praktike? Ku të filloj nëse dua t’i kapërcej ndryshimet dhe të ushqej unitet?
Në vitin 1872, Profeti Brigam Jang u dha shenjtorëve një kujtues të rëndësishëm që është ndoshta më i përshtatshëm sot se kurrë më parë. Ai tha: “Ndal! Prit! Kur ngrihesh në mëngjes, para se ta lejosh veten të hash një kafshatë ushqim, … përkulu përpara Zotit, kërkoji që të t’i falë mëkatet dhe të të mbrojë gjatë ditës, të të ruajë nga tundimi dhe çdo e keqe, të t’i udhëheqë hapat drejt, që të mund të bësh atë ditë diçka që do të jetë e dobishme për mbretërinë e Perëndisë në tokë. A ke kohë për ta bërë këtë?”[6].
Ndryshimet pozitive fillojnë me secilin prej nesh dhe dëshirën tonë për të dhënë ndihmesë personalisht, për të qenë të një zemre dhe një mendjeje, për të jetuar në drejtësi dhe për t’u kujdesur me vetëdije për të varfrit dhe nevojtarët. Kyçi është ta bëjmë Zotin aleatin tonë në të gjithë këtë, duke ndërtuar mbi besimin, shpresën dhe dashurinë hyjnore. “Sioni vendoset dhe lulëzon për shkak të jetës dhe punëve të frymëzuara nga Perëndia, të qytetarëve të vet. Sioni vjen jo si një dhuratë, por për shkak se njerëzit e virtytshëm e të besëlidhur bashkohen dhe e ndërtojnë atë.”[7]
[1] 3 Nefi 11:15
[2] 4 Nefi 1:2–3, 16–18
[3] Mosia 5:12
[4] Moisiu 7:18
[5] D. Tod Kristoferson, Ejani në Sion, konferenca e përgjithshme, tetor 2008
[6] Keith B. McMullin, Come to Zion! Come to Zion!, konferenca e përgjithshme, tetor 2002
[7] Keith B. McMullin, Come to Zion! Come to Zion!, konferenca e përgjithshme, tetor 2002