Budapest, 21 qershor 2025 – Me ceremoninë e fillimit të punimeve, ka filluar zyrtarisht ndërtimi i Tempullit të Budapestit të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Në sipërfaqen prej 24 000 metrash katrorë që ndodhet në Harsanilejto të Obudës, Kisha do të ndërtojë një tempull prej 1600 metrash katrorë dhe një banesë për frekuentuesit e tempullit prej 1000 metrash katrorë. Misionarët e parë të Kishës mbërritën në Hungari saktësisht 140 vjet më parë.
Në vitin 1885, në Hungari mbërritën dy misionarët e parë të Kishës. Kisha po e kremton këtë 140‑vjetor me momentin më të rëndësishëm në historinë e saj në Hungari: fillimin zyrtar të ndërtimit të tempullit.
Ceremonia e paradites të së shtunës u nderua nga prania e argjentinasit Ruben V. Alliod, Presidenti i Zonës së Europës Qendrore të Kishës, i cili mbikëqyr 37 vende, përfshirë Hungarinë. Në fjalimin e tij, ai theksoi rëndësinë e tempujve si vende besimi, zbulesash dhe besëlidhjesh të shenjta.
“Tempujt qëndrojnë si një dëshmi e besimit tonë në ringjalljen e Krishtit, i cili e mposhti vdekjen dhe bën të mundur lidhjet e përjetshme familjare”, – deklaroi Presidenti Alliod. “Çdo tempull është njëmend Shtëpia e Zotit dhe simbolizon dashurinë e thellë të Perëndisë për njerëzimin.”
Megjithëse Kisha e krishterë gati 200‑vjeçare ka më shumë se 17,5 milionë anëtarë në mbarë botën, ajo nuk kishte një tempull në Hungari deri më tani. Anëtarët hungarezë kanë shumë godina kishtare për të adhuruar, por duhet të udhëtojnë për në Gjermani për të marrë pjesë në ordinancat e përjetshme. Aktualisht, përveç 197 tempujve në funksionim anembanë botës, 185 tempuj janë në fazë ndërtimi ose restaurimi. Tempulli i Budapestit do të jetë tempulli i 16‑të në Europë dhe do të mirëpresë anëtarë nga 12 vende.










Ndërtimi, i cili do të financohet plotësisht nga Kisha pa përkrahje nga burime të jashtme, pritet të zgjatë tre vjet. Sipërfaqja prej 24 000 metrash katrorë, e blerë në vitin 2023, do të përfshijë ndërtesën e tempullit prej 1600 metrash katrorë, një vendstrehim për frekuentuesit dhe një hapësirë parkimi. Kisha i kushton rëndësi të madhe mbrojtjes së mjedisit natyror dhe ndërtesa do të jetë e rrethuar nga zona me peizazhe të gjelbra. Pas përkushtimit, kopshtet e mirëmbajtura do të jenë të hapura për t’u parë nga publiku.
“Ne jemi mirënjohës për pritjen e ngrohtë, veçanërisht nga bashkia e Obudës, e cila e ka përkrahur projektin tonë që nga fillimi. Shpresojmë që tempulli të jetë jo vetëm një shtëpi shpirtërore për komunitetin tonë, por edhe një nga thesaret e Budapestit, duke kontribuar në pasurimin kulturor dhe shpirtëror të komunitetit vendor”, – tha Peter Borsosi, Presidenti i Kunjit të Kishës në Hungari.
“Ne komunikojmë hapur dhe në mënyrë transparente rreth Kishës sonë, besimit tonë dhe ndërtimit të tempullit tonë”, – shtoi Gabor Klingeri, Drejtori për Komunikimet. “Ne duam që njerëzit të mësojnë më shumë rreth Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, që është edhe arsyeja pse kemi krijuar një faqe interneti të dedikuar dhe të përditësuar vazhdimisht ku publikohen informacione të rëndësishme për lexuesit: https://www.jezuskrisztusegyhaza.org/templom .”
Kisha angazhohet në dialog të hapur dhe përfshirje aktive në komunitet në mbarë botën, përfshirë edhe Hungarinë. Vetëm vitin e kaluar, 25 projekte bamirësie u kryen në Hungari në bashkëpunim me fondacione të ndryshme dhe organizata ndihmëse.
Për më shumë informacion: