SoltLejkSiti 

Ju Mund të Ngrini Shpirtërisht Dikë Tjetër në një Makineri Dhurimi të Nismës “Ndriçoje Botën”

Një nga misionet thelbësore të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është të ndihmojë ata që janë në nevojë. Për këtë qëllim, Kisha bashkëpunon me organizatat vendore, kombëtare dhe ndërkombëtare të bamirësisë për të ofruar përkrahje, shpresë dhe ndihmë në nivel global. Nga viti 2017, makineritë e shitjes automatike që përqendrohen te dhënia dhe që financohen nga Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, kanë qenë një mënyrë e rëndësishme për ta shpërndarë dashurinë e Jezu Krishtit te njerëzit rreth e qark botës. 

Makineritë e Dhurimit janë një mënyrë e pashoqe dhe e paharrueshme për t’ia dhënë drejtpërsëdrejti dikujt mallrat dhe shërbimet aq të nevojshme gjatë kësaj periudhe të Krishtlindjes. Këtë vit, të vizitoni një Makineri Dhurimi është më e lehtë se kurrë, duke qenë se ato do të jenë në 106 qytete në 13 vende të pesë kontinenteve, përfshirë të parat në Afrikë dhe Azi. 

“Nisma ‘Ndriçoje Botën’ është mesazhi ynë i lajmeve të mira, i cili kemi sigurinë se do t’u sjellë gëzim të gjithë njerëzve për shkak të Jezu Krishtit – për shkak të lindjes së Tij, për shkak të shërbesës së Tij dhe për shkak të ringjalljes së Tij”, – tha Plaku Geri E. Stivenson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, në ngjarjen e hapjes së nismës për vitin 2024 në Qendrën e Konferencave në Sheshin e Tempullit, të enjten, më 13 nëntor 2024. “Ashtu sikurse engjëjt shpallën fjalë gëzimi të madh kur u lind Ai, edhe ne, në mënyrën tonë me gjëra të vogla, dhuratë pas dhurate, mund të jemi engjëj në jetën e të tjerëve teksa ua zgjatim dashurinë e Jezu Krishtit njerëzve afër e larg dhe teksa shpallim dëshmi për Shpëtimtarin e botës.”  

Në Europë, makineritë e nismës “Ndriçoje Botën” po paraqiten për herë të parë në Mbretërinë e Bashkuar në dy qendra të mëdha tregtare për ta bërë dhurimin bamirës edhe më të arritshëm. Secila makineri ofron karta dhurimi që përfshijnë një mori artikujsh, si bagëti, veshmbathje, ushqim dhe mjete shkollore, duke u lejuar blerësve të dhurojnë për kauzat që i kanë më për zemër. Çdo dhurim i bërë nëpërmjet këtyre makinerive, i shkon direkt organizatës së bamirësisë të zgjedhur, duke u siguruar që kontributet të kenë një ndikim kuptimplotë. 

Miliona artikuj janë dhuruar nëpërmjet Makinerive të Dhurimit që prej vitit 2017, me një vlerë prej më shumë se 32 milionë dollarësh amerikanë. Kisha e Jezu Krishtit i mbulon të gjitha shpenzimet e funksionimit të programit. Kjo siguron që 100% e çdo dhurimi të përdoret për t’u siguruar atyre që janë në nevojë, artikullin që një dhurues bujar ka blerë për ta. 

Në nismën e këtij viti me Makineritë e Dhurimit do të marrin pjesë mbi 500 organizata jofitimprurëse vendore dhe ndërkombëtare. Organizatat bamirëse globale të këtij viti janë: The Academy for Creating Enterprise, Kryqi i Kuq Amerikan, Care, Catholic Relief Services, Church World Service, Days for Girls International, iDE Global, Lifting Hands International, MAP International, Mentors International, Right to Play, Save the Children, UNICEF, Water Aid dhe World Food Program. Mes artikujve në dispozicion janë artikuj ushqimorë, strehimi, veshmbathjeje, kujdesi shëndetësor, shkollimi, trajnimi për profesionin dhe karrierën, si dhe bagëti. 

Vendndodhjet e Makinerive të Dhurimit për Vitin 2024 

  • Australi 
  • Kanada 
  • Kinë 
  • Salvador 
  • Guatemalë 
  • Honduras 
  • Kenia 
  • Meksikë 
  • Zelandë e Re 
  • Panama 
  • Filipine 
  • Mbretëri e Bashkuar 
  • Shtetet e Bashkuara