Kur bëni zgjedhje, të qenit mendjekontrolluar nga shpirti dhe të vënit e Jezu Krishtit të parin shtron udhën për një jetë të gëzueshme, tha Presidenti Rasëll M. Nelson në një mesazh filmik të regjistruar paraprakisht, të shfaqur gjatë sesionit përfundimtar të një konference dyditore të zhvilluar më 30 shtator dhe 1 tetor 2023 në Solt‑Lejk‑Siti, në shtetin e Jutës të SHBA‑së, dhe transmetuar për publikun anembanë globit.
“Ndërsa mendoni çelestialisht, do t’i shihni sprovat dhe kundërshtimin me një këndvështrim të ri”, shtoi Presidenti i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, i cili kohët e fundit festoi ditëlindjen e tij të 99‑të. Të menduarit çelestialisht do ta ndryshojë zemrën e njeriut dhe do të çojë në lutje më të sinqerta, tha ai. Për shkak të një dëmtimi muskulor, ai i ndoqi punimet nëpërmjet teknologjisë në vend që të merrte pjesë fizikisht.
Pjesëmarrësit në konferencë mblidhen përpara sesionit të paradites të së dielës të konferencës së përgjithshme në Qendrën e Konferencave në Sheshin e Tempullit në Solt‑Lejk‑Siti, më 1 tetor 2023.
Dielli ngrihet mbi Qendrën e Konferencave në zyrat qendrore të Kishës në Solt‑Lejk‑Siti gjatë sesionit të paradites të konferencës së përgjithshme të dielën, më 1 tetor 2023.
Pjesëmarrësit në konferencë dëgjojnë një folës gjatë sesionit të paradites të së dielës të konferencës së përgjithshme në Qendrën e Konferencave në Solt‑Lejk‑Siti, më 1 tetor 2023.
Një familje nga Uruguai, përpara sesionit të paradites të konferencës së përgjithshme të shtunën, më 30 shtator 2023.
Konferenca e përgjithshme është një mbledhje mbarëbotërore e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Dy herë në vit, gjatë fundjavës së parë të prillit dhe fundjavës së parë të tetorit, udhëheqësit e Kishës nga mbarë bota japin mesazhe, apo predikime, të përqendruara te Jezu Krishti dhe ungjilli i Tij. Njerëz të të gjitha besimeve fetare, bindjeve fetare dhe prejardhjeve dhe nga çdo vend i botës ftohen që të shohin, të dëgjojnë dhe të marrin pjesë.
Plaku Diter F. Uhtdorf, një vendas nga Gjermania, Plaku Alan T. Filips nga Mbretëria e Bashkuar dhe Plaku Kristof G. Zhiro-Karrier i cili ka lindur në Francë, ishin mes atyre që folën në konferencë. Folësit e tjerë ishin nga Argjentina, Brazili, Guatemala, Koreja, Zelanda e Re dhe Shtetet e Bashkuara.
Gjatë fjalëve të tij, Plaku Uhtdorf, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, iu referua shëmbëlltyrës së djalit plëngprishës. Në këtë histori nga Bibla, të treguar fillimisht nga Jezu Krishti, një djalë rebel largohet nga shtëpia dhe shpenzon pa hesap trashëgiminë e tij. Pas kthimit të tij, babai i vet e fal dhe e mirëpret përsëri.
Plaku Uhtdorf iu drejtua atyre që e humbën nga sytë besimin e tyre, duke u premtuar se në çastin që vendosin të kthehen dhe të ecin në udhën e Jezu Krishtit, fuqia e Tij do të hyjë në jetën e tyre dhe do ta shndërrojë atë.
“Mënyra se si e trajtojmë njëri‑tjetrin, vërtet ka rëndësi”, tha Plaku Filips. Ai i inkurajoi dëgjuesit t’i ndihmonin njerëzit që janë në vështirësi në vetë familjen, bashkësinë ose komunitetin e tyre vendor. Kujdesi për nevojtarët mund të përfshijë edhe të kërkuarit për të lehtësuar vuajtjet e atyre që jetojnë në varfëri të skajshme dhe të atyre që janë shpërngulur forcërisht për shkak të përndjekjes, konfliktit dhe dhunës.
Gjatë fjalimit të tij të parë të mbajtur në një konferencë të përgjithshme, Plaku Zhiro‑Karrier shpjegoi se njerëzit mund të jenë rritur në kultura të ndryshme; mund të vijnë nga rrethana të ndryshme shoqëroro‑ekonomike; trashëgimia e tyre në vdekshmëri, përfshirë kombësia, ngjyra e lëkurës, parapëlqimet ushqimore dhe orientimi i tyre politik, mund të ndryshojnë shumë. Por të gjithë janë fëmijë të Perëndisë, pa përjashtim, tha ai.
Plaku Aleksandër Dushku u mbështet si Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë gjatë konferencës. Në sesionin e udhëheqjes të konferencës së përgjithshme, dy Të Shtatëdhjetë Zonalë të rinj u mbështetën dhe dy të tjerë u liruan nga thirrja.
Në mbyllje të konferencës, Presidenti Nelson njoftoi se Kisha do të ndërtojë gjithsej 20 tempuj të tjerë në Afrikë, Azi, Amerikën Latine, Shtetet e Bashkuara dhe Oqeani. Shenjtorët e ditëve të mëvonshme i konsiderojnë tempujt shtëpitë e Perëndisë, vende shenjtërie dhe paqeje të ndara nga preokupimet e botës. Ata janë të ndryshëm nga mijëra godina të rregullta kishtare ose shtëpi mbledhjesh në të gjithë botën që përdoren për shërbesat e së dielës.
Muzika në konferencë u sigurua nga kore të ndryshme, duke përfshirë The Tabernacle Choir at Temple Square, me Mak Uilbergun dhe Rajën Mërfin që drejtuan dhe u shoqëruan nga organistët Endrju Ansuorthi dhe Riçard Elioti.