Jeta e Jozef Smithit: Rivendosja e Priftërisë

Mësoni më Shumë rreth Rivendosjes së Kishës së Krishtit

Gemälde von zwei betenden Männern und einem Engel der einem von ihnen die Hände auflegt
Anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme besojnë se lajmëtarë qiellorë ua dhanë priftërinë e Perëndisë Jozef Smithit dhe Oliver Kaudërit në vitin 1829.

Anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme besojnë se priftëria është autoriteti për të vepruar në emrin e Perëndisë, deleguar njeriut nga Perëndia. Kur Jezu Krishti jetoi në tokë, Ai ua dha priftërinë Apostujve të Tij. Pas kryqëzimit të Jezu Krishtit dhe vdekjes së Apostujve, shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë se plotësia e ungjillit të Krishtit, përfshirë priftërinë, u mor nga toka (shih “Restoration of the Priesthood”, churchofjesuschrist.org/topics?lang=eng). Shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë se në vitin 1829 priftëria u rivendos në tokë kur lajmëtarë qiellorë ia dhanë atë Profetit Jozef Smith. Për shenjtorët e ditëve të mëvonshme, rivendosja e priftërisë është një ngjarje e rëndësishme në historinë e Kishës.

Çfarë besojnë Anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme rreth priftërisë?

Shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë se ka dy priftëri të ndryshme (shih DeB 107:1) – Priftëria Aarone dhe Priftëria Melkizedeke. Ata besojnë se Priftëria Aarone është priftëria më e ulët, ose përgatitore, dhe se Priftëria Melkizedeke është priftëria më e lartë.

Priftëria Aarone

Jozef Smithi mësoi për Priftërinë Aarone pasi gjeti se ishte përmendur pagëzimi për heqjen e mëkateve gjatë përkthimit prej tij të Librit të Mormonit. Më 15 maj 1829, Jozefi dhe shkruesi i tij, Oliver Kaudëri, shkuan në pyll që të luteshin për atë që kishin lexuar për pagëzimin. Si përgjigje, Gjon Pagëzori zbriti nga qielli dhe ua dha Jozefit dhe Oliverit Priftërinë Aarone që përfshin autoritetin për të pagëzuar (shih Joseph Smith – Historia 1:68–72).

Sot, Priftëria Aarone mund t’u jepet të rinjve të denjë duke filluar që kur ata të jenë 12 vjeç. Në të vërtetë, shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë se ka disa detyra të ndryshme brenda Priftërisë Aarone, secila me vetë përgjegjësitë e veta. Këto detyra përfshijnë dhjak, mësues, prift dhe peshkop (shih DeB 107:13–14, 85–88). Mbajtësit e priftërisë përparojnë në detyra më të larta teksa përparojnë në ungjill. Funksionet e detyrave të ndryshme në Priftërinë Aarone përfshijnë bekimin dhe shpërndarjen e sakramentit, pagëzimin dhe mbikëqyrjen e nevojave materiale të anëtarëve të Kishës (shih “Aaronic Priesthood”, churchofjesuschrist.org/topics?lang=eng).

Priftëria Melkizedeke

Shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë se Priftëria Melkizedeke, ose priftëria më e lartë, gjithashtu u rivendos nëpërmjet Profetit Jozef Smith. Data e saktë e rivendosjes së Priftërisë Melkizedeke është e panjohur, por ajo ndodhi disa javë pas rivendosjes së Priftërisë Aarone në vitin 1829 (shih Doctrine and Covenants and Church History Gospel Doctrine Teacher’s Manual [1999], f. 45). Apostujt e lashtë Pjetri, Jakobi dhe Gjoni iu shfaqën Jozefit dhe Oliverit dhe ua dhanë atyre Priftërinë Melkizedeke.

Shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë se Priftëria Melkizedeke mund të mbahet nga anëtarët e denjë, meshkuj, në moshë madhore. Priftëria Melkizedeke e ka marrë emrin nga Melkizedeku, një prift i lartë i shquar në kohën e Abrahamit (shih DeB 107:2–4). Kjo priftëri përfshin autoritetin për të dhënë bekime të veçanta priftërie për ngushëllim, këshillë dhe shërim si dhe autoritetin për të dhënë dhuratën e Frymës së Shenjtë. Në fakt, shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë se në ordinancat e Priftërisë Melkizedeke, “fuqia e perëndishmërisë manifestohet” (DeB 84:20; shih edhe “Melchizedek Priesthood”).

Mësoni më shumë

Shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë se rivendosja e priftërisë në maj 1829 nuk është vetëm një fakt historik, por edhe një mrekulli dhe një bekim i jashtëzakonshëm për të gjithë fëmijët e Perëndisë. Për të mësuar më shumë rreth rivendosjes së Kishës së Krishtit, vizitoni ejanitekrishti.org.