SoltLejkSiti 

Herehau Vero jep dëshminë e tij përmes muzikës

Herehau Vero, një anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme nga Franca, paraqitet në një ngjarje të veçantë muzikore mbarëbotërore që u regjistrua në SoltLejkSiti në Shtetet e Bashkuara. Në qershor, ai mori pjesë në regjistrimin e këtij koncerti 60minutësh që do të jetë në dispozicion për shkarkim dhe transmetim në gusht për të rinjtë e të rejat kudo në botë. 

Herehau Vero, këndon dy pjesë solo në koncertin mbarëbotëror për rininë.
Herehau Vero, këndon dy pjesë solo në koncertin mbarëbotëror për rininë.

“Isha i bekuar që linda në një familje këngëtarësh dhe muzikantësh. Këndoja me gjyshërit e mi kur isha fëmijë”, – thotë Herehau, tani 21 vjeç. Kur ishte dhjetë vjeç, ai u dërgua i vetëm nga vendlindja në Tahiti për në Francë që të jetonte me një teto. Herehaut nuk i kishte mbetur njeri me të cilin të këndonte. “Vazhdova të këndoja vetë dhe u përpoqa të gjeja stilin tim muzikor”, – tha ai. Një vit më vonë, prindërit dhe tre motrat e vëllezërit më të vegjël u bashkuan me të në Francë. 

Gjithçka ndryshoi kur Herehau bëri prova zëri për të qenë një nga solistët për shfaqjen kulturore në përkushtimin e Tempullit të Parisit. “Pas kësaj”, – tha Herehau, – “fillova vërtet të këndoja. Pak nga pak, fitova besim në vetvete (nuk kam pasur kurrë një trajner për zërin) dhe fillova të këndoj duke u bërë pjesë e CDsë ‘Për Forcën e Rinisë’.”  

Teksa këndonte gjatë ngjarjes kulturore në kohën e përkushtimit të Tempullit të Parisit, Herehau kuptoi se Perëndia i dha dhuratën që të dinte se si të këndonte. “Nga ai çast, gjithçka mori rrugën e vet.” Njohuria se dhuntinë e pati nga Perëndia, e shtyu që të përmirësohej dhe ta ndante me të tjerët. Për të përmirësuar zërin, ai shihte materiale filmike në YouTube dhe ndërkohë këndonte për të bërë ushtrime për ngrohjen e zërit dhe ndonjëherë imitonte këngëtarë të mëdhenj. “Kam ende shumë për të mësuar se si të kontrolloj zërin tim, por besoj se Ati im Qiellor ma dha këtë dhuratë për një arsye. Për mua, të kënduarit është mënyra që kam për të shpallur bindjet e mia në të gjithë botën.” 

Herehaut i pëlqen muzika që shpreh atë çfarë një person ndien thellë brenda vetes, apo se si ai person luftoi me sfidat. “Më pëlqen shumë kur autori i një kënge e shkruan muzikën duke treguar historinë e vet.” Kur këndon një këngë, Herehau mundohet ta bëjë të tijën këngën, sikur ta kishte shkruar vetë ai. “Pastaj kur jam në skenë ose në studio, këndoj me gjithë zemër! Synimi im është të prek gjithmonë zemrat e njerëzve që e dëgjojnë muzikën time.” 

Një mik i sugjeroi Herehaut të bënte kërkesë për në Festivalin Rinor të Muzikës në SoltLejkSiti. Ai u mahnit kur u zgjodh për të kënduar dhe për të përfaqësuar Francën, së bashku me pjesëmarrës të tjerë ndërkombëtarë. Herehau mbërriti në SoltLejkSiti në qershor për të marrë pjesë në prova në Tabernakull. Ishte i emocionuar kur pa shumë këngëtarë të rinj, përfshirë disa muzikantë të njohur për rininë.  

Motra Emili Bell Friman, Presidentja e Përgjithshme e Të Rejave dhe Presidenti i Përgjithshëm i Të Rinjve, Stiven J. Land folën me pjesëmarrësit përpara provave të tyre. Fjalët e tyre ishin frymëzuese për muzikantët, duke i nxitur që ta përdorin zërin e tyre për mirë. 

Herehau Vero duke bërë prova me muzikantë për transmetimin e veçantë për rininë.
Herehau Vero duke bërë prova me muzikantë për transmetimin e veçantë për rininë.

Në koncert, Herehau është solist i dy këngëve franceze të titulluara “Dishepull i Krishtit” dhe “Shpresa Ime e Vetme”, ndjekur nga tri këngë të tjera i shoqëruar nga këngëtarë të tjerë. Ai gjithashtu uroi mirëseardhjen në festivalin rinor në frëngjisht si një nga paraqitësit ndërkombëtarë. 

“Shpresoj që të jem një mjet në duart e Perëndisë për të prekur zemrat e të rinjve e të rejave përmes kësaj muzike”, – thotë Herehau. 

“Festivali: Një Koncert Rinor” do të jetë në dispozicion për t’u parë më 5 gusht nëpërmjet faqes së transmetimit të Kishës dhe programit Gospel Stream në anglisht, frëngjisht, portugalisht dhe spanjisht. 

Të rinjtë e të rejat në mbarë botën janë të ftuar të jenë pjesë e këtij festivali, përmes planifikimit të festave vendore, shkarkimit të listës së këngëve, shikimit të koncertit dhe të kënduarit së bashku gjatë kohës që luhet muzika.