Mesazhi i Udhëheqjes Zonale

Gëzimi nga Bërja e Ftesave

Duajini njerëzit, tregojini përvojat tuaja dhe ftojini me gëzim që të vijnë më pranë Shpëtimtarit.

image
Plaku Samuel Koivisto I Shtatëdhjetë Zonal, Zona e Europës Veriore

Vizioni në Zonën e Europës Veriore është që ta ftojmë gjithkënd t’i vendosë Shpëtimtarin dhe ordinancat e shenjta në qendër të jetës së vet dhe të jetojë me gëzim në përputhje me ungjillin e Jezu Krishtit.

Një ditë shtatori, unë, bashkëshortja ime, presidenti dhe kryekujdestarja e Tempullit të Helsinkit në Finlandë udhëtuam për në Rigë të Letonisë për një konferencë të përbashkët të rajonit Balltik që u udhëhoq nga Presidenti Kristoferson. Nga aeroporti, ne morëm një taksi për në qendrën e qytetit. Shoferi ynë, të cilin do ta quaj Marek, e ngriti volumin e muzikës ca si shumë. Me zë të qetë, e pyeta rreth qytetit. Ai e uli volumin e radios dhe ne filluam të bisedonim. Mareku pyeti: “Përse keni ardhur në Rigë?”

I thashë se kisha një bisedë në kishë të dielën, ku një nga apostujt e gjallë të kohës sonë, Presidenti Kristoferson, do të fliste gjithashtu. I dhashë Marekut adresën e kishës, të cilën e regjistroi te harta e telefonit të tij dhe e ftova që të na bashkohej të dielën. Ai me edukatë refuzoi, duke thënë se i duhej të kosiste lëndinën. Sugjerova që nëse do të vinte në kishë të dielën, do t’i dërgoja dy misionarë të rinj që t’ia kositnin lëndinën të shtunën. Ai prapë nuk pranoi dhe tha se nuk do t’i lejonte të tjerët t’i shërbenin. E pyeta për bindjet e tij fetare dhe mësova se ka një familje, bashkëshorten dhe dy fëmijë, dhe se ata besojnë te Perëndia dhe Krishti dhe përpiqen të jetojnë një jetë të mirë, por nuk e frekuentojnë shpesh kishën. Vura në dukje që kisha jonë është për të gjithë familjen dhe e ftova që t’i sillte të gjithë pjesëtarët e familjes të dielën. Ai prapë qe ndërdyshas të premtonte ndonjë gjë, por tha se do ta mendonte atë. I dhashë kartëvizitën time të punës me numrin e telefonit, adresën time të postës elektronike dhe adresën e faqes së internetit të Kishës. Një ftesë qe bërë dhe i thashë se e respektoj vullnetin e tij të lirë.

Të dielën, përpara se të fillonim mbledhjet, hodha sytë vërdallë për shokun tim të ri, por nuk munda ta gjej askund. Dhashë bisedën time dhe u përqendrova tek të dëgjuarit e bisedave të të tjerëve. Gjatë himnit të ndërmjetëm, e vura re Marekun në auditor. Ngrita dorën për ta përshëndetur dhe ai më përshëndeti me dorë gjithashtu. Pas mbledhjes, u takuam dhe kisha marrë leje nga Presidenti Kristoferson për t’ia prezantuar Marekun. Në çastin që pasoi, Plaku Aidukaitis dhe Presidenti Kristoferson i dhanë Marekut një kopje të Librit të Mormonit në gjuhën letoneze dhe ai dëgjoi një dëshmi apostolike për vërtetësinë e tij. Presidenti i misionit e prezantoi me misionarët vendorë, të cilët i dhanë Marekut informacionin e tyre të kontaktit dhe shprehën dëshirën për të folur më shumë me të, më vonë. Një ftesë qe bërë dhe secili prej nesh shkoi në punën e vet.

image

Çfarë mësojmë nga kjo? Duajini njerëzit, tregojini përvojat tuaja dhe ftojini me gëzim që të vijnë më pranë Shpëtimtarit. Rrallë e kemi mundësinë që t’i ftojmë njerëzit të takohen me një apostull, por mund të përfitojmë nga çdo mundësi gjatë udhës sonë për në kishë, kur dikush na pyet se ku po shkojmë, duke i treguar me gëzim vendmbërritjen tonë dhe duke i ftuar miqtë tanë që të na bashkohen.

Shpëtimtari u bëri një ftesë vetjake Pjetrit dhe Andreas: “Ndiqmëni dhe unë do t’ju bëj peshkatarë njerëzish”¹. Tre vjet më pas, Ai u tha atyre: “Dilni në mbarë botën dhe i predikoni ungjillin çdo krijese”². Po kjo ftesë vlen ende.

Zoti dha mësim në kohën tonë: “Hapini gojët tuaja e ato do t’ju mbushen dhe ju do të bëheni sikurse Nefi i lashtësisë, i cili udhëtoi nga Jeru[s]alemi në shkretëtirë. Po, hapini gojët tuaja e mos u kurseni dhe ju do të ngarkoheni me duaj mbi supe, sepse, ja, unë jam me ju.”³

Nuk duhet t’u druhemi reagimeve të të tjerëve, por të mirëbesojmë që Zoti është me ne: “… Ti gjithmonë duhet ta hapësh gojën për kauzën time, duke mos pasur frikë se ç’mund të bëjnë njerëzit, sepse unë jam me ty”⁴. “Shihni tek unë në çdo mendim; mos dyshoni, mos kini frikë.”⁵

Detyra jonë është që të jetojmë në përputhje me ungjillin e Krishtit sa më shumë të mundemi – kjo është një nga mënyrat më të mira për t’i ftuar njerëzit që të vijnë te Krishti. Fryma e Shenjtë dëshmon se Perëndia dhe Jezu Krishti jetojnë; bekimet dhe ordinancat e ungjillit janë në dispozicion për të gjithë njerëzit. Misioni i Shpëtimtarit është që të shërojë dhe të bëjë të mundur që puna e shpëtimit dhe ekzaltimit të përmbushet për secilin prej nesh, një e nga një.

“Si rrjedhim, vëllezër shumë të dashur, le të bëjmë me gëzim të gjitha gjërat që janë në fuqinë tonë; dhe atëherë qëndrofshim të patundur, me sigurinë më të madhe, për të parë shpëtimin e Perëndisë dhe që krahu i tij të zbulohet.”⁶

Le të jemi të guximshëm në dëshminë tonë ndërsa përpiqemi fort të bëjmë përpara në shtegun e besëlidhjeve dhe në dishepullimin tonë! Presidenti Rasëll M. Nelson e ka nxitur secilin prej nesh që ta rritim sigurinë tonë përpara Perëndisë: “Teksa kërkojmë plot zell që dashuria hyjnore dhe virtyti të na e mbushin jetën, siguria me të cilin i qasemi Perëndisë, do të shtohet. Unë ju ftoj të ndërmerrni hapa të qëllimshëm për t’u rritur në sigurinë tuaj përpara Zotit. Atëherë, ndërsa shkojmë tek Ati ynë Qiellor me siguri në rritje, do të mbushemi me më shumë gëzim dhe besimi ynë te Jezu Krishti do të rritet. Do të fillojmë të përjetojmë fuqi shpirtërore që i tejkalon shpresat tona më të mëdha.”⁷


1.         Mateu 4:18–19.

2.         Marku 16:15.

3.         Doktrina e Besëlidhje 33:8–9.

4.         Doktrina e Besëlidhje 30:11.

5.         Doktrina e Besëlidhje 6:36.

6.         Doktrina e Besëlidhje 123:17.

7.         Rasëll M. Nelson, “Siguri në Praninë e Perëndisë”, Konferenca e Përgjithshme e prillit 2025 (shihni edhe te Liahona, maj 2025).