Gjetja e Forcës: Si i Fuqizon Terapia në Grup Anëtarët e Kishës

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), çdo shtet në Rajonin Europian të OBSH-së përballet me sfida gjatë punës për të nxitur mirëqenien mendore dhe emocionaleve të njerëzve të vet.


“Ka qenë një përvojë shumë e rëndësishme për mua. Më ndihmoi të kuptoja dhe të ‘bluaja’ problemin, ndjenjat e mia dhe reagimin tim. Ishte një përvojë shumë e mirë kur flisja me motra të tjera që kishin përvoja të ngjashme. Mësuesit/bashkërenduesit/ndërmjetësit ishin kaq dashamirës, mirëkuptues e të përgatitur.”


Ripërtëritja emocionale është aftësia për t’iu përshtatur stresit ose sfidave, duke i aftësuar individët që të përballen me kundërshtimin dhe të ruajnë mirëqenien. Sigurimi i përkujdesit dhe burimeve të efektshme ndaj njerëzve në nevojë, është thelbësor për t’i ndihmuar fëmijët e Perëndisë.


“Mjedisi jogjykues dhe plot dashuri, i shoqëruar me përkrahje dhe mësimdhënie profesionale, më ka sjellë shumë përvoja dhe ide pozitive.”


Pesë Grupe Trajtimi të Specializuar për të Përkrahur Anëtarët e Kishës

Shërbimet për Familjen, një nënndarje e sektorit të Shërbimeve për Mirëqenien dhe Mbështetjen te Vetja të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, i ndihmon individët dhe familjet që të forcojnë ripërtëritjen emocionale dhe mbështetjen te vetja. Pesë grupe trajtimi të specializuar, në dispozicion kryesisht në internet, i përkrahin anëtarët e Kishës që të përballen me sfidat e shëndetit emocional e mendor.


“…Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme u shërben anëtarëve të saj në të gjitha rastet dhe nuk na lë të vetëm me problemet tona emocionale. Kam vetëm fjalë mirënjohjeje dhe shprese në zemër.”


Këto grupe trajtimi përfshijnë: Shërimi nga Keqtrajtimi Seksual, Varësia nga Pornografia, Mbajtja nën Kontroll e Ankthit dhe Depresionit, Aftësitë e Përgjithshme të Shëndetit Mendor dhe Marrëdhëniet Martesore (Më Mbaj të Shtrënguar Fort). Grupet e radhës të trajtimit që do të vijnë së shpejti, përfshijnë: Trauma, Ankthi dhe Depresioni te Rinia, Varësia e Rinisë ndaj Pornografisë dhe Përshtatja për Misionarët. Disa prej këtyre grupeve të radhës janë tashmë në dispozicion në zona të përzgjedhura.


“Unë e kuptoj më mirë arsyen për karakterin, reagimet, ndjenjat e mia përballë rrethanave të ndryshme të jetës. Në të njëjtën kohë, kjo më ndihmon të jem në gjendje që të përballem më mirë me to sipas sugjerimeve të përmbajtura në këtë kurs.”


image

Udhëzimi për Udhëheqësit se si t’i Ndihmojnë Anëtarët e Tyre në Nevojë

Përfshirja e udhëheqësve të Kishës ndihmon që të sigurohet që anëtarët të vazhdojnë të marrin ndihmë edhe pasi të kenë mbaruar sesionet e grupit. Këshillimi midis udhëheqësve dhe profesionistëve të shëndetit mendor të Shërbimeve për Familjen siguron që individët përkrahen para, gjatë dhe pas grupit.

image

Kur një udhëheqës këshillohet me Shërbimet për Familjen rreth një anëtari, një profesionist i shëndetit mendor do të ndihmojë për të vlerësuar mënyrën më të mirë për ta ndihmuar atë. Kur kërkohet, një profesionist i Shërbimeve për Familjen do të kryejë një ekzaminim me anëtarin. Çdo situatë është e pashoqe dhe rekomandimet bëhen rast pas rasti.

Mjetet e Bazuara tek Ungjilli dhe Provat

Grupet e trajtimit të specializuar të Shërbimeve për Familjen sigurojnë mjete të bazuara tek ungjilli dhe provat për sfidat e shëndetit emocional dhe mendor. Sikurse ka thënë Presidenti Rasëll M. Nelson: “Unë ju nxit të ndërmerrni hapa për të qenë të përgatitur materialisht. Por jam akoma më i shqetësuar për përgatitjen tuaj shpirtërore dhe emocionale.”

Me udhërrëfimin e duhur, pjesëmarrësit mund ta forcojnë mirëqenien e tyre emocionale, të gjejnë paqe e shpresë nëpërmjet Shpëtimtarit dhe të jenë në gjendje të bëjnë e të mbajnë besëlidhje të shenjta.

Për të mësuar më shumë rreth të qenit në dispozicion të grupeve dhe gjuhëve, ju lutemi flisni me udhëheqësin tuaj ose klikoni këtu:  FAMILY SERVICES’ SPECIALIZED TREATMENT GROUPS FOR EMOTIONAL HEALTH [GRUPET E TRAJTIMIT TË SPECIALIZUAR TË SHËRBIMEVE PËR FAMILJEN PËR SHËNDET EMOCIONAL]