Gjetja e Forcës te Krishti dhe Lidhja Nëpërmjet Programit të Riaftësimit nga Varësitë

Programi i Kishës për Riaftësimin nga Varësitë ofron përkrahje dhe një vend të sigurt për këdo që punon për të mposhtur varësinë ose një sjellje të fiksuar

Programi i Riaftësimit nga Varësitë (PRV) i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme i ndihmon ata që janë të interesuar të punojnë për të mposhtur varësitë ose sjelljen e fiksuar që të kenë shpresë se riaftësimi është i mundur, madje edhe gjatë një pandemie. 

“Në anën tjetër të varësisë, ka shpresë, shërim dhe lumturi”, tha Karena, një pjesëmarrëse në PRV që po shërohet prej varësisë nga droga. “Jam vërtet mirënjohëse që e kam pasur këtë përvojë sepse më ka sjellë në këtë marrëdhënie me Jezu Krishtin, që kurrë nuk mendova se është e mundur.”

Çdo javë, rreth 2 800 mbledhje të PRV-së mbahen në 30 vende të ndryshme dhe 17 gjuhë të ndryshme. Këto mbledhje bëhen nga afër, por edhe virtualisht.
Çdo javë, rreth 2 800 mbledhje të PRV-së mbahen në 30 vende të ndryshme dhe 17 gjuhë të ndryshme. Këto mbledhje bëhen nga afër, por edhe virtualisht.

Lufta e Karenës me varësinë filloi për herë të parë kur ajo po punonte si infermiere dhe po bënte studimet pasuniversitare. “Pata edhe një ndërprerje shtatzënie, dhe pas ndërprerjes së shtatzënisë, m’u dha një recetë me ilaçe narkotike për dhembjet dhe kjo ishte hera e parë që kuptova se këto droga më ndihmuan për dhembjet si edhe të ndihesha më mirë brenda vetes.” 

Karena ra pre e varësisë dhe filloi të vidhte narkotikë nga puna. Kur e kapën duke vjedhur dhe humbi vendin e punës, Karena filloi udhëtimin e saj drejt riaftësimit. Gjatë këtij udhëtimi, ajo frekuentoi mbledhjet e PRV-së. 

“Mbledhjet e riaftësimit nga varësitë ishin ndoshta gjëja më e rëndësishme gjatë riaftësimit tim”, tha Karena. “Ndërsa rrija ulur atje dhe dëgjoja historitë e njerëzve të tjerë – pati njerëz të tjerë vërtet të mirë që kishin probleme me varësitë dhe të dëgjuarit e historive të tyre dhe të parit e arritjeve të tyre më dha shpresë se edhe unë mund të bëhesha më mirë.” 

“Teksa shkoja rregullisht në mbledhje, ndjeva që filloi të mbizotëronte fuqia e shërimit. Sot jam një person krejt ndryshe nga ajo që isha kur ndodhi kjo. Për shkak të Jezu Krishtit, unë e di se nuk kam përse të përcaktohem nga ajo që bëra asokohe dhe se unë jam një njeri i mirë. E kam ndier dashurinë e Tij. E kam ndier Atë të hyjë në jetën time dhe të ndryshojë personin që jam”, tha Karena. 

Çfarë Është Programi i Kishës për Riaftësimin nga Varësitë?
Programi i Kishës për Riaftësimin nga Varësitë ofron përkrahje dhe një vend të sigurt për këdo që punon për të mposhtur varësinë ose një sjellje të fiksuar. Programi përbëhet nga grupe përkrahëse që ndjekin një qasje prej 12 hapash me një strukturë të ungjillit. Secili grup përbëhet nga pjesëmarrës që punojnë drejt riaftësimit, misionarë me shërbim në PRV dhe ndërmjetës që kanë gjetur vetë riaftësim dhe shërim nëpërmjet Programit të Riaftësimit nga Varësitë. Ka grupe të veçanta për ata që luftojnë me varësitë e përgjithshme dhe përdorimin e pornografisë. Ka edhe grupe përkrahjeje që frekuentohen nga bashkëshortët/et dhe pjesëtarët e familjes.

Secili grup i Programit të Riaftësimit nga Varësitë përbëhet nga pjesëmarrës që punojnë drejt riaftësimit, misionarë me shërbim në PRV dhe ndërmjetës që kanë gjetur vetë riaftësim dhe shërim nëpërmjet Programit të Riaftësimit nga Varësitë.
Secili grup i Programit të Riaftësimit nga Varësitë përbëhet nga pjesëmarrës që punojnë drejt riaftësimit, misionarë me shërbim në PRV dhe ndërmjetës që kanë gjetur vetë riaftësim dhe shërim nëpërmjet Programit të Riaftësimit nga Varësitë.

“Në shoqëri dhe veçanërisht në Kishë ka kaq shumë turp dhe damkosje rreth sjelljeve të varësisë dhe ato të fiksuara. Si pasojë, njerëzit vuajnë në heshtje dhe kjo më thyhen zemrën”, tha Beni Eruin, një terapist i Shërbimeve Familjare dhe përgjegjës për Programin e Riaftësimit nga Varësitë. “Programi i Riaftësimit nga Varësitë ofron një vend të sigurt ku çdokush mund të gjejë pranim, dhembshuri, ndihmë, përkrahje, të vërtetën dhe shërim. Kur hyni në një mbledhje të programit të riaftësimit nga varësitë, njerëzit nuk gjykojnë, nuk shikojnë ngultas, nuk hedhin ndonjë vështrim të shpejtë – ata ju mirëpresin ngrohtësisht. Janë kaq të lumtur që erdhët. Dhe do t’ju ftojnë që të vazhdoni të ktheheni.” 

Gjeni një Mbledhje Virtuale ose nga Afër
Çdo javë, rreth 2 800 mbledhje të PRV-së mbahen në 30 vende të ndryshme dhe 17 gjuhë të ndryshme. Këto mbledhje bëhen nga afër, por edhe virtualisht. Nëse nuk ka asnjë mbledhje në zonën tuaj ose në qoftë se ndiheni më mirë po të merrni pjesë virtualisht, ju mund t’i bashkoheni një mbledhjeje në Zoom ose me anë të telefonit.  

“Tradicionalisht, ne jemi takuar nga afër, por për shkak të COVID-it, jemi rritur dhe i kemi zgjeruar mbledhjet në internet ku njerëzit mund të bashkohen nëpërmjet Zoom-it”, tha Eruini. Mbledhjet virtuale kanë qenë një domosdoshmëri gjatë pandemisë, por gjithashtu kanë sjellë shumë të mira. Nëse nuk ka një mbledhje në zonën tuaj, ju mund t’i bashkoheni një mbledhjeje në një qytet tjetër. Nëse ndiheni më rehat që të bashkoheni në mënyrë anonime, ju mund ta bëni atë virtualisht. 

“Mbledhjet virtuale u japin njerëzve mundësi të tjera që të hedhin hapin e parë. Mbledhja e parë është gjithmonë më e frikshmja, është gjithmonë më e vështira – por nëse keni pakëz besim, mund t’i bashkoheni një telefonate. Nuk keni përse ta thoni emrin tuaj të vërtetë. Ju thjesht mund të uleni, të merrni pjesë, të dëgjoni, të vëzhgoni dhe ta ndieni Shpirtin.”

Lidhja me Shpëtimtarin
Programi i Kishës për Riaftësimin nga Varësitë ka të bëjë me përkrahjen dhe lidhjen me njëri-tjetrin për të mposhtur varësinë, por është edhe për t’u lidhur me Shpëtimtarin, Jezu Krishtin. Ai dëshiron të na ndihmojë gjatë sprovave tona dhe Ai është burimi i shërimit. 

“Shpëtimtari është mjaft i vetëdijshëm për të gjitha sprovat dhe vështirësitë tona. Kur dy a tre janë mbledhur në emrin e Tij, atje është edhe Ai”, tha Eruini. “Kur ne mblidhemi për ta përkrahur njëri-tjetrin në mposhtjen e kësaj sfide nëpërmjet Tij, përvoja ime është se Ai është atje me ne.” 

Vizitoni faqen addictionrecovery. ChurchofJesusChrist.org për të gjetur një mbledhje virtuale ose nga afër. Faqja e internetit gjithashtu përfshin histori shprese, materiale filmike dhe udhërrëfime nga grupi i përkrahjes. Ju gjithashtu mund të dëgjoni shpërndarjet përmes internetit të mbledhjeve të regjistruara, për të mësuar më shumë rreth asaj se si është një mbledhje.