Në prill 2023, Presidenti Nelson tha: “Çfarëdo pyetjesh apo problemesh të keni, përgjigjja gjendet gjithmonë në jetën dhe mësimet e Jezu Krishtit”[1].
M’u kujtua kjo kur unë dhe bashkëshortja ime vizituam kështjellën Frederiksborg në qytetin Hillerod në veri të Kopenhagenit në Danimarkë, së bashku me disa anëtarë të tjerë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme që po na vizitonin nga jashtë shtetit.
Kështjella Frederiksborg është një kështjellë e bukur, e ndërtuar nga mbreti danez Kristiani IV, midis viteve 1600 dhe 1625, në stilin holandez të Rilindjes. Si pjesë e kështjellës, u ndërtua edhe një kishë dhe një dhomë lutjesh për mbretin.
Pas një zjarri shkatërrues në vitin 1859, piktorit fetar Karl Blohut iu kërkua të zbukuronte dhomën e vogël të lutjes, të saporestauruar, me piktura që paraqitnin jetën e Krishtit. Këto piktura u harruan nga pjesa më e madhe e botës derisa Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, në vitin 1962, shtypi kopje të pikturave për t’u përdorur nga mësuesit në Fillore, në Shkollën e së Dielës dhe për prindërit në shtëpi.
Ne e filluam vizitën tonë në kështjellë me miqtë tanë duke shkuar fillimisht në dhomën e lutjes për të parë pikturat origjinale të Karl Blohut. Pasi ua vura në dukje pikturat, vazhdova në dhomat e tjera për të vijuar vizitën në kështjellë. Megjithatë, askush nuk më ndoqi, kështu që u ktheva për të gjetur të tjerët.
Kur u ktheva në dhomën e lutjes, i gjeta miqtë tanë duke vrojtuar ende pikturat, të prekur thellë nga ajo që panë. Kuptova, i vënë në siklet, që kisha ardhur për t’u treguar miqve tanë disa piktura të bukura pothuajse si një udhërrëfyes turistik, por ata ndaluan, morën kohën e duhur dhe bënë përpjekje për të parë përtej asaj që Karl Blohu kishte pikturuar kaq bukur në bakër. Kështu, ata panë jetën dhe mësimet e Jezu Krishtit dhe u prekën nga mesazhet e Shpëtimtarit tonë.
Pasi u bashkuam përsëri me miqtë tanë, kaluam një kohë të paharrueshme së bashku duke e parë secilën nga 23 pikturat veç e veç dhe duke folur për secilën ngjarje në jetën e Tij dhe mesazhet që mund të mësojmë. E filluam me pikturën që portretizonte vizitën e engjëllit te Maria, duke i thënë asaj: “Mos ki frikë, Mari, sepse ke gjetur hir para Perëndisë. Dhe ja, ti do të mbetesh shtatzënë dhe do të lindësh një djalë, dhe do t’ia vësh emrin Jezus. Ai … do të quhet Biri i Shumë të Lartit; dhe Zoti Perëndi do t’i japë fronin e Davidit, atit të tij.”[2]
Pas njëfarë kohe, e përfunduam me pikturën e fundit që portretizon Jezu Krishtin e ringjallur. Kjo pikturë është një kujtues për mua për atë që Jezu Krishti kreu për të gjithë ne. Kjo përmblidhet kaq mirë nga Nefi në mesazhin e tij të gëzueshëm: “Unë ngazëllehem në qartësi, unë ngazëllehem në të vërtetën, unë ngazëllehem në Jezusin tim, pasi ai e ka shëlbuar shpirtin tim nga ferri”[3].
Përvoja në kështjellën e Frederiksborgut përballë pikturave të Karl Blohut, të cilat i kam parë shumë herë, ishte një kujtues i rëndësishëm për mua. Ne mund të shikojmë pikturat e Jezu Krishtit, ose mund të lexojmë histori të Jezu Krishtit, por kemi nevojë të marrim kohën e duhur dhe të bëjmë përpjekje për të medituar për mesazhet e mësimeve të Tij dhe për t’i lidhur ato me jetën tonë. Në këtë mënyrë ne do të jemi më në gjendje të “mëso[jmë] më shumë për Shlyerjen e Tij, dashurinë e Tij, mëshirën e Tij, doktrinën e Tij dhe ungjillin e Tij të rivendosur të shërimit dhe përparimit”[4] dhe të gjejmë përgjigje për pyetjet e problemet tona.
Përvoja në kështjellën e Frederiksborgut përballë pikturave të Karl Blohut, të cilat i kam parë shumë herë, ishte një kujtues i rëndësishëm për mua. Ne mund të shikojmë pikturat e Jezu Krishtit, ose mund të lexojmë histori të Jezu Krishtit, por kemi nevojë të marrim kohën e duhur dhe të bëjmë përpjekje për të medituar për mesazhet e mësimeve të Tij dhe për t’i lidhur ato me jetën tonë. Në këtë mënyrë ne do të jemi më në gjendje të “mëso[jmë] më shumë për Shlyerjen e Tij, dashurinë e Tij, mëshirën e Tij, doktrinën e Tij dhe ungjillin e Tij të rivendosur të shërimit dhe përparimit”[4] dhe të gjejmë përgjigje për pyetjet e problemet tona.
[1] “Përgjigjja Është Gjithmonë Jezu Krishti”, konferenca e përgjithshme, prill 2023
[2] Lluka 1:30–31
[3] 2 Nefi 33:6
[4] “Përgjigjja Është Gjithmonë Jezu Krishti”, konferenca e përgjithshme, prill 2023