Gjenealogjia dhe Historia Familjare: Një Hallkë Lidhëse me të Kaluarën

Kërkimi për historinë familjare i ndihmon shumë njerëz të ndiejnë një lidhje me paraardhësit e tyre. Përse shenjtorët e ditëve të mëvonshme bëjnë punë për historinë familjare dhe punë në tempull?
A e keni pyetur veten ndonjëherë se përse Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme ndërton tempuj? Mësoni më shumë mbi lidhjen mes tempujve dhe punës për historinë familjare.

Për anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, familja është më e rëndësishme se pothuajse çdo gjë tjetër! Shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë se familjet mund të zgjatin në përjetësi. Kjo do të thotë se familjet tona përfshijnë jo vetëm ata që po jetojnë këtu në tokë me ne, por gjithashtu edhe gjyshërit, paraardhësit dhe pjesëtarë të tjerë të familjes që kanë vdekur përpara nesh. Plaku Kuentin L. Kuk, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim: “Plani i Atit tonë [Qiellor] është për familjet që simbolizohen nga një pemë e madhe. Në mënyrë që një pemë të jetojë e të rritet, asaj i duhen si rrënjët, ashtu edhe degët. Po ashtu neve na duhet të lidhemi si me rrënjët tona – prindërit, gjyshërit tanë dhe paraardhës të tjerë – ashtu edhe me degët tona – fëmijët, nipërit e mbesat tona dhe pasardhës të tjerë” (“Our Father’s Plan Is about Families” [bisedë e mbajtur në RootsTech Family Discovery Day, 14 shkurt 2015], churchofjesuschrist.org). Lexoni në vijim për të mësuar më shumë mbi atë që besojnë shenjtorët e ditëve të mëvonshme rreth punës për historinë familjare, dhe mbi mënyrën se si lidhet puna për historinë familjare me ndërtimin e tempujve.

Përse puna për historinë familjare është aq e rëndësishme për anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme?

Kur Jozef Smithi, profeti themelues i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, ishte djalosh, një engjëll që quhet Moroni, u shfaq pranë shtratit të Jozefit ndërsa ai po lutej. Engjëlli Moroni i citoi Jozefit disa vargje të shkrimit të shenjtë, me pak ndryshime, nga libri biblik i Malakiës (shih Joseph Smith – Historia 1:28–39). Moroni i tha Jozefit:

“Vini re, unë do t’ju zbuloj Priftërinë, nga dora e Elijas, profetit, përpara ardhjes së ditës së madhe e të tmerrshme të Zotit.

. . . Dhe ai do të mbjellë në zemrat e fëmijëve premtimet e bëra etërve dhe zemrat e fëmijëve do të kthehen tek etërit e tyre. Në qoftë se nuk do të ishte kështu, e tërë toka do të shkatërrohej plotësisht në ardhjen e tij” (Joseph Smith – Historia 1:38–39).

Shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë se pikërisht ashtu si Moroni i dha mësim Jozef Smithit, “zemrat e fëmijëve” duhet të kthehen tek etërit apo paraardhësit e tyre, për t’u përgatitur për Ardhjen e Dytë të Zotit Jezu Krisht në tokë. Një mënyrë se si anëtarët e Kishës i “kthejnë zemrat e tyre” te paraardhësit e tyre është duke marrë pjesë në punën për historinë familjare dhe gjenealogjinë (shih Dejvid A. Bednar, “Zemrat e Fëmijëve Do të Kthehen”, Ensign ose Liahona, nëntor 2011, f. 24–27). Shumë njerëz mund të dëshmojnë për shpirtin e dashurisë që ndiejnë për pjesëtarët e familjes së tyre teksa bëjnë historinë familjare dhe gjenealogjinë. Si pjesë e punës për historinë familjare, shenjtorët e ditëve të mëvonshme mbledhin emrat e pjesëtarëve të vdekur të familjes në mënyrë që të mund të kryhen ordinancat për ta. Shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë se në tempujt e shenjtë ne mund të vulosemi, apo të bashkohemi së bashku, me pjesëtarët e familjes sonë, si të gjallë edhe të vdekur, kështu që familjet të mund të vazhdojnë përtej varrit.

Çfarë ndodh brenda tempujve?

Shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë se, që të kthehemi e të jetojmë me Atin tonë Qiellor pasi të vdesim, ne duhet të kryejmë disa ordinanca – përfshirë pagëzimin dhe marrjen e dhuratës së Frymës së Shenjtë – ndërkohë që jemi në tokë (shih Të Vërtetë ndaj Besimit [2005], f. 105–106). Megjithatë, shumë prej fëmijëve të Perëndisë, nuk e patën një mundësi për ta pranuar ungjillin e Jezu Krishtit dhe për t’i marrë këto ordinanca shpëtuese ndërsa ishin gjallë.

Shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë se ne vazhdojmë të jetojmë si shpirtra pasi të vdesim dhe se predikimi i ungjillit të Jezu Krishtit vazhdon në botën e shpirtrave (shih DeB 138). Shumë prej fëmijëve të Perëndisë në botën e shpirtrave do ta pranojnë ungjillin dhe ata njerëz dëshirojnë që për ta të kryhen ordinanca të tilla si pagëzimi (shih Introduction to Family History Student Manual [2012], f. 83). Shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë se Perëndia i ka urdhëruar anëtarët e Kishës së Tij që të ndërtojnë tempuj si vende ku ata mund të plotësojnë ordinancat shpëtuese në emër të pjesëtarëve të vdekur të familjeve të tyre. Shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë se askush nuk do të detyrohet t’i pranojë ato ordinanca (shih Introduction to Family History Student Manual, f. 9).

Në ç’mënyrë mund të mësoj më shumë?

Shumë shenjtorë të ditëve të mëvonshme bëjnë kërkime për historinë e tyre familjare që të mund të kryejnë ordinanca në tempull për pjesëtarët e familjes së tyre. Tempujt e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme janë vende të shenjta ku familjet bashkohen së bashku për përjetësinë dhe ku kryhen ordinanca të shenjta e shpëtuese. Krijojeni pemën tuaj vetjake familjare falas te FamilySearch.org, ose mësoni më shumë mbi tempujt e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme duke vizituar ejanitekrishti.org.