
Disa muaj më parë, mijëra njerëz vizituan këndin e Kishës sonë te Panairi i Librit në Frankfurt, ku patën mundësinë të mësonin rreth Librit të Mormonit, ta lexonin atë dhe të flisnin për përshtypjet e tyre. Në anën tjetër të këndit, turma vizitorësh mundën ta përjetonin personalisht historinë familjare dhe mbetën të mahnitur nga shkalla e gjerë e punës me programin FamilySearch.
Pasi krijuan përshtypje, shumë vizitorë më pyetën: Pse po e bëni gjithë këtë punë?
Nga kjo rrodhën bashkëbisedime të thella rreth ungjillit të Jezu Krishtit dhe planit të shëlbimit. Këto bashkëbisedime më bënë të qarta sërish disa gjëra:
- Nuk ka arsye pse të ngurrojmë në dhënien e dëshmisë sonë për Jezu Krishtin.
- Dora e Zotit shfaqet qartësisht teksa veprojmë me drejtësi në emër të Tij.
- Asgjë nuk i përafrohet madhësisë dhe madhështisë së planit të shëlbimit dhe mbledhjes së Izraelit në të dyja anët e velit.
Teksa po ecja për te vendparkimet në përfundim të ditës së fundit të panairit, vura re një familje në turmën përpara meje duke folur gjithë entuziazëm për përvojën e tyre në këndin tonë.
Fjalët e Presidentit Rasëll M. Nelson më erdhën ndër mend:
“Ju bëj thirrje të ndihmoni për ta mbledhur Izraelin e shpërndarë dhe për ta përgatitur botën për Ardhjen e Dytë të Zotit. Ju bëj thirrje të flisni për Krishtin, të dëshmoni për Krishtin, të keni besim te Krishti dhe të gëzoheni në Krishtin!”1

Jam mirënjohës për mundësitë e shumta për ta bërë pikërisht këtë.
Në jetën tonë të përditshme, ka ndikime të panumërta që konkurrojnë për vëmendjen tonë, të cilat mund të na shpërqendrojnë ose madje edhe të na pengojnë për ta bërë atë. Nëse i pranojmë symbyllur këto forca, rrezikojmë të largohemi gradualisht, por qëndrueshëm nga fusha e gravitetit së pemës së jetës dhe frutës së saj, dhe forcat e tërheqjes që burojnë nga ndërtesa e madhe dhe e gjerë, rrokin ndikim.
Nefi u bëri jehonë në mënyrë të pagabueshme fjalëve të atit të tij, Lehit:
“Dhe e madhe qe turma që hyri në atë ndërtesë të çuditshme. Dhe pasi hynin në atë ndërtesë, na përqeshnin dhe na tregonin me gisht, mua dhe gjithashtu të tjerë që po hanin nga fruti; por ne nuk ua vumë veshin. … Pasi të gjithë ata që ua vunë veshin, u zhdukën.”2
Përkujdesja me vetëdije për dëshminë tonë do të thotë të vërejmë në kohën e duhur ndryshimet në fushat e gravitetit ndaj efekteve të të cilave ekspozohemi. A jam në procesin e largimit nga besëlidhjet e mia me Perëndinë, duke përfshirë besëlidhjet e tempullit? A po bëhem mospërfillës/e në pagimin e së dhjetës apo në lidhje me urdhërimet e tjera, sakramentin, Shabatin, lutjet e mia dhe mënyrën se si po e ushqej shpirtin tim?
Është thelbësore të ndaloni herë pas here dhe t’i bëni vetes disa pyetje të rëndësishme: Në ç’pikë jam në planin e shëlbimit? Ku kam ende mungesa kuptueshmërie? Çfarë më nevojitet nga Jezu Krishti për ta marrë këtë kuptueshmëri? Për çfarë duhet të filloj të pendohem menjëherë?
Mbani në mendje se rënia shpirtërore përshpejtohet sa më shumë largohemi nga Jezu Krishti. Megjithatë, në të kundërt, përparimi shpirtëror përshpejtohet nëse pendohemi çdo ditë dhe i afrohemi përherë e më shumë Jezu Krishtit.
Një nga mënyrat më të efektshme për ta arritur këtë afërsi më të madhe, në fakt gjendet te këshilla e profetit tonë për t’ia zotuar sërish jetën Jezu Krishtit dhe për të dëshmuar për Të. Teksa e bëjmë këtë me vendosmëri, ne do ta ndiejmë gjithnjë e më shumë fuqinë e Perëndisë në jetën tonë. Do të marrim këshillë nga Fryma e Shenjtë dhe do të jemi gjithnjë e më shumë në gjendje ta kuptojmë këtë këshillë. Do të kemi një ndjesi më të madhe përkatësie dhe shumë shpesh do të mahnitemi nga madhështia dhe shtrirja e përjetshme e kësaj pune.
Por kjo nuk është e gjitha: pavarësisht nga rrethanat tona, ne do ta ndiejmë gjithnjë e më shumë dashurinë e Perëndisë dhe kjo, në këmbim, do të na shtyjë t’ua shprehim atë të tjerëve. Do të marrim mbrojtje të efektshme kundër forcave shkatërruese në botë.
Puna gjatë panairit të librit ishte shumë rraskapitëse. Në mbarim, të gjithë ishim të shteruar fizikisht, por me një zgjim të bukur në shpirt dhe plot gëzim.
Shënime
- Rasëll M. Nelson, “Zoti Jezu Krisht do të Vijë Përsëri”, Liahona, nëntor 2024, f. 122.
- 1 Nefi 8:33–34.