Fundjava e Pashkës do të Përfshijë Konferencën e Përgjithshme Botërore dhe Kuvendin Solemn

Miliona njerëz në mbarë botën do të mblidhen më 4−5 prill 2026, për Konferencën e Përgjithshme Vjetore të 196‑të të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Ngjarja dyditore, që nis nga Qendra e Konferencave në Solt‑Lejk‑Siti të Jutës, do të përfshijë mesazhe shprese dhe paqeje, të përqendruara te jeta dhe mësimet e Jezu Krishtit.

 

Meqenëse konferenca e këtij viti bie në të dielën e Pashkës, shumë nga mesazhet do të përqendrohen natyrshëm në thelbin e vetë Pashkës − Ringjalljen e mirëfilltë të Jezu Krishtit, Shlyerjen e Tij të pafundme, ngadhënjimin e Tij mbi vdekjen, si dhe shpresën, ripërtëritjen dhe paqen që vijnë nëpërmjet Tij. Predikimet nga udhëheqësit e Kishës do të dëshmojnë se, ngaqë Shpëtimtari jeton, individët dhe familjet mund të gjejnë forcë, qëllim dhe gëzim në dishepullimin e tyre.

Çfarë Është një Kuvend Solemn?

Një çast tjetër i rëndësishëm do të jetë kuvendi solemn gjatë seancës së paradites të së shtunës, një mundësi që shenjtorët e ditëve të mëvonshme të mbështetin një President të ri dhe një Presidencë të Parë të re të Kishës.

 

Kuvendet solemne janë mbledhje të veçanta, të shenjta që mbahen për një larmi qëllimesh të shenjta. Ato sjellin në mbledhje një ndjesi të lartësuar shpirtshmërie. Kuvendet solemne kanë përfshirë mbështetjen e një presidenti të ri të Kishës (siç do të jetë rasti në mëngjesin e 4 prillit), përkushtimin e një tempulli, përkujtime të veçanta dhe qëllime të tjera të shenjta.

 

Disa kuvende solemne (për shembull, në prill të vitit 2020) kanë përfshirë Thirrjen Hosana, një akt simbolik me rrënjë në Dhiatën e Re. Kuvendi solemn i 4 prillit nuk do të përfshijë një Thirrje Hosana.

 

Orari i Përditësuar i Sesioneve

Pas përshtatjeve të kohëve të fundit në formatin e konferencës, konferenca e përgjithshme e prillit 2026 nuk do të ketë një sesion të mbrëmjes të së shtunës. Konferenca do të përbëhet nga katër sesione të përgjithshme për të gjithë individët, familjet dhe miqtë e Kishës.

 

Konferenca transmetohet drejtpërdrejt në televizor dhe internet në mbi 70 gjuhë, në mënyrë që njerëzit kudo të kenë qasje tek ajo në tubime të mëdha dhe të vogla, në shtëpi dhe mjedise familjare. Shërbesat e rregullta të së dielës në shtëpitë e mbledhjeve të Kishës nuk mbahen gjatë fundjavave kur zhvillohet konferenca e përgjithshme.

 

Katër sesionet dyorëshe do të mbahen si vijon (të gjitha oraret janë sipas Orës në Zonën e Shtatë Orare):

E shtunë, 4 prill

  • Sesioni i paradites: 10:00 deri në 12:00
  • Sesioni i pasdites: 14:00 deri në 16:00

E diel, 5 prill

  • Sesioni i paradites: 10:00 deri në 12:00
  • Sesioni i pasdites: 14:00 deri në 16:00

 

Si Mund ta Shikoj ose Dëgjoj më Vonë?

Pas transmetimit, mesazhet do të vihen në dispozicion në formate teksti, zëri dhe figure në shumë kanale, deri në 98 gjuhë, për t’i parë dhe studiuar sipas kërkesës. Këto kanale përfshijnë programet Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit], Media Library [Biblioteka e Mjeteve të Informimit], kanalin General Conference YouTube [Konferenca e Përgjithshme në YouTube] dhe revistat e Kishës.