Mesazh i Udhëheqjes Zonale

Ftesa për të Ndjekur Profetin

Nëpërmjet zbulesës vetjake, ju mund të merrni vetë dëshminë tuaj.

Plaku Iv Vaidman
Plaku Iv Vaidman, I Shtatëdhjetë Zonal

Kur Presidenti Rasëll M. Nelsoni u paraqit në media si profeti dhe Presidenti i Kishës në janar të vitit 2018, një kolegia ime, e cila nuk ishte anëtare e kishës, më foli për moshën e presidentit tonë të ri. “Mos u shqetëso”, i thashë asaj. Tek e fundit, ajo nuk mund ta dinte se ai ishte ende në krye të detyrave të tij kishtare çdo ditë, udhëtonte kudo nëpër botë si pjesë e thirrjes së tij, po mësonte gjuhën kineze në një moshë të thyer, dhe plot gjallëri në një moshë 93vjeçare, ai ishte ende i zellshëm të bënte ski nëpër shpatet e Jutës.

Megjithatë, fjalët e saj përmbanin gjithashtu një kritikë delikate, gjë të cilën priremi ta dëgjojmë nga një mori zërash të botës: Si mund ta ndiqni në një “shoqëri moderne”, “symbyllurazi” një person? Një deklaratë e tillë tregon se bota nuk e kupton ende rolin e një profeti. Plaku Nil L. Anderson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, deklaroi: “Roli më i rëndësishëm i profetit të Zotit është të na mësojë për Shpëtimtarin dhe të na udhëheqë drejt Tij. … Një profet nuk qëndron ndërmjet [nesh] dhe Shpëtimtarit. Përkundrazi, ai qëndron përkrah [nesh] dhe [na] tregon rrugën drejt Shpëtimtarit.” [1]

Si rrjedhim, një profet ka gjithmonë përgjegjësinë për të na drejtuar sytë dhe gjithë zemrën tonë drejt Zotit Jezu Krisht – të vetmit burim të shëlbimit dhe shpëtimit tonë. S’është çudi, që njëra nga ftesat e para të Presidentit Nelson pas veçimit të tij ishte kjo: “Çfarë urtësie ju mungon? Çfarë mendoni se keni nevojë të ngutshme për të ditur ose kuptuar? Ndiqni shembullin e Profetit Jozef. Gjeni një vend të qetë ku mund të shkoni rregullisht. Përuleni veten përpara Perëndisë. Hapjani zemrën Atit tuaj Qiellor. Drejtojuni Atij për përgjigje e ngushëllim. Lutuni në emrin e Jezu Krishtit për shqetësimet tuaja, frikën tuaj, dobësitë tuaja – po, pikërisht dëshirat e zemrës suaj. Dhe më pas dëgjoni! Shkruajini mendimet që ju vijnë në mendje. Shënojini ndjenjat dhe pasojini me veprimet që nxiteni t’i bëni. … Nuk keni përse ta pyetni veten se çfarë është e vërtetë. Nuk keni përse ta pyetni veten se kujt mund t’i mirëbesoni me siguri. Nëpërmjet zbulesës vetjake, ju mund të merrni vetë dëshminë tuaj.” [2]

Presidenti i Kishës, Russell M. Nelson

E dua shumë këtë parim të përjetshëm të ungjillit të Jezu Krishtit që ne mund dhe duhet të marrim zbulesë për veten dhe të fitojmë një dëshmi për veten. Kjo nuk ka të bëjë aspak me bindjen e verbër. Krejt e kundërta: Bindja e verbër do të binte ndesh me këtë parim.

Në fakt, kjo ishte pikërisht arsyeja e kësaj nxitjeje, që të marrim përgjigje vetjake se Kisha e Jezu Krishtit është rivendosur. Kur djaloshi Jozef Smith, u kthye pas mrekullisë së Vegimit të tij të Parë dhe u pyet nga nëna e tij e shqetësuar se si ndihej, ai mund t’i kishte thënë asaj shumë gjëra. Por në atë çast ai kuptoi diçka dhe dëshironte t’ia tregonte asaj: “Mos u shqetëso, gjithçka është në rregull. Tani jam mjaft mirë.” … Kam mësuar vetë.” [3] Ai kishte folur më parë me shumë mësues të fesë, kishte studiuar fjalët e profetëve në Bibël, kishte dëgjuar këshillën e familjarëve dhe miqve të tij. Por në atë çast që mori përgjigjet drejtpërdrejt nga Zoti, ai ishte gati për shërbesën e tij të madhërishme, të përkushtuar dhe të mrekullueshme.

Shembulli nga jeta e Jozef Smithit, si edhe thirrja e Presidentit Nelson, janë ftesa të përzemërta për ne që të përpiqemi për zbulesë vetjake çdo ditë. Sado paradoksale që mund të tingëllojë në fillim: Të ndjekim profetin do të thotë të zbulojmë vetë, të marrim dëshmi vetjake dhe të kërkojmë udhëzimin e Perëndisë për jetën tonë dhe për detyrat tona të shumta.

Le të dëgjojmë dhe ta përsiatim të gjithë këshillën e profetit tonë dhe ta zbulojmë vetë, herë pas here, atë që Zoti na fton të bëjmë personalisht dhe më pas ta vëmë këtë ftesë në veprim me vendosmëri dhe me gjithë zemër.


1. “Profeti i Perëndisë”, Konferenca e Përgjithshme e Prillit 2018.
2. “Zbulesë për Kishën, Zbulesë për Jetën Tonë”, Konferenca e Përgjithshme e Prillit 2018; theksimi i shtuar.
3. Joseph Smith – Historia 1:20; theksimi i shtuar.