Ndjekja e Jezu Krishtit do të sjellë paqe në kohë të vështira. Ajo sjell edhe përgjegjësinë për t’u kujdesur për të varfrit dhe për tokën. Këto mesazhe u dëgjuan nga mijëra besnikë të mbledhur në Solt-Lejk‑Siti për konferencën e përgjithshme të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dhe miliona njerëz të tjerë në mbarë botën që e shohin në internet.
Konferencat e përgjithshme të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme zhvillohen çdo gjashtë muaj. Udhëheqësit mbarëbotërorë të Kishës u drejtohen anëtarëve dhe miqve anembanë globit. Pesë sesionet e konferencës, të zhvilluara më 1–2 tetor 2022, u transmetuan drejtpërdrejt në 70 gjuhë.
Rasëll M. Nelsoni, Presidenti i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, iu lut publikut të tij të gjente prehje nga intensiteti, pasiguria dhe angështia e kësaj bote duke u zotuar me vendosmëri për të ndjekur shembullin e Jezu Krishtit.

“Të jetuarit sipas mënyrës së Tij sjell gëzim e paqe dhe Ai i ftoi të tjerët tek ajo mënyrë e të jetuarit me butësi, dashamirësi dhe dashuri”, – përsëriti Xh. Enet Denisi. Motra Denis shërben si Këshilltare e Parë në Presidencën e Përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës, organizata e grave të Kishës.

“Drita dhe Shpirti i Jezu Krishtit na udhëheqin të gjithëve në ndihmën ndaj të varfërve dhe të dëshpëruarve në mbarë botën”, – tha Presidenti Dallin H. Ouks, Këshilltar i Parë në Presidencën e Parë. Ai ritheksoi misionin e Kishës për të punuar me organizata të tjera bamirëse për të ofruar në shkallë botërore ndihmë humanitare për ata që vuajnë.
Midis atyre që kontribuan në punimet e konferencës ishin disa europianë.
Plaku Diter F. Uhtdorf, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, paraqiti një udhëzues të rihartuar për të rejat e të rinjtë shenjtorë të ditëve të mëvonshme, të moshave 11 deri në 18 vjeç. Udhëzuesi i ri, “Për Forcën e Rinisë: Një Udhëzues për Bërjen e Zgjedhjeve”, bazohet te parimet e ungjillit, liria e zgjedhjes dhe frymëzimi. “Udhërrëfyesi më i mirë i mundshëm që mund të keni për bërjen e zgjedhjeve, është Jezu Krishti. Jezu Krishti është forca e rinisë”, – dha mësim Plaku Uhtdorf, që është nga Gjermania.
“Kujdesi për tokën dhe për mjedisin tonë natyror është një përgjegjësi e shenjtë që i është besuar njerëzimit nga Perëndia”, – shpalli Zherald Kosé, Peshkopi Kryesues i Kishës. Ai rekomandoi të përvetësojmë stile vetjake të jetesës dhe sjellje që i respektojnë krijimet e Perëndisë. Peshkopi Kosé është nga Bordoja.
Gjatë sesionit të pasdites të së shtunës, Plaku Hans T. Bum, i Të Shtatëdhjetëve, bëri një lutje. Ai iu lut Perëndisë që t’i ndihmonte besimtarët ta kuptonin thirrjen e tyre dhe rolin e tyre në botë. Plaku Bum lindi në Amsterdam. Ai aktualisht shërben si president i Zonës së Europës Veriore të Kishës me zyrat qendrore në Londër.
Gjatë konferencës, anëtarët e Kishës mbështetën ndryshimet në udhëheqje. Tetë Autoritete të Përgjitshme Të Shtatëdhjetë u liruan nga thirrja dhe iu dha statusi i nderit. U thirrën gjashtë Të Shtatëdhjetë Zonalë të rinj, mes tyre Bernard Cizla nga Jakobvylezhaimi në Gjermani dhe Iv S. Waidmani nga Burgdorfi në Zvicër.
Të Shtatëdhjetët në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme shërbejnë si “dëshmitarë të veçantë” dhe iu vijnë në ndihmë Dymbëdhjetë Apostujve për “ngritjen e kishës dhe rregullimin e gjithë punëve të saj” sipas zonës gjeografike.
Gjatë sesionit përmbyllës të konferencës, Presidenti Rasëll M. Nelson njoftoi planet për ndërtimin e 18 tempujve të tjerë.

Dielli lind në majën e Qendrës së Konferencave në zyrat qendrore të Kishës në Solt-Lejk-Siti të Jutës, gjatë sesionit të paradites të konferencës së përgjithshme të dielën, më 2 tetor 2022.


Një djalë në Norvegji vizaton një figurë të Motrës Trejsi Y. Brauning, Këshilltare e Dytë në Presidencën e Përgjithshme të Fillores, ndërsa ndjek fjalimin e saj gjatë konferencës së përgjithshme.


Një vajzë në Norvegji duke ngjyrosur një figurë të Jezusit ndërsa sheh konferencën e përgjithshme.


Një çift nga Helsinki në Finlandë, sheh një sesion të konferencës së përgjithshme të shtunën, më 1 tetor 2022.


Një baba me të birin në Norvegji duke parë transmetimin e konferencës së përgjithshme.
