Festimi i Ditës Europiane të Gjuhëve: Misionarët shenjtorë të ditëve të mëvonshme ndihmojnë për të sjellë unitet në një botë plot larmi [kulturash]

Anembanë Europës, të reja dhe të rinj po flasin gjuhë [të huaja] që kurrë nuk e përfytyruan se do t’i mësonin apo mund t’i mësonin. 

Anembanë Europës, të reja dhe të rinj po flasin gjuhë [të huaja] që kurrë nuk e përfytyruan se do t’i mësonin apo mund t’i mësonin. Misionarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme vijnë në Europë nga e gjithë bota dhe përfshihen në vendet dhe komunitetet ku shërbejnë. Ndërsa e bëjnë këtë gjë, tek ata krijohet pasion dhe dashuri për popujt dhe kulturat.

Isak Tërneri është shembull i mirë i pasojave afatgjata të mësimit të gjuhëve të reja për t’u shërbyer njerëzve që kanë prejardhje dhe përvoja të ndryshme nga prejardhja dhe përvojat e tij. Kohët e fundit, Isaku u kthye në shtëpinë e familjes së vet në Çorli të Anglisë pasi shërbeu në një mision për njëzet e pesë muaj në Greqi.  Ndërkohë që ishte atje, ai mësoi të fliste greqisht, shqip, maqedonisht dhe gjuhën greke të shenjave.

img1

Isaku thotë: “Nxitësi më i madh për mua që të mësoja një gjuhë të re, ishte dashuria për njerëzit.  I doja njerëzit dhe kulturat kaq shumë dhe dëshiroja të zija miq dhe të arrija t’i njihja ata.  Natyrisht, mësimi i gjuhës ishte një pjesë e madhe ku kisha nevojë të përqendrohesha, në qoftë se doja të mësoja më mirë kulturën dhe vërtet të arrija t’i njihja njerëzit përreth meje.  Njerëzit me të cilët punuam, u habitën dhe u la mbresë që ne punonim kaq shumë për të mësuar gjuhën e tyre.”

Sipas Isakut, disa nga përfitimet afatgjata të mësimit të gjuhëve [të huaja] janë që ai është në gjendje të ruajë marrëdhëniet që krijoi në Greqi, Shqipëri dhe Maqedoni, si dhe të vlerësojë nuancat argëtuese, kulturore të gjuhëve.  Për shembull, në Greqi ata thonë: “Po bien si shi këmbë karrigesh” në vend të shprehjes “Po bien si shi mace e qen” që përdoret zakonisht në Britaninë e Madhe.

Motra Edina Spisák është nga Hungaria dhe është thirrur të shërbejë në misionin e Hungarisë dhe të Rumanisë për gjashtë muaj. Ajo flet hungarisht si gjuhë amtare dhe ka mësuar anglisht për shumë vjet.

Kur ishte fëmijë, nuk u rekomandua që Motra Spisák të frekuentonte shkolla të rregullta për shkak të sfidave të saj për të mësuar.  Më vonë, ajo u diagnostikua me disleksi dhe ka punuar shumë fort jo vetëm që të zotëronte gjuhën e saj amtare, por edhe të mësonte anglisht.  Misioni i saj e ka vendosur në situata ku asaj i duhet të flasë anglisht me shoqet e saj misionare dhe me familjet të cilave po u japin mësim. Ajo gjithashtu po jep mësim anglishten si një gjuhë të dytë.

img2

Ajo është bërë e zonja në përcaktimin e anëve të forta që e ndihmojnë të baraspeshojë disa prej sfidave të saj të të mësuarit.  Motra Spisák është veçanërisht e mirë për parimet gramatikore. Ajo thotë: “Mësimi i një gjuhe është si mësimi i matematikës. Më pëlqen shumë të gjej modele dhe rregulla gramatikore për të zgjidhur një problem. Ne kemi vetëm 3 kohë të foljeve në hungarisht, por anglishtja ka 12.”

Motra Spisák ka kërkuar aktivisht mundësi për t’i përdorur aftësitë e saj gjuhësore, të mësuara me shumë punë, për t’u shërbyer të tjerëve duke përkthyer në shërbimet e kishës për njerëz që nuk e kanë hungarishten gjuhën e tyre amtare, dhe duke punuar përpara misionit të saj në shërbim për komunitetet e njerëzve me aftësi të kufizuara nëpërmjet Latter-day Saint Charities [Organizatës Bamirëse të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme].

Plaku Samuel Jakod është nga Sasari në Itali, që ndodhet në ishullin e Sardenjës.  Gjuha e tij amtare është italishtja dhe ai po mëson anglisht e po shërben për misionin e tij në Birmingam të Anglisë.  “Të qenit në gjendje për të folur anglisht dhe për të kaluar nga anglishtja në italisht ma mbush zemrën me gëzim e mirënjohje.  Gjithashtu u sjell gëzim anglezëve kur dëgjojnë dikë që po përpiqet të flasë gjuhën e tyre me një theks kaq të fortë italian.  Ata e vlerësojnë që po përpiqem të flas gjuhën e tyre dhe ta kuptoj botën nëpërmjet gjuhës së tyre amtare.”

img3

Gjëja që secili prej këtyre misionarëve ka të përbashkët, është mirënjohja për dhuratën e tyre të gjuhëve dhe një optimizëm për të ardhmen.  Ata kanë qenë në gjendje të kenë dhembshuri dhe vlerësim për njerëz nga kultura të ndryshme dhe do të jenë në gjendje t’i zbatojnë ato sjellje dhe aftësitë për gjuhën e tyre të re që t’i bashkojnë njerëzit dhe të punojnë me vetëdije kundër konfliktit dhe ndarjes kulturore në botë.